Shaqë Avdi Ferizi (23.12.1930 - 14.4.1999)

Shaqë Avdi Ferizi (23.12.1930 – 14.4.1999)

Shaqë Ferizi u lind më 30 dhjetor të vitit 1930, në fshatin Kodrali të Deçanit. Gjatë luftës së fundit çlirimtare ky fshat ka dhënë katërmbëdhjetë dëshmorë të kombit dhe tre martirë, dy prej të cilëve edhe sot e kësaj dite konsiderohen të zhdukur. Nga kjo familje dolën dy njerëz të mëdhenj, vëllezërit Shaqë e Njazi Ferizi, të cilët veprimtarinë e gjatë e të bujshme jetësore e përmbyllën me rënien e lavdishme për liri. Në luftë për liri ra dëshmor edhe djali i Njaziut, Valianti, luftëtar i Batalionit Gardist të UÇK-së.
Shaqa me këngë ushqente shpirtin e popullit liridashës, ndërsa Njaziu tërë potencialin intelektual e njerëzor e vuri në shërbim të shkollës shqipe dhe të atdheut. Ishte fëmija e parë në familje. Babë Avdiu dhe nënë Ryva kishin pesë fëmijë, katër djem dhe një vajzë.Që në rininë e hershme Shaqa e adhuronte këngën, prandaj në moshë fare të njomë, që në vitin 1946, paraqitet para masave të gjëra popullore, me ç’rast shfaqi një talent të jashtëzakonshëm. Prej kësaj kohe, për pesëdhjetë vjet nuk e ndali këngën. Qindra heronj i përjetësoi në këngë.
Shaqë Ferizi, që në popull njihet si rapsodi i mirënjohur Shaqë Avdia, bën pjesë në plejadën e rapsodëve më të dalluar të kombit tonë, bashkë me Dervish Shaqën, Ymer Rizën, Lan Dobrën, Hysen Ukën, Bajrush Dodën, Marash Krasniqin etj., të cilët e ruajtën me fanatizëm visarin më të çmuar të kombit folklorin shqiptar, këngët popullore, e në veçanti ato epike, të cilat ishin të rrezikuara nga regjimi serb.
Shaqë Avdia ishte dhe mbeti këngëtari prototip i Orfeut të Dukagjinit, Dervish Shaqës. Ishte dhe mbeti korife i këngës shqipe. Ai aq shumë u këndoi trimave, dëshmorëve e heronjve të kombit, sa ishte njëjtësuar me ta. Ai ishte bërë pjesë e popullit, ishte bërë gjymtyrë e pandarë e tij, andaj edhe ishte bërë halë në sy të okupuesit serb.
Menjëherë pas shpërthimit të luftës frontale në Rrafshin e Dukagjinit, më 24 marsit 1998 në Gllogjan, Shaqë Avdia u bashkua me luftëtarët e UÇK-së, fillimisht në fshatin e tij, në Kodrali.
Kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës mori në dorë organizimin dhe drejtimin e luftës Shaqë Avdia, edhe pse në moshën 68-vjeçare, ishte kurdoherë në mesin e luftëtarëve të lirisë, veçanërisht ishte i frymëzuar me heroizmin e Brigadës famëmadhe 131 “Jusuf Gërvalla”, që drejtohej nga komandanti Daut Haradinaj, bashkë me luftëtarët e të cilës qëndroi një kohë të gjatë. Pas luftërave e betejave të mundimshme, në Gllogjan e Ratishë (tash Qëndresë), këndonte vazhdimisht me trimat legjendarë, me komandantin Shkëlzen Haradinaj (hero i kombit), me dëshmorët Luan Nimanaj e Fatmir Nimanaj, e me luftëtarë të tjerë, të cilët aq sa e çmonin pushkën e donin edhe këngën. Ishte kjo kohë kur lufta edhe pas rënies së bashkëluftëtarëve në frontet e luftës kishte nevojë për këngë, për frymëzim, e kënga kishte nevojë për krismat e lirisë. Në atë mes gjithnjë ishte Shaqë Avdia, shpesh herë si mysafir i veçantë e i nderuar i komandantit Shkëlzen Haradinaj.
Shaqë Avdia i entuziazmuar për sukseset e Ushtrisë Çlirimtare shpesh thoshte se UÇK-ja është vazhdimësi e luftërave heroike që ka bërë populli ynë gjatë shekujve për liri dhe pavarësi, për tokën, për gjuhën, për nderin, për kulturën, për traditën. “UÇK-ja është nyje ku janë gërshetuar dhe përcjellë vitet, dekadat, shekujt në kryengritje të fuqishme, është forcë fitimtare – u thoshte luftëtarëve të lirisë”. Shaqa i donte shumë luftëtarët, por edhe ai kurdoherë ishte i nderuar dhe i respektuar nga të gjithë.
Pas ofensivës serbe në mars-prillit 1999, në rajonin e Deçanit e të Dushkajës, Shaqë Avdia me të vëllain, Njaziun dhe me bashkëfshatarë të tjerë, ishte nisur bashkë me njësitet e UÇK-së, nën drejtimin e komandantit për operacione luftarake të Zonës Operative të Dukagjinit, Shkëlzen Haradinaj, që po i transferonin të plagosurit e shumtë në drejtim të Burimit (ish-Istogut). Por, natën e 5 prillit 1999, kolona kishte hasur në pritën e forcave serbe në afërsi të fshatit Kotradiq, me ç’rast ishin zhvilluar luftime, dhe këta ishin detyruar të ktheheshin prapa në fshatin Kodrali, i cili u vu në rrethim të plotë. Në Kodrali kishin mbetur rreth 40 veta, gjysma e të cilëve ranë ose u kidnapuan nga forcat serbe për t’u torturuar, vrarë e zhdukur më pastaj.
Më 13 prill 1999, në Kodrali, Shaqë Avdia bashkë me të vëllain Njaziun, axhën Ramadanin (i zhdukur) dhe kushërinjtë Halit Ferizaj, Isë Hasaj (i zhdukur), Ismet Ferizaj, Bylbyl Ferizaj, Bashkim Ferizaj e Skënder Ferizaj, u kapën nga trupat serbe, ish-kolonë të Lumëbardhit, Ratishit e Dashinocit. Të njëjtën ditë ata u dërguan në Stacionin Policor në Deçan, ku u torturuan çnjerëzisht, ndërsa të nesërmen u vranë. Kufomat e tyre i hedhën në ujë nga Ura e Demës në Lumëbardhin e Deçanit, e disa në bunarët e fshatit Strellc i Poshtëm.
Pas përfundimit të luftës, në muajin korrik, trupat e masakruar të vëllezërve Shaqë e Njazi Ferizi, u gjetën në bunarin e Adem (Smajl) Gjukajt në Strellc të Poshtëm.
Më 30 korrik 1999, vëllezërit dëshmorë Ferizi, u varrosën me nderime të larta në varrezat e vendlindjes së tyre, ku u është zbuluar edhe pllaka përkujtimore.
Shaqë Avdia ishte i martuar dhe ka lënë pas vetes pesë fëmijë: Dervishin, Lumnijen, Meritën, Lindën dhe Anitën, të cilët krenohen për jetën dhe veprën e jashtëzakonshme të babait rapsod të njohur e dëshmor i kombit.
Jetën dhe veprën e Shaqë Avdisë e kanë përjetësuar me shkrime përkujtimore, Faton Mehmetaj, Fetnete Ramosaj, Bekim Vishaj, etj.
Familja Ferizi është nderuar me mirënjohje të shumta për dëshmorët e saj nga Shoqatat e Dala nga Lufta e UÇK-së, Brigada 131 “Jusuf Gërvalla”, Komanda e UÇK-së të Zonës Operative të Dukagjinit, Komuna e Deçanit etj. (F. R.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …