Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e radhës ka marrë vendim që do të rinumërojë 494 vendvotime. KQZ-ja i ka ndarë në katër kategori vendvotimet të cilat do të rinumërohen, për arsye të mospërputhjeve të formularëve të rezultateve. Sipas KQZ-së arsyet e rinumërimit kanë të bëjnë me: bartje të gabuar të votave në formularin e subjekteve politike (35 vendvotime); bartje të gabuar të votave në formularin e kandidatëve (6 vendvotime); kandidati apo kandidatët kanë më shumë vota se subjekti politik (370 vendvotime); dhe subjekti ka vota ndërsa kandidatët jo dhe anasjelltas (83 vendvotime). Kryeshef Ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së Burim Ahmetaj ka thënë se në 370 vendvotime një kandidat ka më shumë vota se subjekti, duke rekomanduar që këto vendvotime që të shkojnë në rinumërim.
