Në Shkup, janë zhvilluar protesta të fuqishme popullore kundër vendimit të presidentit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, për të amnistuar politikanët të cilët hetohen nga Prokuroria Speciale. Disa protestues janë lënduar gjatë përleshjeve me policinë, ndërsa disa të tjerë janë shoqëruar në stacione policore. Situata ka eskaluar në momentin kur forcat e policisë janë përpjekur ta ndalojnë turmën e protestuesve që të mos demolojë zyrën e presidentit. Por, një pjesë e Zyrës Popullore të Presidentit të Maqedonisë është djegur tërësisht. Ata kanë gjuajtur me vezë dhe gjësende të forta edhe Ministrinë e Drejtësisë, por forcat policore kanë arritur t’i shpërndajnë shumë prej atje. Mijëra protestues, nën organizimin e organizatës joqeveritare “Protestoj”, u shprehen kundër vendimit të presidentit Ivanov për të falur të gjithë politikanët dhe personat e tjerë, të akuzuar nga Prokuroria Speciale për vepra të rënda kriminale si: falsifikim i zgjedhjeve, shkatërrim i aparaturave me të cilat janë kryer përgjime, pedofili, keqpërdorime financiare dhe shpërdorime tjera të detyrës zyrtare. Protestuesit kanë thënë se presidenti mund “t’i falë kriminelët, por këtë nuk do ta bëjë populli”. Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë ka njoftuar se nga protestat janë arrestuar 12 protestues derisa 1 është i lënduar. Organizatat joqeveritare thonë se numri i të lënduarve gjatë përleshjes me policinë është shumë më i madh.
Kontrolloni gjithashtu
Hykmete Bajrami: Buxheti i 2025-ës është anti-Kushtetues
Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka konstatuar se buxheti për …