Ramadan Aziz Xhokli (26.3.1971 - 13.4.1999)

Ramadan Aziz Xhokli (26.3.1971 – 13.4.1999)

Ramadan Xhokli, i lindur në Doganaj të Kaçanikut, bëri sakrificën sublime duke dhënë jetën e tij në altarin e atdheut. Ai lindi më 26.3.1971. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, në shkollën “Ali Asllani”, ndërsa të mesmen në Kaçanik në drejtimin ekonomik. Frymëzimet e para patriotike i mori nga babai i tij, Azizi, cili ishte një veprimtar i hershëm dhe i palodhur i çështjes kombëtare.
Qysh në fëmijëri dhe në moshën e re, Ramadanin e karakterizonte zgjuarsia, urtësia, dashuria për popullin dhe atdheun. Kontaktet e para me formacionet e organizuara kombëtare i kishte pasur kah fundi i vitit 1997, përmes prindit të vet. Ndjenjat kombëtare i ishin forcuar edhe më shumë, me arritjen e ditës së shumëpritur të daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ramadani ishte ndër të parët që iu bashkua rradhëve të njësiteve të Brigadës 162 “Agim Bajrami” në Kaçanik, më 10.7.1998. U sistemua në Batalionin e Parë të Brigadës 162 “Agim Bajrami”.
Mori pjesë në shumë aksione dhe beteja, si në Jezerc në datat 24-28 shtator 1998. Kishte bashkëluftëtarë: Qamil Ilazin, Jetish Terziun, Avni Shehun, Hajdin Salihun, Islam Hasajn, Izahir Tronin, Naser Vishin, Zylbehar Prushin, Hajrush Salihun.
Me njësitin e Kaçanikut kishte shkuar në ndihmë edhe në betejën e Reçakut, pas Masakrës së bërë atje nga forcat kriminele serbe. Në këtë njësit kishin marrë pjesë: Vehbi Koraqi, Heset Malsiu, Azem Guri, Fadil Bunjaku, Abdurrahman Bunjaku, Mexhid Palloshi, Eshref Dullovi, Avni Palloshi, Daut Dullovi, Esat Troni, Tefik Vishi, Ahmet Vishi, Jetish Terziu, Jenuz Terziu, Sadik Guri, Memish Vogliqi, Enver Thaçi, Muharrem Ahmetaj, Zylbehar Prushi, Naim Baftiu. Aktivitetet e tyre luftarake në Jezerc, Mollapolc, Reçak dhe Rancë vazhduan deri më 28 shkurt kur filluan luftimet intensive frontale në territorin e Kaçanikut. Ramadani merr pjesë edhe në betejën e Ivajës, më 8 mars 1999, si dhe në shumë beteja të tjera. Komanda e Brigades 162 “Agim Bajrami” e emëron komandant skuadre. Bashkëluftëtarët më të ngushtë të Ramadanit ishin: Avni Shehu (dëshmor), Aziz Xhokli (i ati), Avni Palloshi, Azem Dalloshi, Muharrem Dalloshi, Ramadan Murseli etj.
Më 13 prill 1999 forcat serbe kishin rrethuar fshatrat: Tifek, Lamaj dhe Sllatinë dhe kishin filluar me sulme të rrepta nga të gjitha anët. Komandanti i skuadrës, Ramadan Xhokli kishte shkuar për ta çarë rrethimin dhe për t’i dalur në ndihmë popullatës civile. Forcave armike u kishin arritur përforcime nga të gjtiha anët. Po luftohej për mbrojtjen me çdo kusht të çdo shtëpie dhe të popullatës civile. Në luftimet e ashpra, te Kodra e Cakës në Sllatinë, në fushën e nderit bie luftëtari trim Ramadan Xhokli, kurse plagoset Ramadan Murseli.
Më 14 prill 1999 u bë varrimi i dëshmorit dhe i viktimave civile në varrezat e fshatit Kastrat. Pas luftës, u bë rivarrimi i trupit të tij në varrezat e dëshmorëve në Kaçanik.
Dëshmori Ramadan Xhokli, gjatë luftës ka mbajtur ditar, por i cili kishte rënë në dorë të armikut. Shënimet e këtij ditari janë shfrytëzuar më vonë edhe në Gjykatën e Hagës, nga krimineli Sllobodan Milosheviq, si dëshmi se ushtria serbe ka luftuar përballë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e jo kundër popullsisë civile.
Në shenjë nderimi dhe respekti për veprën heroike të dëshmorit, Ramadan Xhoklit dhe bashkëluftëtarëve të tij: Avni Shehu, Naim Beka, Isen Elezi, është ngritur pllaka përkujtimore te ura e fshatit Doganaj. Në shenjë respekti për veprën heroike të dëshmorit, familja Xhokli ka marrë mirënjohje nga komanda e Brigadës 162 “Agim Bajrami”, Ministria e Mbrojtjes e QPK-së, nga Këshilli Komunal i Kaçanikut si dhe nga Komanda e Zonës VI të TMK-së, me rastin e organizimit të manifestimit Flaka e Janarit. (H. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …