(E kujtojmë dëshmorin e kombit, Hamëz Jashari, me rastin e ditëlindjes)
Kjo tokë
Ky qiell
Këto brigje
Ky diell
T’përulen
Ty, vëlla…
Këtij trualli amtar
Pesha i matet
Me besë e fjalë
Dhe vlera i shtohet
Me gjakun tënd të valë.
N’Prekazi qëndrestar
Grushtin lart e ngrite
Kundër mynxyrës
Rrebesheve
Furtunës-
Fortesë
Kundër dhunës.
Ti, yll i pashuar
Flakadan
Në errësirë.
Ti, shkëndijë e shpresës
E besës
Qëndresës.
Të shanë e të ndoqën
Por kot
U përpoqën
Ata që t’u hodhën
Në fyt
Si egërsira.
Nuk të kishin njohur
I kaploi
Mynxyra.
Kësaj toke arbërore
I ushqeve damarë
Trim, zemër-shqipar.