Ismet Zekë Ferizaj (10.10.1955 – 13.4.1999)

Ismet Zekë Ferizaj (10.10.1955 – 13.4.1999)

Familja e Salizekëve nga Kodralia e Deçanit, në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka dhënë një kontribut të madh për lirinë e Kosovës, si me pjesëmarrjen në luftën frontale, si në aspektin e logjistikës. Vetëm nga familja e ngushtë e dëshmorit Ismet Ferizaj, kanë rënë katër dëshmorë: Përparim Ferizaj (djali i Ismetit), Sali Ferizaj (djali i vëllait të Ismetit) dhe Bylbyl Ferizaj (djali i axhës së Ismetit).
Pra, kontributi i kodraliasve në luftën çlirimtare është i pamohueshëm. Këtë më së miri e dëshmuan edhe me numrin e madh të martirëve e të dëshmorëve që ranë në ballë të luftës, ata që dhanë kontribut dhe u dalluan në frontin e Gërdajave, ata që pësuan nga plagët e stërmundimet nëpër kazamatet serbe, të cilët kanë zënë vend meritor në historinë më të re, të cilët mundin, gjakun e jetën i vunë në themelet e lirisë, për t’u kujtuar e nderuar përjetësisht.
Ismet Ferizaj u lind më 10 tetor të vitit 1955, në fshatin Kodrali të Deçanit, në një familje të mesme fshatare e me tradita kombëtare. Ishte i martuar me Raze Mushkolajn, e cila bashkëshortësi solli gjashtë fëmijë, dy djem e katër vajza. Djali i madh i tij, Përparimi, ra dëshmor.
Ismeti u angazhua në rezistencën e armatosur në kuadër të Shtabit Lokal të UÇK-së në fshatin Kodrali, më 24 prill të vitit 1998. Dy herë ishte në Shqipëri për të sjellë armë. Deri në shtator të vitit 1998, ishte pjesëmarrës nëpër shumë pika luftimi, si në Kodrali, Llukë, Beleg, Gërdaja të Carrabregut, etj. Në dhjetor të vitit 1998, si mbështetës logjistike inkuadrohet në Brigadën 131 “Jusuf Gërvalla”, ku e kishte edhe të birin, Përparimin, djalin e vëllait, Salihun e kushëririn Valiantin, që të tre dëshmorë që kanë një rënie të përbashkët.
Terrori ushtarak serb kishte arritur kulmin pas 24 marsit 1999, kur filloi intervenimi ushtarak i NATO-s. Më 27, 28, 29 e 30 mars, gjenocidi ushtarak e paramilitar serb kaloi kufijtë ekstremë, kur popullsia u vra, u masakrua, u terrorizua e u dëbua nga vatrat e veta. Në fshatin Kodrali kishin mbetur rreth 40 veta, gjysma e të cilëve u vranë ose u kidnapuan për t’u torturuar, vrarë e zhdukur më pastaj.
Më 13 prill 1999, në Kodrali, Ismeti bashkë me kushërinjtë, Bylbylin, Bashkimin e Skënderin, kapen në befasi nga policët dhe paramilitarët serbë, ish-kolonë të Lumbardhit, Ratishit e Dashinocit. Po atë ditë arrestohen edhe Shaqë, Nijazi, Ramadan e Halit Ferizaj dhe Isë Hasaj. Të njëjtën ditë ata dërgohen në Stacionin Policor në Deçan, ku u torturuan çnjerëzisht, e pastaj u vranë dhe më në fund kufomat e tyre i hodhën në ujë, nga Ura e Demës (në magjistralen Deçan-Pejë) në Lumin e Bardhë të Deçanit, e disa prej tyre në bunarët e fshatit Strellc i Poshtëm.
Kufomën e Ismetit e të Bylbylit, i kishte bartur uji përgjatë rrjedhës së lumit. Në qershor të vitit 1999, trupi i Bylbylit është gjetur në Llukë dhe ai i Ismetit, në Prapaqan, të cilët janë varrosur si të paidentifikuar.
Në shtator të vitit 2001, trupi i Ismetit dërgohet për identifikim në morgun e Rahovecit. Dy vjet më vonë, familjarët e tij janë njoftuar me rezultatet e AND-së, lidhur me identifikimin e trupit të pajetë të Ismetit, i cili më 18 tetor 2004, u rivarros pranë të birit, kushërinjve dhe bashkëluftëtarëve të vet, në Kodrali.
Dëshmori Ismet Ferizaj ka lënë pas vetes vëllezërit: Muhametin e Hysenin, motrën Gjejronen, gruan Razën, djalin Shpëtimin dhe vajzat Hajrijen, Arbnoren, Selvijen dhe Albianën.
Familja Ferizaj është nderuar me mirënjohje të shumta për dëshmorët Ismet e Përparim Ferizaj. (F. R.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …