Gjinia femërore kudo në botë është trajtuar dhe trajtohet si gjini inferiore në krahasim me mashkullin, edhe pse ajo është gjinia që lind dhe rritë fëmijë, gjinia e cila shfrytëzohet nga mashkulli jo vetëm për punë të detyrueshme të shtëpisë, me herët te shqiptarët është shfrytëzuar edhe për punë të fushës dhe të gjitha punëve në shtëpi, por ajo është edhe gjinia e bukur, të cilën e kanë shfrytëzuar dhe e shfrytëzon sot në format më të egra shoqëria kapitaliste.
Gruaja gjatë shekujve të historisë në të gjitha kulturat, në të gjitha perandoritë deri te perandoria e sotme globaliste-kapitaliste, është shfrytëzuar e shfrytëzohet në mënyrat më të egra, madje edhe më të ulëta e më bizare. Të gjitha fetë, ato pagane dhe tri fetë monoteiste e kanë shfrytëzuar, keqtrajtuar e diskriminuar femrën, si gjini më të dobët, madje duke e fajësuar edhe për dëbimin e njeriut të parë nga parajsa, për shkak se ajo kishte ngrënë “mollën e ndaluar” madje e kishte cytur që gabimin e njëjtë ta bënte edhe burri i saj.
Një përrallë biblike, e cila mbisundoi dhe mbisundon në mentalitetin e fetar të njerëzve, kudo në botë.
Për periudhën e quajtur të “matriarkatit” kur thuhet se ka sunduar femra, pak dimë sepse ajo nuk është e njëjtë në të gjitha kulturat dhe fetë e popujve e të kombeve dhe i përket periudhës së hershme të paganizmit.
Pabarazia është fenomen i pranishëm kudo në botë dhe ajo nuk atakon vetëm femrën, por është pikërisht femra, ajo e cila vuan vetë natyrën e pabarazisë gjinore e shoqërore. Si gjini më e dobët fizikisht nga gjinia mashkullore, ajo që në hapat e parë të jetës kupton se është më e dobët dhe vetvetiu i nënshtrohet natyrës, bashkë me edukatën fetare apo shoqërore që merr në familje, më vonë në shkollë dhe në shoqëri.
Duke e kuptuar veten më të dobët në raport me mashkullin, femra që në fëmijëri, në mënyrë gati instinktive pranon pozitën e saj inferiore dhe gradualisht krijon bindjen se natyra e ka krijuar ndryshe nga mashkulli, me disa kufizime por edhe me shumë përparësi. Femra kudo në botë keqtrajtohet e shfrytëzohet nga mashkulli, në radhë të parë sepse është krijuar bindja se Zoti, apo vetë natyra njerëzore e ka krijuar të tillë dhe nuk ndryshohet dot pozita e saj si gjallesë, si krijesë.
Duke u nisur nga kjo pozitë, duke u edukuar me kuptimin se është gjini e dobët dhe për këtë nuk ka pse ankohet, femra qyshkur bën hapat e parë në jetë ndeshet më shumë me egërsinë, dhunën e barbarinë njerëzore sesa mashkulli. Një ndikim fatal në robërinë e saj e kanë ushtruar dhe e ushtrojnë edhe tri fetë monoteiste dhe ligjet e caktuara dokesore të popujve e kombeve. Në traditën shqiptare, në Kanunin e Lekë Dukagjinit, femra denigrohet deri në mohimin kategorik të të gjitha të drejtave. “Ajo është shakull për të bajtur, për të shërbyer, për të lindur e rritur fëmijë, për të qenë skllave e burrit, e përjashtuar edhe nga e drejta e jetës, sepse femra nuk bjen në gjak, as mund të vritet për gjak”. (Kanuni).
Mjerisht ky Kanun, pavarësisht se është shkruar e kodifikuar vonë, ka qenë i pranishëm në jetën shqiptare që nga lashtësia dhe kjo vërtetohet qoftë me të dhëna dokesore të përcjella brez pas brezi, qoftë edhe me fakte e të dhëna historike.
Rastet kur femra ka ngritur kokë për barazi shoqërore janë të pakta, sepse duke qenë e lidhur ngushtë me burrin, duke qenë e “krijuar” për ta bartur mbi supe riprodhimin e jetës, duke mbajtur në bark nëntë muaj qenien, ajo i nënshtrohet vuajtjeve të natyrës së saj, si qenie, nga të cilat nuk mund të lirohet, përveç në rastet kur me vetëdije privohet nga ajo barrë. Ëndrra” më e shenjët e çdo femre në botë është lindja e një apo më shumë fëmijëve, pse jo edhe si fenomen gjenetik, “sui generis”.
Duke qenë e tillë femra i nënshtrohet rreziqeve fizike shumë më tepër se mashkulli, sidomos gjatë procesit të shtatzënësisë kur kufizohet dhe privohet nga shumë punë. Pastaj me nxjerrjen në këtë botë të frytit të saj ajo gjenetikisht është e lidhur me fëmijën, sepse me të drejtë e trajton si pjesë të qenies, edhe pse është e vetëdijshme se pa mashkullin, burrin e saj nuk do të sillte në jetë fëmijën. Pavarësisht nga kjo, ajo përballet me rritjen e fëmijëve sidomos në dy tri vitet e para dhe tërë jetën mbetet robëreshë vullnetare e fëmijëve, që i ka sjellë në jetë.
Mashkulli, për nga natyra është më imponues, më virulent, në jo në pak raste edhe më i vrazhdë e më agresiv dhe përgjithësisht femrën e trajton nga pozita e tij e mujsharit, e qenies të cilën natyra e ka krijuar për të qenë sundues i gruas dhe i tërë familjes.
Në raport me femrën ai kërkon shumë më tepër nga ajo, i bindur se ai është Zoti i familjes, sunduesi, i cili i jep vetës të drejtë të sillet nga pozitat me të cilat është edukuar duke u bindur apo vetëbindur se ai është alfa e familjes dhe jo gruaja, ajo e cila e nxjerrë në botë embrionin e familjes duke e shumuar atë.
Nëna shqiptare, deri në kohën tonë ka qenë nëna më e keqtrajtuar nga të gjitha femrat e botës, sepse përveç pabarazisë së njohur në botë, të krejt qenieve femërore, ajo ka bartur edhe pabarazinë shtesë të feve monoteiste e sidomos të traditës dokesore shqiptare. Edhe pse e dashur, e respektuar, e devotshme, e përulur dhe e përkulur, punëtore e pashembullt, ajo ka bartur mbi supe kanunin, kufizimet shtesë si qenie, poshtërimin, duke mos i besuar për asnjë çast, përbuzjen me paragjykim për ruajtjen e moralit duke i dhënë “fishekun në pajë”, duke i dhënë burrit të drejtën ta vrasë me atë plumb, që duhet ta mbante në pajën e saj, kurdo që ai të konsideronte se ajo e ka thyer kurorën, apo ka bërë një vepër të gjykueshme. Kjo ka lënë të kuptohet se femra gjatë tërë jetës të privohet nga gëzimet apo nga joshjet, por kjo nuk vlen për mashkullin. Ai me asnjë nen të kanunit nuk kërkohet që burri të jetë i moralshëm, sepse është ai i cili mund ta lëshojë gruan, mund ta marrë një tjetër, mund t’i marrë edhe disa syresh, ndërsa femra kufizohet në të gjitha këto segmente.
Vetëm femra e botës islame dhe hebraike, në traditën fetare ishte më e diskriminuar, sidomos nëse kapej në flagrancë apo improvizohej si akt i tillë, që trajtohej si thyerje e kurorës. Ajo në rastet e tilla, futej në tokë deri në brez dhe mbytej me gurë nga njerëzit, madje edhe të afërmit e saj në shumë raste edhe nga burri dhe fëmijët e saj. Linçimi i tillë publik i femrës është i njohur tradicionalisht në të drejtën fetare islame dhe hebraike. Bota e sotme islame dhe hebraike ka bërë përparime në këtë drejtim, por në traditën e disa qarqeve ekstremiste ende manifestohet ky ligj i egër dhe në esencë antinjerëzor. Sot ajo është i liruar nga vargonjtë e zi të së kaluarës por vazhdon të jetë objekt i lakmisë, shfrytëzimit, xhelozisë, dhunës, ligësisë dhe perversiteteve të ndryshme.
