leoni

Adil Fetahu

Adil Fetahu: E vërteta dhe realiteti në Serbi: “NO PASARAN” I

Një deklaratë e kryetarit të ASShA, Vlladimir Kostiq, e dhënë para 6 vjetëve, këto ditë ka shkaktuar stuhi në opinionin serb –

Një deklaratë e kryetarit të Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve, e dhënë Radio-Beogradit në vitin 2015, dhe e përsëritur në vigjilje të Krishtlindjeve ortodokse në janar të këtij viti, që prej fillimit është duke shkaktuar “stuhi” brenda dhe jashtë asaj Akademie, ne opinionin publik, në qarqet kishtare dhe në media. Po çka ishte ajo që shkaktoi këtë stuhi?

Vlladimir Kostiq ishte zgjedhur në postin e kryetarit të Akademisë Serbe së Shkencave dhe Arteve në vitin 2015. Radio-Beogradi e kishte ftuar kryetarin e ri për një intervistë për punën e Akademisë, por edhe për çështje tjera aktuale në vend. Çështja e Kosovës është e pashmangëshme në çdo bisedë në Serbi, qoftë se zhvillohet në rrugë, në kafene, në parti, në parlament, në kishë apo në Aademi. Dhe Kostiqi duke u përgjigjur në pyetjën e gazetares,  në lidhje me Kosovën atëbotë kishte deklaruar:  “Kosova as de fakto as de jure nuk është në përbërje të Serbisë dhe këtë të vërtetë dikush duhet t’ia thotë popullit. Askush, madje as kisha nuk ka tapi mbi të vërtetën kur është fjala për Kosovë-Metohinë. E vetmja zgjidhje politike e mençur është se si në mënyrë dinjitoze ta lëmë Kosovën, pasi ajo as de fakto as de jure nuk është më në dorë të Serbisë”. Edhe atëherë kjo deklaratë e kryetarit të Akademisë shkaktori shumë zhurmë mediale në Serbi.

Me rastin e festave të sivjeme ortodokse te Krishtlindjes, njëfar vlladika Grigorije, i Kishës Ortodokse Serbe në Gjermani, në një intervistë për një televizion, kryetarin e Akademisë, Kostiq, e ka quajtur trathtar, për atë që ka thënë lidhur me Kosovën.

I ftuar më pas nga e njëjta shtëpi televizive (më 11 janar 2021), Kostiqi pa e ditur deklaratën e vlladikës Grigorije, gjoja se e paska  përsëritur qëndrimin e tij lidhur me Kosovën, sikur e kishte thënë në vitin 2015. Pas kësaj përsëritje të mendimit lidhur me Kosovën, kundër Kostiqit nisi një fushatë e linçimit publik, përms deklaratave të kolegëve të tij nga Akademia, përmes mjeteve të informimit, me peticionin e 93 intelektualëve dhe me protestën publike të mbajtur para Akademisë, të gjitha këto me kërkesë që Kostiqi të jep dorëheqje, ose të shkarkohet nga pozita e kryetarit të Akademisë.

Kështu, më 15 janar 2021,  iu dërgua Akademisë një peticion i nënshkruar prej 93 intelektualëve të institucioneve të ndryshme: akademikë, profesorë universiteti, shkencëtarë, shkrimtarë, filozofë, publicistë, avokatë, kishtarë, ushtarakë, gazetarë, redaktorë, regjisorë etj.  Në tekstin e peticionit thuhet: “Duke pasur parasysh rëndësinë e ASShA, në krye të së cilës gjendet Vlladimir Kostiqi dhe njëkohësisht duke parë dëmin që po shkakton me paraqitjet e tij publike, konsiderojmë se menjëherë duhet të jep dorëheqje.

Në vend se institucioni më i rëndësisëm shkencor dhe kulturor serb të përgatitet për shënimin e jubileut të madh dhe të rëndësishëm të 180 – vjetorit të themelimit të Shoqërisë së letërsisë serbe, gjatë së cilës janë arritur krijime të mahnitëshme, të cilat duhet të jenë udhërrëfyes për veprim në të ardhmën, vëmendja e opinionit është këthyer në komente të pahijshme dhe të papërgjegjëshme të kryetarit të Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve në lidhje me Kosovë-Meothinë.

Duke paraqitur qëndrimet personale mbi këtë çështje, por duke u paraqitur në cilësi të kryetarit të ASShA, me çka e ka keqpërdorur funksionin, prof.dr.Vlladimir Kostiqi disa herë deri më tani, në mënyrë të drejtëpërdrejtë ose të tërthortë, ka propozuar që të njihjet vendimi i padrejtë i përfaqësuesve politik  të shqiptarëve të Kosovë-Metohisë i vitit 2008 dhe kështu të pranohet shpallja e njëanshme e pavarësisë së krahinës jugore serbe. Angazhimi i tillë jo vetëm se është i padrejtë dhe i çveshur nga logjika juridike, historike, ekonomike, politike, të sigurisë dhe të çfarëdo shkence tjetër, veçse është thellësisht jomoral. Në atë mënyrë, bashkëqytetarëve tanë, por edhe të gjithë banorëve të Kosovë-Metohisë të cilët janë lojalë ndaj Republikës së Serbisë, iu dërgohet porosi e pamëdyshje se ata i janë lënë vetvetes, me të gjitha pasojat që  sjell kjo.

Duke shpjeguar qëndrimin e vet me parolla politikaneske, duke iu shmangur një mori faktesh të verifikueshme, kryetari i ASShA ka tentuar të relativizojë argumentet e një numri të madh të hulumtuesve të cilët punimt e tyre ia kanë kushtuar problemit të Kosovë-Metohisë dhe zgjidhjes së cilës Serbia tenton dhe mund ta bëjë. Duke pasur parasysh rëndësinë që ka ASShA, në krye të së cilës është prof.dr.Vlladimir Kostiqi, si për shencën dhe kulturën serbe, ashtu edhe për zhvillimin e shtetit dhe të shoqërisë në tërësi, dhe njëkohësisht duke parë tërë dëmin e paraqitjeve të tij publike, konsiderojmë si hap të pashmangëshëm dhe më të padhembshëm që kryetari të jep dorëheqje. Në këtë mënyrë do të ruhej autoriteti, dinjiteti dhe legjitimiteti i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve.

Poqese kjo nuk ndodhë, jemi të brengosur se viktima më e madhe e përpjekjeve të përzierjës politike të një njeriu mund të jet institucioni i themeluar me Dekretin e knjaz Mihaillo Obrenoviqit në vitin e largët 1841”, – tuhet në Peticionin e 93 intelektualëve, dhe në fund janë radhitur emrat e tyre, me në krye akademikun Predrag Piper, i cili me masën e rrugës do ta shkarkojë kolegun e tij nga detyra e kryetarit të Akademisë.

Më 16 janar 2021, para Akademisë  u zhvillua një protestë me kërkesë që kryetari Kostiq të jep dorëheqje, ose të shkarkohet menjëherë. Thonë se kjo ishte protesta e parë në historinë 150-vjeçare të asaj Akademie, kundër udhëheqjes së saj! Kishte në të gjithëfarë parullash për Kosovën, dhe valviteshin flamujt e Serbisë e të Rusisë.

Disa kolegë të Kostiqit (Matija Beckoviq, Predrag Piper, Millovan Danojlloviq etj), të cilët kanë ambicje për ta marrë timonin e Akademisë, nisën fushatën  nëpër degët  brenda institucionit të tyre, me letra e propozime që kryetari  ta tërheq deklaratën e tij të përsëritur disa herë në lidhje me Kosovën, ose të deklarohet Akademia si tërësi lidhje me te.

Në letrën e tij, të nivelit të ulët, akademiku Danillo Millojkoviq, nga Dega e Gjuhës dhe Letërsisë, të cilën ua dërgon kolegëve të degëve tjera në Akademi, thekson se “deklarata e Kostiqit  nuk është çështje e qëndrimit të tij ndaj “shtetit të Kosovës”, por e qëndrimit nga okupimit të Kosovës, e okupator është Amerika. Të gjitha të tjerat janë të parëndësishme. Mos të mendojë kush se neve na mundën Thaçi ose Haradinaj? Dihet  se kush e ka okupuar Kosovën, dihet nën patronatin e kujt gjendet ai shtet i rrejshëm.  E pasi nuk mund të luftosh kundër Amerikës, atëherë hesht, ose bashkëpuno me okupatorin.  Qëndrimi ynë si komb, është i njohur prej shekujsh. Këtë e ka të qartë secili prej nesh. Kosova mund të jete e okupuar 30 ose 400 vjet, por ne e dijmë ku është ajo dhe ç’do të thotë ajo për ne. Kosova është pjesë e pandashme e vetëdijes sonë. Ky është realiteti ynë historik. Ndërsa ai realieti okupues zgjatë prej sot – nesër, dhe kalon. Asgjë nuk është e përhershme”!

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Nga 500 uniformat që kanë arritur në Shtab, vetëm 50 janë ndarë për ushtarët e Batalionit Ruzhdi Salihu (E mërkurë 18 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Nga 500 uniformat që kanë arritur në Shtab, vetëm 50 janë ndarë për ushtarët e Batalionit Ruzhdi Salihu (E mërkurë 18 nëntor, 1998)

Sot qysh në mëngjes kam filluar ta hartoj një rrëfim jetëshkrues për Jetë Hasanin. E …