Me datë 23.02.2021, bëhen 8 vite që kur u nda nga jeta veprimtari i çështjes kombëtare dhe veterani i UÇK-së Brahim (Rexhë) Berisha, nga fshati Rosujë. Brahimi lindi më 8 dhjetor të vitit 1951, në fshatin Janosh, komuna Gjakovë. Për arsye të veprimtarisë patriotike, xhaxhai Fazliu së bashku me grupin e Demë Ali Pozharit, nga sistemi i atëhershëm, dënohet me 8 vite burg, të cilat i vuan në burgun famëkeq të Goliotokut. Në fillim të viteve të 60-ta, familja Berisha detyrohet të shpërngulet në fshatin Rosujë, komuna e Pejës.
Brahimi, si fëmijë, dhe familja e tij, në fshatin Rosujë të Pejës, i përjetojnë të gjitha përsekutimet e sistemit të atëhershëm barbarë, përsekutimi i kësaj familjeje shkoi deri na atë masë sa edhe u përjashtuan nga e drejta e votës. Vitet e 90-ta Brahimin e gjejnë si kryefamiljar dhe aktivist të çështjes kombëtare. Së bashku me vëllezërit dhe djemtë u organizuan edhe në rezistencën e armatosur kundër okupatorit serbo-sllav.
Shtëpia e Brahim Berishës, së bashku më tërë familjen e tij, gjatë viteve 1997-1999 u bë çerdhe e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shtëpia e Brahim Berishës ishte urë-lidhëse në mes të Lugut të Baranit, Lugut të Leshanit dhe Lugut të Trestenikut. Nëpër shtëpinë e tij kaluan pothuajse të gjithë ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare, të cilët udhëtonin për Shqipëri për furnizim me armë, si dhe të gjithë ushtarët e plagosur, për të cilët Brahimi dhe familja e tij u përkujdesen, si për sigurimin e medikamenteve, ashtu edhe për ushqimin e tyre. Me datë 23.02.2013, vdekja e pamëshirshme e rrëmbeu Brahimin në moshën 62 vjeçare, duke na lënë në kujtimet tona një veprimtari patriotike, të cilën do ta kujtojmë përjetë me krenari.