Behlul Jashari

Behlul Jashari: Gazeta historike e Kosovës Rilindja nisi të dalë para 76 viteve

-Numri i parë i gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja me datë 12 Shkurt 1945 i botuar në Prizren, që kishte katër faqe, u radhit me dorë për rreth 72 orë dhe për këtë u deshtën katër arka shkronja shqipe të derdhura në plumb, që u sollën nga Tirana-

 

Para 76 viteve, në 12 Shkurt 1945 në Prizren, nisi të dalë gazeta tradicionale Rilindja, histori Kosove që nga koha e Konferencës së Bujanit të Rezolutës për vetëvendosje e të drejtë bashkimi me Shqipërinë e deri në shpalljen e pavarësisë e njohjet ndërkombëtare.

Gazeta Rilindja, e vetmja në gjuhën shqipe në Kosovë, nisi të dalë me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana.

“Shkronja për Rilindjen dërgoi Tirana pasi në Shtypshkronjën e  Rilindjes në Prizren nuk kishte shkronja të  mjaftueshme të derdhura në plumb për shkrim në gjuhën shqipe”, kam shkruar në monografinë “Rilindja 60 vjet”, botuar shtojcë speciale e gazetës në 12 Shkurt 2005.

Në monografi theksohet se, “numri i parë i gazetës Rilindja, që kishte katër faqe, u radhit me dorë për rreth 72 orë dhe për këtë u deshtën katër arka shkronja shqipe të derdhura në plumb, që u sollën nga Tirana”.

“T’i përvishemi punës…”, ishte kryeartikulli në ballinë i numrit të parë të gazetës Rilindja, që mbanë datën 12 Fruer (Shkurt) 1945 e që kishte çmimin edhe 1 Lek, e që sipas shkrimeve Kosovën e përcaktonte si një vend të veçantë.

“Jehona e vendit” ishte rubrika, ku janë të botuara 6 lajme e informata nga Kosova, e të 4 lajmet e tjera janë të jashtë vendit nga fronte të ndryshme të Luftës së Dytë Botërore, që ende vazhdonte (Froni i Lindjes, i Perëndimit, i Jugosllavisë dhe ai i Italisë).

Numri i parë i gazetës Rilindja u shtyp në një tirazh prej mëse 3.000 ekzemplarësh dhe u shpërnda në gjithë Kosovën. Në fillimet e saj, në rrethanat e një shkalle të lartë të analfabetizmit të asaj kohe në Kosovë, gazeta Rilindja u përdor edhe për mësimin e shkronjave shqipe, shkrimit e leximit.

Gazeta Rilindja nuk u ndal edhe kur u ndalua dhunëshëm nga Serbia okupatore në vitin 1990, gazetarët dhe punonjësit tjerë të saj sfiduan ndalimin – revistën  e përdymuajëshme “Bujku e shëndërruan në gazetë të përditshme të rezistencës, pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik, kryeredaktor i parë – themelues i së cilës isha.

Gazeta e përditshme “Bujku” doli nga 18 Janari 1991 deri në prag të 1999-tës, të një viti tjetër të ri të luftës që po zhvillohej në Kosovë, derisa u dëbua me dhunë nga Pallati i Rilindjes nga administrata dhe forcat okupatore serbe.

Por, përsëri, gazetarët dhe punonjësit e tjerë të Rilindjes nuk u ndalën, në muajt e parë të vitit 1999, gjithnjë në kushtet e luftës, rikthyen dhe nxorën gazetën e përditshme me emrin Rilindja në Prishtinë,  duke punar nëpër shtëpitë e tyre, dhe në këto rrethana përkundër rreziqeve të mëdha gazeta doli derisa gazetarët dhe punonësit e saj u dëbuan bashkë me popullin edhe nga shtëpitë e tyre dhe nga Kosova…

Ekipi i gazetës Rilindja hyri në Kosovë me tanket e para të NATO-s në 12 Qershorin historik 1999, dhe të nesërmen u shpërnda në Prishtinë dhe në zona të tjera, ku po ndodhte liria, gazeta numër special e botuar në Shkup.

“‘Me emrin ‘Bujku’, këtu dhjetë vite ka mbajur të gjallë informimin e brendshëm në Kosovë”, e vlerësonte  gazetën e rezistencës Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova në funddhjetorin 2002 në Rezidencën Presidenciale në Prishtinë në pritjen që më bëri si kryeredaktor i gazetës Rilindja, me ç’rast dha një intervistë ekskluzive, duke i dhënë kështu edhe mbështetjen e fuqishme institucionale krijimit të mundësive dhe kushteve për rifillimin e botimit të gazetës simbol i traditës së informimit në Kosovë, të cilën administrata e UNMIK e kishte dëbuar kundërligjshëm e padrejtësisht nga Pallati Rilindja në 21 Shkurt 2002.

Pas kësaj date gazeta Rilindja ka dalë me numra protestues të jashtëzakonshëm të kohëpaskohshëm dhe për festa.

Gazeta Rilindja, kronikë e zhvillimeve historike të Kosovës, pasi doli me botime speciale edhe për ngjarjen historike të shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurt 2008 dhe njohjet ndërkombëtare që pasuan, ka përmbyllë daljet e afër 40 numrave të jashtëzakonshëm të kohëpaskohëshëm në 30 Dhjetor 2008, me numrin festiv të Vitit të Ri 2009, në ballinë me kryetitullin e ëndërres dhe  të ardhëmes: Kosova shtet në OKB. Dhe me paralajmërimin: Duke besuar në sundimin e ligjit në shtetin e Kosovës presim që nga numri i ardhshëm Rilindja të dalë përditë.

 Pas 10 vitesh, gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja në ndërrim motesh – në mbrëmjen e 31 Dhjetorit  2018 të pritjes së 2019-tës, ridoli simbolikisht (botim digjital) për protestë dhe me kërkesën e përsëritur për t’u rikthyer e përditshme – për privatizim.

 Zgjidhja për Rilindjen pritet e kërkohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, e cila është autoritet mbi ndërmarrjet e pronat shoqërore. Për privatizimin e gazetës tradicionale të Kosovës,  pa u ndërlidhur me objektin e saj të shpronësuar,  që tash është ndërtesë qeveritare, është edhe shembulli i gazetave në rajon dhe në botë, që kishin statusin si të Rilindjes, e që janë privatizuar dhe kanë vazhduar të dalin.

Në arsyetimin e  kërkesës për privatizim theksohet edhe se emri dhe tradita e gazetës Rilindja është një vlerë shumë e madhe, e krijuar gjatë mëse 70 viteve, është pasuri me vlerë më të madhe se e çdo pallati, dhe kjo duhet të vlerësohet edhe në procesin e privatizimit.

“Dhe, ai që do ta blejë gazetën Rilindja dhe natyrisht do e nxjerrë këtë të përditshme historike dhe tradicionale të Kosovës do jetë pronar i një pasurie të madhe mediale kombëtare, do të jetë trashëgimtar i ligjshëm i firmës-emrit, traditës. Rilindja ishte, është dhe mbetet edhe si një shenjë identiteti”, theksohet në kërkesën drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit në 12 Shkurt 2014.

Gazeta “Rilindja” e gjithë viteve të daljes ruhet në Arkivin Shtetëror të Kosovës dhe në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, si dhe në biblioteka tjera…

(Behlul Jashari

Kryeredaktor i gazetës Rilindja deri në numrin e fundit dhe në kohën e dëbimit nga Pallati i Rilindjes, kryeredaktor i parë-themelues i gazetës së rezistencës “Bujku”)

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …