Dëshmi të gjenocidit dhe krimeve serbe mbi shqiptarët në Kosovë gjatë luftës 1998-1999, të cilat edhe pse të njohura, të dokumentuar dhe të argumentuara në dritë të diellit si për Institucionet e Kosovës ashtu edhe për gjithë opinionin Ndërkombëtarë, (nga dëshmitarët okularë që ende janë gjallë), deri sot nuk u gjykua as nuk u dënua nga askush?
Është vështirë e kuptueshme dhe pothuajse paradoksale se si nga institucionet përgjegjëse të Republikës së Kosovës, po edhe ato Ndërkombëtare, nuk u shkrua së paku një padi për këto krime makabre dhe gjenocidin shfarosës mbi shqiptarët, krim gjenocid, etnocid dhe holokaust që e pa gjithë bota (për çka edhe NATO intervenoj ushtarakisht në aspektin human për ta shpëtuar një popull nga shfarosja.
Ku është Drejtësia e Kosovës dhe ajo Ndërkombëtare?
Ku janë institucionet e Kosovës në këtë plan, ku, (cila) është përgjegjësia e tyre (nëse e ndjejnë), kur si shoqëri kemi në duar qindra mijëra dëshmi, fotografi, (në Serbi dëshmitarë të gjallë të krimeve monstruoze, kriminelë, të cilët mbase s’do të mund të vdesin pa i treguar, deklaruar e pranuar publikisht krimet që kanë bërë mbi popullatën civile, si rasti në fjalë, (në Kosovë, të mbijetuar dhe dëshmitarë të dhjetëra e qindra masakrave dhe krimeve mbi ta), dhe askush nga organet kompetente nuk ndërmerr asgjë?
Apo, po prisni edhe një apo dy dekada që dëshmitarët e të dyja palëve (kriminelë dhe viktima) të vdesin, e të thoni pastaj, nuk kemi dëshmitarë?
Populli shqiptarë është masakruar nga të gjitha Serbitë (e para, e dyta e treta), po kujtoj këtu vetëm masakrën e Prapashticës (11.01.1921) këtu e një shekull më parë, ku brenda një nate nga ushtria dhe policia serbe u masakruan 1520 civil shqiptar, dhe në rrethana të asaj kohe, përkundër përpjekjeve … nuk u arrit që kjo masakër të dëshmohet në Institucionet Ndërkombëtare…(Serbia kishte marr masat, dhe e vrau dëshmitarin që kishte shitur pronën private, Sarajet e Tij, për ta organizuar një Konferencë Ndërkombëtare).
Po sot, kur kemi aq shumë njerëz të shkolluar, Juristë, Gjyqtarë e Prokurorë, a mund të bëhet kjo?
Përgjegjësia Juaj, që i përfaqësoni institucionet përgjegjëse është kolektive dhe shtetërore, por, duhet të jetë edhe individuale dhe morale.
Po Ju, Prokurorë dhe Gjyqtarë të Kosovës, për kur po e leni?
– Nuk e di si mund ta keni bërë gjumin gjatë këtyre 22 viteve pas luftës, kur si çdo qytetarë/e, e Kosovës keni parë familjarët e të kidnapuarve (sepse ata nuk janë të zhdukur, ashtu si i quani ju, por dihet mirë kush i mori me dhunë, i kidnapoj, i torturoj, i dhunoj, i vrau, i masakroj, i preu, i dogji, i hodhi lumenjve të Serbisë, i dogji furrave, madje, shtroj rrugë me hirin e tyre, dhe i varrosi nëpër varreza masive për ti humbur gjurmët e krimit), se si janë sfilitur, traumatizuar e stërmunduar në përpjekjet e tyre individuale dhe grupore për ti identifikuar dhe kthyer eshtrat e të dashurve të tyre në Kosovë?
Ata jetojnë prej 22 vitesh në ankth, ndërsa trishtimin e kanë të përjetshëm, po Ju?
Këta kriminelë serb, si në rastin konkret në Serbi, (Jovan Golluboviq, kriminelë pjesëmarrës në masakrën e Prekazit), i cili dëshmoi për ekspeditat shfarosëse ndaj shqiptarëve, me urdhër nga krerët e Serbisë, janë zëra të rrallë në një shoqëri që kolektivisht e mohojnë krimin, dhe të paktë në mbi gënjeshtrën (që e kanë si vlerë), e medieve serbe të mbikëqyrura dhe të dirigjuara politikisht që dëshmojnë krimet e organizuara shtetërore të Serbisë, mbi popullatën shqiptare civile e të pambrojtur të Kosovës. Ndërkohë që institucionet shtetërore serbe gjoja kanë “dënuar”, dy, tre kriminelë sa për t’iu hedhur sy ndërkombëtarëve se i kemi dënuar kriminelët.
Rastet si ky dëshmitarë i gjallë serb, janë raste të mëdha që nuk duhet kaluar në heshtje.
Përkundrazi!
Janë raste mbi të cilat duhet mëshuar fort çekanit të Drejtësisë Kombëtare dhe Ndërkombëtare.
Dihet, nuk jemi (jeni) përgjegjës vetëm për veprimet që bëjmë (bëni), dhe e kundërta.
Nëse Ju fleni, më të qetë do flenë krimet dhe kriminelët?
Kriminelët herdokurë duhet dënuar!
Krimi as nuk vjetrohet as harrohet, ai duhet ndëshkuar, por nga kush dhe kur?
Kërkohet guxim, kurajë dhe bashkëpunim me faktorin Ndërkombëtar, sa janë gjallë dëshmitarët.
Faktet i keni në duar.
Bëjeni pra, sot?