Gjon Bruçi: Refleksione për shkrimin “Bashkimi Kombëtar i shqiptarëve në BE ose në një Europë post-BE”, botuar në DITA më 25, 26, 27 shkurt 2021-
Shkak për këtë shkrim të profesorit dhe diplomatit tonë të njohur, u bë intervista e kryetarit të VV, Albin Kurti, dhënë gazetarëve të “Euronews”, fill pas fitores së zgjedhjeve politike të 14 shkurtit në Kosovë. Pyetjes, nëse e ka ende në program “bashkimin e Kosovës me Shqipërinë”, Kurti iu përgjigj shkurt me këto fjalë: “Nëse do të organizohet një referendum për këtë çështje, unë do ta votoj pa hezitim”! Një përgjigje normale për çdo shqiptar, pavarësisht nga statusi politik apo shoqëror. Menjëherë pas kësaj, nisën kritikat në Tiranë. Të parët në startin e kritikës ishin dy vipat e PS-së, Sekretari i Përgjithshëm i saj, Taulant Balla, dhe ministri socialist i Diasporës, Pandeli Majko. Por kjo nuk ishte risi, ndaj kritikat e tyre do të sfumoheshin shpejt nga “tamtamet” e fushatës elektorale, e cila për ata prevalon edhe mbi çështjet themelore të kombit. Por angazhimi me një shkrim të gjatë për këtë çështje i profesor Fatos Tarifës, shkrim që u botua në tre numra të radhës tek “DITA”, nuk mund ta kalojë pa u ndjerë, jo vetëm nga profesionistët e fushës, por edhe nga lexuesi i thjeshtë, sepse çështja kombëtare është shumë sensitive dhe u përket të gjithëve. Duke qenë në pozicionin e qytetarit dhe lexuesit të thjeshtë, nuk kam ndërmend dhe as mundësi të analizoj me detaje shkrimin e profesor Tarifës, por do të replikoj në disa pika, që mua më duken të pa sakta, e madje si “stërkëmbësha” për çështjen që diskutohet. Qysh në krye të shkrimit, profesori konkludon se karta e bashkimit kombëtar të shqiptarëve, është një “iluzion dhe një kauzë thuajse e pamundur sot për sot, dhe ndoshta për një kohë të gjatë”! Në këtë deduksion ka një kontradiktë: Nëse bashkimi kombëtar është iluzion, atëherë nuk mund të jetë kauzë. Mirëpo ne qytetarët e dimë se çështja e Bashkimit Kombëtar, ka qenë dhe është një kauzë e përhershme, një aspiratë shekullore e gjithë shqiptarëve. Kjo kauzë është e shënuar edhe në “Preambulën” e Kushtetutës sonë, hartuar nga socialistët dhe miratuar me referendum popullor. Dhe përderisa është sanksionuar aty, askush nuk ka të drejtë ta quajë iluzion.
“Deklaratat e Kurtit, ashtu si deklaratat e mëparshme të Ramës se “Nëse alternativa e bashkimit të dy vendeve në kuadër të BE dështon, atëherë Kosova dhe Shqipëria do të bashkohen sipas mënyrës klasike”, thotë profesori, shkaktuan shqetësim dhe reagim të ashpër në Bruksel dhe veçanërisht në Beograd e në Athinë. Kjo, sigurisht nuk është e papritur. Europa ka gati dy shekuj që shqetësohet e merakoset, që Shqipëria të mos bëhet kurrë një shtet i të gjithë shqiptarëve në trojet e tyre. Aq më shumë shqetësohen, nervozohen e agresohen Beogradi e Athina. Por nervave të tyre nuk kemi pse t’ua kemi merakun. Ne e kemi merakun për punët tona, ende të parealizuara.
Profesor Tarifa, thotë qartazi se, copëtimi i tokave shqiptare, nuk kishte “as një justifikim historik, as një justifikim gjeografik dhe as një justifikim etnik” dhe citon shprehjen e Marcus Tenner, se shqiptarët ndodhen atje (të copëtuar në disa shtete), “si një trashëgimi e përjetshme e negociatave të zhvilluara pas darkave, të diplomatëve nga vende të largët, që u takuan në Londër, shumicës së të cilëve, as që u bëhej vonë për vendimin që morën”! Vetëm për këtë fakt gjenocidist të zyrtarëve europianë të kohës, ne shqiptarët duhet të mësyjmë në portat e Brukselit, ku të kërkojmë me forcë prej kancelarive europiane, jo vetëm të “rrëfehen” si duhet, por edhe të anulojnë atë ndarje të padrejtë dhe fatale për shqiptarët. Dhe jo të merakosemi për nervozizmin e Brukselit, shkaktuar prej deklaratave tona për bashkim. Duke shtjelluar ngjarjet për vendin tonë, midis dy luftrave botërore, profesor Tarifa, përmend edhe emërtimin “Shqipëri e Madhe”, pa e sqaruar për brezin e sotëm të vendit tonë, “prejardhjen” e këtij emërtimi, i cili është “vepër” e fqinjëve ballkanikë. Asnjë shqiptar dhe asnjë institucion i yni, nuk ka pretenduar kurrë “Shqipëri të madhe”, por “Shqipëri në kufijtë e saj natyrorë”. Me termin “Shqipëri e Madhe” luajtën nazifashistët kur na pushtuan, luajtën dhe luajnë shovinisët fqinjë. Dhe kësaj “loje”, për fat të keq, i japim energji edhe vetë ne, me emërtimet dhe citimet e pamenduara. Diku më poshtë, profesori thotë se sjellja e diplomacisë europiane, duke copëtuar trojet tona, “nuk kishte se si të mos provokonte nacionalizmin shqiptar”. Kjo është një e pavërtetë e madhe. Shqiptarët kurrë dhe në asnjë rast nuk kanë qenë nacionalistë, por atdhedashës dhe patriotë të vendit të tyre. Përkundrazi, fqinjët tanë në Ballkan, kanë qenë e janë nacionalistë dhe shovinistë të pandreqshëm.
“Ne, – thotë profesori, – në kohën midis dy luftërave botërore, nuk arritëm të realizonim Bashkimin Kombëtar, sepse na mungonin liderët që do të udhëhiqnin këtë bashkim”. Jo vetëm mungesa e liderëve, por edhe faktorë të tjerë, e penguan këtë bashkim. Të gjithë e dimë se, që nga vdekja e Skënderbeut në vitin 1468 e gjer më sot, në 553 vite hapësirë, vetëm në 89 vjet shqiptarët patën shtet, përfshi këtu edhe 30 vitet e “shtetit pa shtet” të kohës së “demokracisë”. Pse ka ndodhur kjo? Ka ndodhur, sepse shtetet grabitqare e gjenocidiste të Ballkanit, të mbështetur nga Kancelaritë europiane, nuk donin një shtet të fortë shqiptar në buzë të Adriatikut, ku kalonin dhe kalojnë rrugët strategjike Lindje-Perëndim dhe anasjelltas. Kjo sfidë shtetesh të rajonit dhe kontinentit, gërshetuar me mercenarët e tyre brenda nesh, ka qenë arsyeja themelore e mungesës së shetit shqiptar në këtë interval të gjatë kohe dhe për rrjedhojë edhe pamundësia e bashkimit të trojeve të tij etnike. Ajo që më çudit mua qytetarin e thjeshtë, janë edhe disa pasaktësi të trasha të profesorit, pasqyruar në shkrim-studimin e tij, pasaktësi që lidhen me kohën pas Luftës së Dytë Botërore e gjer më sot. Sipas profesorit, qeveria komuniste e vendit tonë, ndryshe nga Jugosllavia e Titos, ndoqi një politikë izolacioniste, që solli shumë dëme. Këtu lind pyetja: Me kë duhej të hapej Shqipëria pas Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare?! Me Italinë, fashizmi i së cilës, ende nuk ishte qëruar?! Me Greqinë, që në vitin 1945 masakroi dhe përzuri me dhunë shqiptarët e Çamërisë, e nga ana tjetër pretendonte të merrte “Vorio Epirin”?! Apo me Jugosllavinë, e cila në katër vjet marrëdhënie të detyrueshme, gati na gllabëroi brenda republikave të saj?! Më tej autori, duke lëvduar “hapjen” e Jugosllavisë nga Tito, thotë: “Nën Titon, Jugosllavia u bë shembulli i parë në histori i një shoqërie marksiste”! Harron profesori, se kjo “shoqëri marksiste” që ndërtoi Tito, përfundoi me shpërbërjen e Jugosllavisë dhe në konflikte të armatosura midis pjesëve të kësaj shoqërie “ideale” të socializmit specifik. Akoma më i çuditur e i habitur mbetesh, kur profesori shkruan, se: “Sigurisht që edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë ka individë dhe forca politike që do të dëshironin të shihnin një Shqipëri të bashkuar, dhe që kërkojnë bashkimin e saj, ose të Shqipërisë natyrore”! Kjo lajthitje, tregon se autori në fjalë nuk e njeh shpirtin atdhetar të popullit shqiptar, këtej e matanë kufirit artificial. Mund të ketë të drejtë për politikanët, të kthyer në mercenarë të të huajve dhe intelektualët e “kullave të fildishta”, por përsa u përket shqiptarëve të thjeshtë dhe të vërtetë, konkluzioni i profesorit del krejtësisht huq. Krahasimin midis “Bashkimit të dy Gjermanive” dhe bashkimit të mundshëm të shqiptarëve, që Albin Kurti apo ndonjë tjetër sjellin si shembull, profesor Tarifa e quan “një analogji absurde”. Perandoria gjermane, thotë autori, “u krijua si një shtet i unifikuar nga bashkimi i 26 shteteve gjermane, në janar të vitit 1871”. Realisht ato 26 shtete, nuk quheshin “gjermane”, por “gjermanike” dhe ishin të ngjashme me principatat, apo “4 vilajetet”, ku perandoria turke kishte “stabilizuar” shqiptarët. Atëherë, duke e kapërcyer bashkimin e dy gjermanive të viteve ‘90-të, të shekullit të kaluar, shtrohet pyetja: Nëse në vitin 1871, 26 shtete-principata (lande) gjermanike u bashkuan dhe krijuan Gjermaninë, pse 7 vjet më vonë dhe pikërisht më 1878, katër Vilajetet me shqiptarë (Prishtina, Manastiri, Janina dhe Shkodra) nuk u lejuan të bashkoheshin e të krijonin Shqipërinë? Kjo nuk ndodhi atëherë, nuk po ndodh as sot pas 150 vitesh, sepse BE-ja, në kancelaritë e saj ka ende “mustaqet” e Bismarkut të vitit 1800!