Femra shqiptar me vonesë i ka thyer vargonjtë e robërisë. Vetëm pas Luftës së Dytë Botërore, sidomos në Shqipëri, pushteti popullor, krahas synimeve për ta përparuar dhe për të ngritur shoqërinë shqiptare, një rol me rëndësi i kishte kushtuar edhe emancipimit të femrës shqiptare, ishte ndaluar me ligj shkuesia, diskriminimi, ishte dënuar kanuni e feja si shkaktare të robërisë shekullore të saj, ishte shpallur e barabartë në të gjitha segmentet me mashkullin, ishte shkolluar dhe emancipuar në të gjitha segmentet e jetës qytetare. Edhe në trojet shqiptare nën pushtimin jugosllav, sado që më ngadalë, femra gradualisht kishte ishte arsimuar dhe emancipuar. Periudha e sundimit komunist në Shqipëri, ka bërë kthesë vendimtare në shumë segmente të jetës shoqërore, veçmas në emancipimin e femrës dhe këputjen përgjithmonë të vargonjve të robërisë shumëshekullore.
Sot femra shqiptare, para ligjit i gëzon të gjitha të drejtat, madje edhe disa përparësi, të cilat në dukje e bëjnë atë të barabartë, gjithsesi shumë më të barabartë sesa në të kaluarën sterrë-zezë, por kjo nuk është e tëra. Femra sot i nënshtrohet qasjes kapitaliste të shfrytëzimit bashkëkohor. Femra sot kudo në botë, ku më shumë e ku më pak, është qenie që shfrytëzohet në të gjitha segmentet e mundshme nga bota e egër kapitaliste perëndimore dhe jo vetëm nga ajo. Femra shfrytëzohet mizorisht për reklamë, duke spikatur pjesët intime të trupit, duke i ekspozuar ato në format më joshëse për publikun. Ajo mbetet vazhdimisht pre e meshkujve mujsharë dhe agresivë e epsh-çmendur, është pjesë e trafiqeve më të shumta në tërë botën, pre e gjinisë mashkullore e cila pavarësisht rendit shoqëror, barazisë së deklaruar, ekzistimit të sa e sa organizatave që mbrojnë të drejtat e saj, vazhdon të mbetet në pozitë inferiore dhe nganjëherë duket se edhe e ka bindur veten se gjenetikisht është krijuar për të qenë e sunduar dhe e pabarabartë.
Janë të shumta femrat në botë, që luftojnë për të drejtat e tyre, por janë po aq të shumta ato, të cilat për t’i manifestuar ambiciet e tyre, për të fituar pozita e favore shoqërore, lëshohen në aventura, të cilat edhe i kontrollojnë mirë për të arritur qëllimet. Kemi rastin kur një femër e bukur, martohet me një mashkull që mund të jetë më i moshuar sa babai i sa apo edhe sa gjyshi i saj. Dihet pse bëhen martesat e tilla. Po ashtu kemi edhe dukurinë tjetër kur një femër e pasur “gjuan” një të ri që mund të ketë moshën e nipit të tij, duke e blerë atë me para, apo duke i lënë trashëgim një pjesë të pasurisë, të paraparë në kontratën e lidhjes së kurorës. Rastet e tilla nuk janë të pakëta, por ende nuk paraqesin një fenomen
Femra sot ka në duar fatin e vet shumë më tepër sesa e ka pasur në të kaluarën, madje në të gjitha kulturat e traditat e popujve të botës. Femra shqiptare sot nuk bën ndonjë përjashtim, në raportet e saj me meshkujt, me përfitimin, tregtinë me trupin e saj, gjithnjë në kuadër të ligjit dhe të të drejtave që ajo i konsumon.
Nëna shqiptare sot është e vetëdijshme për pozitën e vet dhe e ka në dorë fatin e saj të mirë, apo të keq. Krejt kjo varet na ajo vetë sesa është në gjendje ta kuptojë, ta fitojë dhe ta ruajë barazinë dhe të mos i shfrytëzojë për të keq të drejtat që i ka fituar me mund e gjak, poshtërim e dhunim gjatë shekujve.