Fushata parazgjedhore e 2021-ës e ka një veçanti. Kandidatët për kryeministër e as ata për kryetar të Republikës nuk po premtojnë liberalizimin e vizave. Në dekadën e fundit ky ka qenë premtim kapital i partive politike por që kurrë nuk u realizua. Ndërkohë nga Brukseli vijnë lajme për një angazhim të eurodeputetëve që të ecet para me heqjen e vizave për shtetasit e Kosovës për në Zonën Schengen. “Për momentin po negociohet Raporti për Kosovën në Parlamentin Evropian .Me këtë dokument do t’i kërkohet disa vendeve anëtare të BE-së që urgjentisht të heqin bllokadën e tyre për liberalizimin e vizave për Kosovën. Të gjitha kriteret tashmë janë plotësuar dhe kosovarët meritojnë udhëtimin e lirë pa viza” tha eurodeputeti Lukas Mandl. Për tu bërë realitet liberalizimi duhet të votohet nga Këshilli evropian përderisa Komisioni disa herë ndër vite ka aprovuar vendim se Kosova i ka përmbushur kriteret dhe se vendet anëtare duhet të votojnë. Zyrtarisht Franca dhe Holanda janë dy vendet që i kanë thënë Jo liberalizimit për shtetasit e Kosovës.