Skënder Haxhi Ferizaj (12.8.1956 – 13.4.1999)

Skënder Haxhi Ferizaj (12.8.1956 – 13.4.1999)

Dëshmori i kombit Skënder Ferizaj u lind më 12 gusht të vitit 1956, në një familje të njohur atdhetare, në fshatin Kodrali të Deçanit. Prindërit Haxhi e Ryve Ferizaj, të dy djemtë që i patën, Agronin e Skënderin, aktivistë të lëvizjes ilegale, ia falën lirisë së atdheut. Djali i vogël Agroni, ishte ndër ushtarët e parë shqiptarë, i vrarë në të ashtuquajturën Armatë Popullore të Jugosllavisë, në vitin 1984, kurse e djali i madh, Skënderi, ra dëshmor në pranverën e vitit 1999.
Babai i dëshmorit, Haxhi Adem Ferizaj, ishte veteran i arsimit shqiptar dhe njëkohësisht edhe pjesëtar i lëvizjes ilegale të kohës, veçanërisht i lëvizjes kombëtare në vitet ’50-të të shekullit 20 e më pas. Për shkak të veprimtarisë dhe qëndrimeve nacionaliste, Haxhiu ishte halë në sy të regjimit titist, për çka ishte përjashtuar nga procesi mësimor, ishte leçitur dhe izoluar. Njëkohësisht dy djemve të tij, Skënderit e Agronit, nuk iu lejua shkollimi i lartë në Kosovë. Por, Haxhiu duke e ditur rëndësinë e shkollimit vendosi ata t’i dërgojë për shkollim në Sarajevë.
Skënderi shkollën fillore dhe atë të mesme i kreu në Pejë, ndërsa studimet e larta i vazhdoi në Universitetin e Sarajevës, drejtimi i shkencave matematikore, të cilat nuk arriti t’i përfundojë sepse pak para diplomimit, në janar të vitit 1981, pushteti e detyroi të shkonte në shërbimin ushtarak.
Fillet e veprimtarisë atdhetare të Skënder Ferizajt janë të hershme. Ato datojnë që në vitet e rinisë, kur i vijonte mësimet në shkollën e mesme “Bedri Pejani” (ish- “11 Maji”), në Pejë. Në vitin 1977-1978 i kishte vënë kontaktet e para me organizatën e njohur ilegale LNÇKVSHJ (Lëvizjen Nacional Çlirimtare të Kosovës dhe Viseve Shqiptare nën Jugosllavi) dhe me Jusuf Gërvallën.
Ndonëse në vitin 1981, në pranverën e madhe studentore, Skënderi gjendej në shërbim në armatën jugosllave, ai mori pjesë në disa prej këtyre demonstratave pasi kishte rastisur që ato ditë të gjendej në pushim në familjen e tij. Ai sapo ishte kthyer në shërbim, së bashku me njëzet shokët e tij ushtarë shqiptarë në kazermën e Shkupit kishte marrë vendimin që nëse e ashtuquajtura Armatë Popullore Jugosllave tenton ta përdorë ushtrinë kundër protestuesve shqiptarë në Kosovë, ata nuk do ta zbatonin urdhrin, por do t’i kundërviheshin me armë ushtrisë jugosllave. Njëri prej dëshmitarëve të kësaj marrëveshjeje është edhe Gani Kastrati nga fshati Blinajë, komuna e Lipjanit. Mirëpo, nuk kishte vonuar shumë dhe Skënderi ishte arrestuar nga shërbimi sekret ushtarak. Gjykata ushtarake e dënoi me shtatë vjet burgim për veprimtari armiqësore kundër RSFJ-së.
Ndërkohë, vëllai i tij i vogël, Agroni (1957), edhe përkundër vështirësive të mëdha materiale, kishte arritur që më 1983 ta kryente Fakultetin e Veterinarisë në Sarajevë dhe po të njëjtin vit u kthye në vendlindje dhe u punësua në stacionin e veterinarisë në Burim (ish-Istog), e njëkohësisht një kohë të shkurtër punoi edhe si mësimdhënës në Gjimnazin “Luigj Gurakuqi” të Klinës. Më 6 janar 1984, atë e dërguan me urgjencë në shërbimin ushtarak në Novi Sad, prej nga ishte rekomanduar në qytetin e Sentës, prapë në Novi Sad, dhe sërish në Sentë e më në fund në Baçka Topollë (Vojvodinë), prej nga më 23 gusht 1984, me përcjellje ushtarake e sollën në shtëpi, të mbyllur në arkivol të hekurt, me arsyetimin se “kishte bërë vetëvrasje”. Familja e tij pat ngritur akuzë penale kundër eprorëve të Garnizonit të Baçka Topollës, për vrasjen e të birit dhe dy herë mori pjesë në seancat gjyqësore në Gjykatën Supreme Ushtarake, ku kërkuan shpjegime rreth “vetëvrasjes” së të birit. Organet ushtarako-policore serbe nuk lejuan që viktimës t’i bëhej obduksioni nga ekspertët shqiptarë. Asaj iu tha se ky ishte një “sekret ushtarak”, duke e “këshilluar” të mos e ngaste më tej këtë çështje.