Në nëntitullin “E panjohura e madhe” të shkrimit në fjalë, autori shtron pyetjen: “Çdo të ndodhë me shqiptarët që jetojnë të ndarë në pesë shtete të Ballkanit, nëse Projekti Europian dështon”? Dilemës së tij po i përgjigjem kështu: Fundi i BE është i sigurtë, ashtu siç ka qenë për çdo perandori. Veçse ky fund do të jetë më i shpejtë, ngase në kohë moderne, gjërat evoluojnë shumë më shpejt se në lashtësi, apo në mesjetë. Pra, me rënien e “Kasolles” së BE-së, bujtësit e saj do të vrapojnë të përlajnë sa më shumë “inerte” nga kasollja e shembur, për të ndërtuar kasollen e tyre. Shqiptarët, nëse kanë hyrë në BE secili me “kerrin” e vet, domethënë të pabashkuar e të paorganizuar, do të mbeten në bisht të kësaj “përlarje” dhe do të shpërndahen përsëri në stanet e vjetra të Ballkanit, pa mundur të gjejnë shoq-shoqin e racës së tyre shqiptare. Rruga më e sigurtë, për të mos u shpërndarë si zogjtë e korbit, është realizmi i bashkimit kombëtar, përpara se të futemi në “Kasollen e Madhe” të BE-së. Por kjo, siç duket nuk mund të realizohet, sepse trimat tanë të pilafit (këtu hyjnë politikanët, pushtetarët dhe intelektualët e çorientuar), janë trima të tredhur poshtë e lart, ashtu siç është edhe koha që po jetojmë. Atëherë si i bëhet? Mbetet plani “B”: Para hyrjes në BE, të realizohet integrimi mes vetit. Kombi ynë ka shekuj që jeton i ndarë në shumë shtete dhe ndonëse ka ruajtur me fanatizëm gjuhën, traditat dhe vendbanimet në trojet amtare, në shumë fusha të jetës ka krijuar diferenca. Këto diferenca duhen eliminuar, që kur të futemi në “Sallën e madhe” të BE, të njohim njëri-tjetrin dhe të rrimë bri shoq-shoqit, që të mos humbim në globalizmin e shndritshëm, por të tmerrshëm. Ne e dimë historinë e Lidhjes sonë të Prizrenit të vitit 1878. Ajo nuk arriti të forcohet dhe “i sëmuri i Bosforit” na shiti për pesë aspra. Që të mos ndodhë kjo, pse të mos bëjmë që tani “Lidhjen e Dytë të Prizrenit”, që “sëmundja Bosforiano-Europiane”, të mos na zërë në befasi!
* * *
“Është koha për të reflektuar dhe për të planifikuar të ardhmen tonë si komb në BE, ose në një Europë post – BE”, shkruan profesor Fatos Tarifa në pjesën e fundit të shkrimit. Dhe këtu, mendoj se ka plotësisht të drejtë. Planifikimi dhe projektimi i së ardhmes, duhet të ketë në qendër pikërisht integrimin midis shqiptarëve, veçanërisht midis dy shteteve të sotme, me emërtime të njëllojta, por të ndarë me kufij artificialë, shqiptar-shqiptar. Ndërsa komentet e tjera për iluzione, vështirësi, emërtime, pamundësi e justifikime, mendoj se nuk janë gjë tjetër, veçse stërkëmbësha në kauzën tonë të madhe të “Bashkimit Kombëtar”.