Shaban, Adem dhe Hamzë Jashari

Myrvete Dreshaj – Baliu: Shëmbëlltyra e Adem Jasharit dhe familjes së tij në poezinë e sotme shqipe II

Parë në tërësinë e tyre nuk është vështirë të shihet synimi i autorëve që në krijimtarinë poetike të artikulojnë një mesazh krenarie kombëtare, në të vërtetë, synimin e tyre për të sjellë një biografi sa më të plotë jetëshkrimore e historike të heroit, Adem Jashari; një model pak a shumë epik i njohur më parë kryesisht në poezitë a poemat kushtuar jetës dhe bëmave të Skënderbeut; një synim autorësh që në krijimtarinë e tyre për Adem Jasharin, Familjen e tij dhe kur e kur edhe bashkëluftëtarëve të tij, të rindërtojnë historinë në njërën anë dhe kategoritë filozofike, etike dhe estetike: të madhërishmen, të bukurën, të mirën, të drejtën, e të shëmtuarën, në anën tjetër; hapësirë kjo tipike e eposit legjendar dhe epeve historike kombëtare për Skënderbeun dhe bashkëluftëtarët e tij. Pamjes epike dhe natyrës legjendare të jetës individuale të Adem Jasharit dhe Familjes së tij, madje nuk do të mund t’i ‘shpëtojë’ edhe njëri prej studiuesve dhe lirikëve më të përkushtuar në poezinë bashkëkohore shqiptare, studiuesi e poeti Agim Vinca, që në poezinë Fillim i një poeme për Familjen Jashari, veç tjerash, do të shqiptojë edhe këto vargje:

Vdesin në këmbë duke kënduar.

Dhe jetojnë këmbëkryq në këngë.

Po këtë natyrë titulli ka edhe një poemë e shkrimtarit dhe publicistit Bedri Islami, Fillimi i një poeme për Fehmi Lladrovcin, në të cilën është bërë përpjekje për të komunikuar në mënyrë të veçantë me Adem Jasharin dhe Familjen e tij. Është një përpjekje dramatike e dialoguese, një ligjërim personal, për të sjellë imazhet e zhvillimeve të betejave në Kosovë duke i parë ato të ndërlidhura me rolin e kryekomandantit Adem Jashari dhe me të gjithë përbërësit e tjerë.

Ndërmjet këngës dhe poezisë

Prej këngës, përkatësisht prej simbolikës së saj, si edhe pararendësit e bashkëkohësit: Enver Gjerqeku, Din Mehmeti, Adem Gajtani, Jusuf Grëvalla etj., nuk arrin të dalë, në mos ndjehet pikërisht në vendin e duhur edhe shkrimtari tjetër i një përvoje të theksuar në lirikën shqipe, Adem Zejnullahu, i cili me Adem Jasharin komunikon me ndjeshmërinë dhe frymën e poezisë popullore:

Desha një këngë më të mirën ta dhuroj,

Me gjuhën e zogjve, o luftëtar!

Për Ty, o trim, me zemër të këndoj,

Për lojën e plagën tënde të parë.

Nëse autori i parë Agim Vinca poemën e ka synim të madh letrar, ndërsa i dyti, Bedri Islami, atë e shkruan në një përmasë të saj, autori i tretë Ilir Shaqiri, në poemën e tij me titull identifikues Adem Jasharim (2018), sjell një dialog sa në përmasa kohore brenda epokës, aq edhe në kontekst të komunikimit mes brezash të lashtë kohorë. Poema e Ilir Shaqirit ndonëse në strukturën e saj të jashtme shfaqet me të gjitha përmasat e poemave të deritashme në letrat shqipe, në strukturën e saj të brendshme ajo sjell një model tjetër të sistemit poetik: së pari, me përzgjedhjen e temës së madhe të individit (Adem Jasharit) dhe kompleksitetit dramatik të saj (Familjes); së dyti, me ndërhyrjen dhe krijimin e sistemit fragmentar të tekstit, i cili bëhet me qëllim të thyerjes së ‘dialogut’ brenda tekstit; dhe së treti, me gjuhën e pasur të fjalësit, fjalëformimit dhe të shprehjeve poetike autoriale, si dhe përdorimit gjithëpërfshirës të frazeologjisë shqipe, si tërësi elementesh gjuhësore e stilistike brenda saj. Poema Adem Jashari, që në të vërtetë është poemë për gjithë Familjen Jashari, sakrificën e saj dhe Luftën Çlirimtare të Kosovës, është gjithashtu edhe një dialog sa personal me heroin aq edhe kolektiv me familjen e tij. Kjo poemë i ngjan një rrëfimi lirik, ku shprehet gjithë respekti dhe krenaria për Heroin dhe Familjen e tij, me një strukturë, përkatësisht, teknikë të jashtme dhe të brendshme të veçantë të ndërtimit të saj, si dhe për veçoritë ideo-emocionale të poetit dhe stilit narrativ, të cilin e pasuron një fjalor i ri poetik. Përjetimi i thellë autorial dhe intensiv i veprimtarive atdhetare të Heroit, sa ndjenjor dhe shpërthyes përballë tij, po aq lirik dhe i butë kur ju ofrohet filizave fëmijë, është një veçori tjetër e kësaj poeme.

Brenda poemës dialogojnë kohë të ndryshme mes rrëfyesit dhe heronjve të tij, ndërthuren  fragmente me karakter historik e epik:

–  Dëgjoni, u thoshte: /më 6 maj / në Kështjellën e Kastriotëve, / u lind Gjergji, / në ditë Shëngjergji (f. 10);

–  momente kujtimesh e imazhesh nga e kaluara mes autorit dhe heroit: Të pashë bacë / kur erdhe në ansamblin “Drenica” në prova (21);

–  situata dhe domethënie simbolike të ndërlidhura ndërmjet heroit dhe trashëgimisë materiale e shpirtërore, brenda të cilave vargjet vendosen në rrjedha të zhvillimit si një mozaik tekstesh të artit popullor: Nana-nana n’djep prej manit / Ti m’i gafsh bir, Zhuj Selmanit;

–  të frazeologjisë popullore: Krejt çfarë kishte të shenjtë Shqipëria / kishte rënë mbi supet e tija! (38);

–  për t’u përmbyllur me rindërtime tekstesh më gjuhë poetike autentike të krijuesit të saj Ilir Shaqiri, në të cilën vend qendror zënë epitetet e krahasimet me ngjyrime elegjiake të vargut: Formë filluese e dashurisë me qiellin! ( 8)… Avull i pamort shekujsh! (12) Liria është shtegtim i siziftë (26); Fusha s’i shihte, mali i fshihte! ( 29);  Balli Yt / Ag mëngjesesh (89);

–  dhe më tej me leksikun e pasur shprehjesh e trajtash krejt të rralla në fjalësin e gjuhës shqipe: epokëbërës (5), errrëfyes (16), ballëlëruar (21), përtokazi ( 27), përzjarrtazi (28), qivurtari (33), burrëlisi (43), i nëpërmalur (49), burrëlisi i ylltë (60), jetëpanisurit (72) etj.

Në të vërtetë, poema shquhet për strukturën e pasur ligjërimore, por më parë se sa për perceptimin estetik, sikur do të thoshte Profesor Qosja, për ligjërimin e Naim Frashërit në poemën Istori e Skënderbeut (Qosja, 1986, f. 252),  në ligjërimin e Ilir Shaqirit në poemën Adem Jashari, bashkohen tipi i ligjërimit lirik dhe tipi i ligjërimit vlerësues.

Prej përmbajtjes tematike, historike dhe artistike, si dhe prej përbërësve gjuhësorë, teoriko-letrarë, artistikë e estetikë të kësaj poeme, e cila mund të thuhet se hap mozaikun e trajtimit të shumanshëm të krenarisë kombëtare, sikur dëshiron ta shquajë autori, më shumë se sa tragjikes, të cilën e pret lexuesi, mund të themi se ajo paraqet vetëm boshtin e një poeme historike, në të cilën ka shumë hapësirë edhe për personazhet e tjera të kësaj drame të madhe të Familjes Jashari dhe drame heroike të popullit shqiptar.

Nëse do të kërkonim një vepër artistike në të cilën përmblidhen gjithë përbërësit historikë, zhanrorë dhe artistikë kushtuar Adem Jasharit, kjo është poema e Zenun Gjocajt, Adem Jashari, që përfshinë kapitullin e dytë të veprës epike Krahët e shqipes (2011). Studiuesi dhe shkrimtari Zenun Gjocaj, në veprën e tij Krahët e shqipes, ka synuar të realizojë një projekt të madh antologjik për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. E gjithë poema është realizuar si një tekst tipik i këngëve legjendare, por që brenda saj janë ndërlidhur me mjaft sukses episode historike nga e kaluara e lavdishme e popullit shqiptar, elemente të mitit e të legjendave, hiperbola nga eposi i kreshnikëve dhe simbole të tjera etnografike. Poema sjell një pasuri shembujsh me vlera leksikore, shprehjesh stilistike e frazeologjike. Ajo është ndarë në episode të veçanta, brenda të cilave sillen situata ekzistenciale sa individuale aq dhe kolektive të popullit shqiptar në Kosovë. Ajo bëhet hapësirë betejash, sfidash individuale, qëndresash familjare e reagimesh kolektive, deri tek momenti kur Familja Jashari bënë aktin më sublim në historinë e sakrificave të Kosovës: nga gjyshi te mbesa e nipi!

Poema është konceptuar si një dramë, e cila ka aktet dhe pamjet e sistemuara me kujdes, hyrjen, zhvillimin e ngjarjeve mbështetur në pamje të njëpasnjëshme por të ndërlidhura, majën e konfliktit, zgjidhjen dhe përfundimin që kulmon me tragjedinë familjare të Jasharajve. Poema përcjell edhe mesazhin e çlirimit e të bashkimit kombëtar ndërsa si epilog i të gjitha zhvillimeve historike, sakrificën e Familjes Jashari.

Shkrimtari emigrant Ajet Shala, është njëri prej krijuesve të brezit të ri, i cili ka shkruar disa poezi dhe tekste këngësh për Adem Jasharin, familjen e tij, vendlindjen e tij Prekazin dhe krahinën etnografike Drenicën. Nëse në disa nga ato, si: Në Prekaz flasin kullat!, Kam Drenicën gur kështjelle, 17 Shkurt 2008 (Kushtuar Pavarësisë së Kosovës), Këngë (Adem Jasharit) dhe Këngë (Hamzë Jasharit), ka ndërthurë kryesisht vargje rimash e përshkrime situatash sa tragjike aq edhe dramatike, në disa poezi të tjera, si: Zëri i poetit dhe Besa-besë Adem Jashari (akrostik) ka sjellë mjaft lirikë, ritëm të brendshëm dhe një lloj ‘përmbajtje autoriale’, të cilat i kanë munguar poezisë shqipe kushtuar Adem Jasharit dhe Familjes së tij:

E di, edhe kulla ime mund të ishte djegur

Si e Bacë Ademit

Cep më cep mund të digjej muri

Dhe guri i fundit i oxhakut

Po s’do ma vriste kurrë fjalën

Mes burrash në një log kuvendi

E mençurisë në Qiellin e Shtatë

Do ia vija bajrakun.

Të kësaj natyre janë edhe vargjet e poetit Namik  Selmani. Ai, ashtu si edhe bashkëkohësit e tij, bën përpjekje për ta funksionalizuar semantikisht  komunikimin me heroin e tij:

Tek  SYTË  e tu

Fluturoj në të gjithë qiejt e shpirtit

Një lirikë me përmasa të një teksti popullor, me përmbajtje që të kujtojnë poezitë përkushtuese për shumë personalitete heronjsh e krijuesish të panteonit kombëtar, sjell poeti nga Vlora Murteza Mara. Poezia e tij, si edhe ajo e shkrimtares emigrante në Amerikë Julia Gjika, mund të quhen përmbajtje ndjenjore e shpirtërore e të gjithë atyre që vizitojnë varrezat ku janë vendosur anëtarët e vrarë të Familjes Jashari:

Një lis është pak, një mal po ashtu

Një pyll i tërë sërish është pak

Ikin kohët, ti do të mbetesh këtu

Mbi krahët e lirisë dielluar me gjak.

(…)

Përulja është pak, nderimi është pak

Për Ju o pishtarët e vërtetë të Arbërisë

Jasharët do mbeten simbol në bajrak

Piskamë kushtrimi në krahët e lirisë.

Karakteristikë e të gjitha poezive kushtuar Adem Jasharit është përpjekja për të  identifikuar Heroin me Familjen dhe sidomos me Drenicën, e për më tej me historinë e saj. Poetët Flori Bruqi, Mevlyde Mezini Saraçi, Ismet M. Hasani, Zymber Elshani, Riza Sheqiri etj., në poezitë e tyre shpalosin historinë e popullit shqiptar, ashtu si historitë e popujve të tjerë të Ballkanit, sa tragjike dhe krenare njëkohësisht, më shumë se sa dramën e brendshme shpirtërore e emocionale, në situata dhe momente prej më të veçantave historike, të Adem Jasharit dhe të Familjes së tij. Shohin përmasën e shumëfishtë të reflektimit të dyanshëm të historisë së Drenicës në krenarinë dhe tragjiken e tyre Familjare. Akti sublim i kësaj drame të madhe nuk është tjetër veç se një përmasë gjigante e kulmit të historisë së vuajtjeve shekullore të kësaj krahine dhe popullit shqiptar, flijim të cilën Adem Jashari e konsideronte si kusht të domosdoshëm për të filluar një lëvizje të re.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Edhe pse po binte shi i imët vjeshtor, Ruzhdi Jashari me ekipin e tij ka …