Pasi ia vranë të vëllain e vetëm, në nëntor të vitit 1984, pas më shumë se katër vjetësh burgu, Skënderin e liruan nga vuajtja e dënimit të mbetur, kinse për shkaqe lehtësimi të familjes!
Edhe në protestat dhe demonstratat gjithëpopullore të viteve 1989-1991, por edhe në ato të vitit 1997, Skënderi mori pjesë aktivisht. Ndërkaq, në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u kyç menjëherë pas Betejës së 24 Marsit 1998, në Gllogjan, e cila shënon betejën e parë frontale në Dukagjin, njëkohësisht edhe fitoren e jashtëzakonshme kundër forcave ushtarako-policore serbe.
Që nga 24 prilli, ai u rreshtua në radhët e UÇK-së në kuadër të Shtabit Lokal të UÇK-së në Kodrali. Të njëjtën ditë me bashkëluftëtarët organizoi ceremoninë e dhënies së betimit nga 81 luftëtarët pranë këtij shtabi.
Skënderi mori pjesë në luftimet e zhvilluara në Carrabreg, në pikën afër Shkollës Fillore “Lidhja e Prizrenit”, por edhe në luftime të tjera si në Gerdaja (ndërmjet Carrabregut e Prejlepit), në Loxhë, Llukë e Epërme, Pozhar, Kodrali etj. Njëkohësisht punoi edhe në furnizimin me armatim të UÇK-së.
Që nga dhjetori i vitit 1998, ai u sistemua në sektorin e logjistikës të Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla”, ku veproi me përgjegjësi të lartë në furnizimin me armatim e municion dhe me mjete tjera të nevojshme për luftëtarët e kësaj brigade të përqendruar të Ratish.
Më 13 prill 1999, në Kodrali, Skënderi bashkë me kushërinjtë e tij, Ismetin, Bylbylin e Bashkimin, ishte kapur në befasi në pritën e vënë nga militarët dhe paramilitarët serbë, ish-kolonë të Lumbardhit, Ratishit e Dashinocit. Po atë ditë ishin kapur nga armiku edhe Shaqë, Nijazi, Ramadan e Halit Ferizaj dhe Isë Hasaj, nga i njëjti fshat. Të gjithë ata ishin dërguar në Stacionin Policor në Deçan, ku ishin torturuar barbarisht dhe pastaj ishin ekzekutuar dhe ishin zhdukur gjurmët e krimit.
Deri në vitin 2003, Skënderi konsiderohej i zhdukur pa gjurmë, derisa eshtrat e tij u identifikuan në një varrezë individuale në Çabrat të Gjakovës.
Dëshmori Skënder Ferizaj u rivarros me nderime të larta ushtarake e popullore, më 8 janar 2003, në vendlindjen e tij, në Kodrali.
Dëshmori Skënder Ferizaj, ka qenë i martuar dhe pas vetes ka lënë gruan dhe katër fëmijët, tre djem e një vajzë: Ilirin, Agronin, Dukagjinin dhe Dardanën. Shkrime përkujtimore për dëshmorin janë botuar në librin “Gjaku i Lirisë” (Vëllimi 11-12), në revistën mujore “Çlirimi”, në revistën “Zgjimi”, etj. Familja e tij është nderuar me mirënjohje të shumta për babain dhe axhën dëshmor, si nga Komanda e Zonës Operative të Dukagjinin, Brigada 131 “Jusuf Gërvalla”, Komuna e Deçanit, Shoqatat e dala nga Lufta e UÇK-së etj. Vazhdimisht ishte intelektual i pjekur. Ai kishte shkruar poezi kushtuar çështjes kombëtare, por kishte mbajtur edhe ditarin e luftës, të cilat fatkeqësisht nuk i kanë shpëtuar zjarrit të luftës. (F. R.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …