Fshati Krajkovë i Drenicës, luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i ka dhënë 6 dëshmorë e nëntë martirë. Në luftë për çlirimin e vendit nga ky fshat morën pjesë dhjetëra luftëtarë të lirisë, të cilët luftuan në frontet e luftës rreth malit Kozmaq, në Grykën e Llapushnikut, në Rezallë, e në pika të tjera të frontit të luftës.
Pavarësisht se ishte i përndjekur nga regjimi dhe i trajtuar si strehues i kundërshtarëve të regjimit jugosllav, Amrush Hoxha nga fshati Krajkovë arriti të ngritë familjen e tij. Në bashkëshortësi me Shefkije Berishën, ata lindën dhe rritën tetë fëmijë, gjashtë bijë e dy bija. Mehdiu ishte i gjashti me radhë nga vëllezërit e motrat. Ai lindi më 5 nëntor të vitit 1964. Mësimet e para i mori në shkollën e fshatit, në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme, drejtimin teknik, e mbaroi me sukses në Drenas, ish – Gllogoc. Pasi kryen shkollën e mesme, Mehdi Hoxha regjistrohet në Fakultetin Metalurgjik në Mitrovicë dhe kryen me sukses dy vitet e para. Për të ndihmuar në ngritjen e familjes, zë punë në shkritoren “Feronikel”, ku asokohe punonin mijëra punëtorë, sidomos nga Drenica. Aty kryente punën e operatorit të furrave rrotulluese. Ishte i dalluar në punë dhe shquhej për korrektësi, disiplinë dhe seriozitet.
Dalja publike e UÇK-së, me rastin e varrimit të mësuesit dëshmor Halit Geci, më 28 nëntor të vitit 1997, bëri që krejt djalëria e Drenicës të orientohet në drejtim të radhëve të UÇK-së. Maskarat në Qirez e Likoshan, më 28 shkurt të vitit 1998, qëndresa titanike e Legjendarit Adem Jashari dhe e Jasharëve të tjerë në Prekaz më 5, 6 dhe 7 mars 1998, kulmuan me marrjen hov të rreshtimit të të rinjve, madje edhe të burrave të moshuar, në radhët e UÇK-së.
Zgjerimi i radhëve në Drenicë ishte i papërballueshëm, sepse kishte mijëra vullnetarë, të cilët kishin lënë punën dhe çdo aktivitet tjetër dhe i vetmi angazhim që kërkonin ishte depërtimi në Shqipëri për t’u armatosur dhe për t’u kthyer sa më parë në frontet e luftës çlirimtare.
Kontaktet e para me luftëtarët e lirisë, Mehdi Hoxha i merr në fshatin Makërmal të Drenicës. Meqë nuk kishte arritur të siguronte armë kthehet i dëshpëruar dhe pa humbur kohë shkon në fshatin Abri, ku ndodhej pika e luftës së UÇK-së. Aty edhe inkuadrohet në radhët e UÇK-së, së bashku me Sokol Elshanin, Gani Elshanin, Maliq Elshanin, Alush Elshanin e të tjerë. Në prill të vitit 1998, Mehdi Hoxha me bashkëluftëtarët angazhohet për formimin e pikës komunikuese në malet e Kozmaqit. Pika luftarake caktohet më 14 prill, në kuotën e quajtur “979”, Kozmaq. Ndërkohë, kësaj pike i bashkohen edhe luftëtarë të tjerë të fshatrave përreth, si Damanek, Baicë, Tërdec etj. Pikërisht nga ky grup luftëtarësh, pasi zgjerohen radhët, formohet pika e njohur ushtarake e quajtur “Guri 3”. Komandues i Pikës ishte Sokol Elshani, ndërsa luftëtarët e parë të saj ishin: Gani Elshani, Alush Elshani, Mehdi Thaçi, Mehdi Hoxha, Ismet Thaçi, Agron Thaçi, Xhevat Thaçi, Maliq Elshani dhe Ejup Hoxha.
Në një kohë të shpejtë numri i luftëtarëve arrin mbi 150, kur edhe formohet kompania.
Luftëtarët e pikës “Guri 3”, aksionin e parë të armatosur e kryejnë më 8 maj të vitit 1998, duke sulmuar një njësit policor serb në Grykën e Llapushnikut. Në atë aksion merr pjesë edhe Mehdi Hoxha. Nga kundërpërgjigja e forcave serbe plagoset luftëtari Mehdi Thaçi, të cilit Mehdi Hoxha atë ditë arrin t’ia japë ndihmën e parë, ndërsa luftëtarin e plagosur e dërgon në Spitalin ushtarake të Likocit, Ramadan Elshani.
Të nesërmen më 9 maj, forcat policore serbe ndërmarrin sulm të përqendruar në Grykën e Llapushnikut. Ata sulmojnë me dhjetëra autoblinda, pizgauerë, kamionë dhe mjete të tjera të motorizuara. Luftimet nuk pushojnë prej mëngjesit e deri rreth orën 15. Armiku pëson humbje në teknikë ushtarake, ndërsa bie dëshmor në krye të detyrës, Besim Daut Halilaj, nga fshati Grykas (ish-Tërdec). Prej asaj dite e deri më 26 korrik, Gryka e Llapushnikut bëhet njëra ndër fortesat më të shquara dhe të pamposhtura të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Më 29 maj forcat serbe sërish bëjnë përpjekje për të shpërthyer Grykën, por hasin në rezistencë të fortë të luftëtarëve të lirisë. Forcat armike sulmojnë me arsenal të shtuar të armatimit, duke kontrolluar terrenin edhe me helikopterë, por nuk arrijnë të depërtojnë. Në mesin e luftëtarëve që mbrojnë Grykën, atë ditë ishte edhe Mehdi Hoxha. Nga bombardimi i pandërprerë i forcave armike vritet kuzhinieri i pikës së Llapushnikut, Sami Bogiqi.
Mehdiu qëndronte në istikamet e Grykës, së bashku me shumë luftëtarë nga njësitet e Drenicës, por edhe të Anadrinit. Kishte atje luftëtarë nga Drenica, nga fshatrat e Malishevës, madje edhe nga fshatrat e rrethit të Therandës, të Shtimes e të Kaçanikut. Gryka e Llapushnikut po bëhej Termopile e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Për ta thyer rezistencën në Grykën e Llapushnikut, forcat ushtarake dhe policore serbe, më 25 dhe 26 korrik të vitit 1998, dislokuan një armatë të tërë. Sulmi në mëngjesin e 25 korrikut kishte filluar nga predhat e pandërprera të topave të kalibrave të mëdhenj, që goditnin nga “Çukat”, nga Komarani dhe nga pozicione të tjera. Drejt Grykës villnin predha dhe barot më shumë se 120 tanke kalibrash të ndryshëm. Bota po kuptonte dhe po bindej se kishte filluar një luftë e vërtetë, e jo sikur deklaronte regjimi i Beogradit se po luftonte kundër një grupi “terroristësh”. Por, për të eliminuar grupe të tilla, nuk nevojiteshin 120 tanke dhe tërë arsenali i armatimit më modern të kohës.
Luftëtarët e Grykës: Imer Alushani, Ali Zogaj, Mehdi Hoxha, Xhevat Thaçi, Mehedin Morina, Sokol Krasniqi, Shefket Muhadini, Isak Musliu e shumë trima të tjerë, me gjokset e tyre ruajtën istikamet, aq sa mund të ruheshin ato nga breshëria e pandërprerë e qindra tytave të tankeve e topave të kalibrit 220 mm. Në anën jugore të Grykës ishte pozicionuar Mehdi Hoxha së bashku me Bekim Morinën, Xhevat Thaçin, Fehmi Podrimçaku. Ata depërtojnë afër tankut armik dhe e paaftësojnë atë duke e goditur me një predhë antitank.
Më 26 korrik në orët e pasditës, fortifikata e UÇK-së në Grykë të Llapushnikut sulmohet nga të gjitha anët me breshëri të pandalshme të armatimit të forcave armike. Atë ditë bien në altarin e lirisë luftëtari i pikës, Imer Alushani, luftëtari sypatrembur, Ali Zogaj, ndërsa marrin plagë të rënda dhjetëra luftëtarë të lirisë. Po atë ditë, Mehdi Hoxha, së bashku me Bekim Morinën dhe Xhevat Thaçin, u shkojnë në ndihmë njësiteve që operonin në anën jugore të Llapushnikut. Në mesin e të plagosurve ishin edhe dy bashkëluftëtarët e Mehdiut: Hysen Bujupaj dhe Bashkim Thaçi, nga pika “Guri 3”.
Hapërimin e tij luftarak, Mehdi Hoxha nuk e ndali në asnjë çast. Në gusht të vitit 1998 ai me disa bashkëluftëtarë të pikës së tij, merr pjesë në mbrojtje të Rezallës, ku qenë zhvilluar luftime të ashpra dhe fyt për fyt kundër forcave serbe.
Me bashkëluftëtarët e tij të ngushtë, kushëririn Vehbi Hoxha dhe luftëtarin Meriton Elshani, merr pjesë aktive në ofensivën e 25 shtatorit të vitit 1998, kur forcat serbe kishin arritur të depërtonin në pikat e luftës rreth maleve të Kozmaqit e deri në fshatin Abri. Atë ditë, në mbrojtje të pikave të UÇK-së dhe të popullatës civile, e cila tërhiqej në drejtim të grykave të maleve të pashkelura nga këmba armike, afër vendit të quajtur “Vrella e Gjarpijve” bien dëshmorë: Meriton Sadri Elshani nga Krajkova dhe Vehbi Hoxha po ashtu nga fshati Krajkovë. Po atë ditë, forcat serbe vrasin bashkëfshatarët e Mehdiut: Fejzë Brahaj, Faik Brahaj, Fahredin Brahaj, Afrim Brahaj dhe Sabit Buzaku.
Me rastin e strukturimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në tetor e nëntor të vitit 1998, Mehdi Hoxha inkuadrohet në kundër të njësitit luftarak “Shkaka” të Brigadës 114, “Fehmi Lladrovci”, të Zonës Operative të Drenicës. Duke qenë se ishte dalluar në luftime, eprorët e avancojnë në detyrë të komandantit të Togës.
Pas fillimit të bombardimit të forcave ajrore të NATO-s, më 24 mars të vitit 1999, serbët marrin ofensivë në shkallë të përgjithshme kundër të gjitha fronteve të luftës së UÇK-së. Mehdi Hoxha asokohe ndodhej në istikamet përreth maleve të Kozmaqit. Më 12 prill forcat ushtarake policore dhe paramilitare serbe arrijnë deri në fshatrat Krajkovë dhe Baicë të Elshanit. Mehdi Hoxha me disa luftëtarë të njësitit intervenues “Tigrat e zinj”, vazhdon të luftojë në Vasilevë, përballë forcave serbe që vinin nga drejtimi i Sllatinës, dhe të cilat ishin futur në mesin e turmave të popullatës shqiptare që po dëbohej nga Kosova. Asokohe ishte së bashku me komandosin e njohur të Drenicës, Bejtë Rexhepi, i cili kishte kryer disa aksione të suksesshme diversante kundër vrasëtarëve serbë deri në fshatin Sllatinë të Fushë Kosovës. Më 14 prill, Mehdi Hoxha, së bashku me Bejtë Rexhepin, Agron Berishën, Naim Tikun e të tjerë, depërton në malet e Dritanit (ish-Dobrashec), ku po ashtu, forcat serbe kamufloheshin në radhët e popullatës civile shqiptare, e cila po dëbohej dhunshëm nga trojet e veta. Po atë ditë, më 14 prill 1999, në vendin e quajtur “Bregu i Sukës”, derisa pa kalonin hipur në rimorkio të një traktori, bien në pritë të forcave serbe: Mehdi Hoxha, Bejtë Rexhepi, Agron Berisha, Naim Tiku, Hajzer Rexhepi dhe Fazli Çerkini.
Duke përkujtuar jetën dhe heroizmin luftarak të dëshmorit të kombit Mehdi Hoxha, eprori i tij, kapiten Ajet Elshani thotë: Mehdiu ishte një djalosh shtatgjatë por i hajthëm. Ka qenë tejet i disiplinuar dhe ka treguar aftësi në të gjitha operacionet luftarake. Kishte një prirje të veçantë në përdorimin e të gjitha armëve, ndërsa më së shumti e pëlqente “karabinën” 7.9 milimetra. Ishte i afërt me shokët, i respektonte ata dhe respektohej nga të gjithë. Për shpirtin luftarak dhe të paepur të Mehdiut flasin edhe vëllezërit: Shabani, Nazmiu si dhe bashkëluftëtari i dëshmorit, Ramadan Elshani.
Mehdiu ka lënë prindërit, Amrushin dhe Shefkijen, vëllezërit, Muharremin, Shabanin, Nazmiun, Samiun dhe Fazliun, si dhe motrat, Sofijen dhe Shukrijen. Ai ka lënë bashkëshorten, Sadeten, nga fshati Beçiq, me të cilën qenë martuar në vitin 1998. Pesë muaj pas rënies së tij, ajo i lindi djalin, të cilin e pagëzojnë me emrin e babait. Mehdiu i Riu, lindi po atë ditë, kur trupi i dëshmorit Mehdi Hoxhës rivarroset në Varrezat e Dëshmorëve në fshatin Krajkovë, ku pushojnë në përjetësi eshtrat e gjashtë dëshmorëve: Mehdi Hoxha, Sokol Elshani, Gani Elshani, Luljetë Shala, Vehbi Hoxha dhe Meriton Elshani. Në mesin e të zhdukurve që në fillim të luftës, në pranverë të vitit 1998, ndodhet edhe mjeku dhe veprimtari i mirënjohur i kësaj ane, Hafir Shala.
Mirënjohje familjes Hoxha të Krajkovës i ka dhënë Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve etj. Një fragment dokumentar për Mehdi Hoxhën ruhet edhe në një incizim të Euro-News-it të transmetuar më 10 qershor të vitit 1998. (A. Q.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …