Në Klinë përurohet Qendra për Edukim dhe arsim parashkollor të fëmijëve “ Xhevë Lladrovci”

Është përuruar Qendra për Edukim dhe arsim parashkollor të fëmijëve “ Xhevë Lladrovci”,  për të cilën janë investuar rreth 330 mijë euro. Projekti për ndërtimin e Çerdhes së Fëmijëve është realizuar në bashkëfinancim në mes Komunës së Klinës dhe Organizatës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve Save The Children. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, përveç kryetarit të Komunës së Klinës, z. Sokol Bashota me bashkëpunëtorë, ka marrë pjesë edhe ambasadori i Italisë në Republikën e Kosovës, z. Andreas Ferrarese, përfaqësues të MASHT-it, Organizatës Save The Children si dhe prindër.

Kjo çerdhe tashmë ka kapacitete për 100 fëmije nga 50 sa ka qenë më parë dhe pothuajse plotëson nevojat e qytetarëve të Klinës. Ajo është pajisur me të gjithë inventarin përcjellës me çka krijohen kushte moderne për fëmijët të cilët marrin hapat e parë të dijës.

Në ceremoninë e organizuar me rastin e përurimit të këtij objektit- lëshimit në përdorim, kryetari i Klinës, z. Sokol Bashota, ka thënë se pushteti lokal është i angazhuar në krijimin sa me të mirë të kushteve për fëmijët parashkollorë dhe realizmi i këtij projekti dëshmon përkushtimin që ka qeverisja lokale ndaj kësaj kategorie për ngritjen e cilësisë në arsim, duke nisur nga cikli parashkollor e deri te ai i mesëm.  Bashota falënderoi prezencën e Ambasadorit Ferrarese në këtë manifestim shumë të rëndësishëm dhe domethënës për komunën dhe ata që kanë kontribuar në realizimin e këtij projekti.

“Jemi para një ngjarje mjaft të rëndësishme zhvillimore për Komunën e Klinës dhe vetëm nëse i kthehemi retrospektivës dhe kujtojmë se në çfarë gjendje ka qenë objekti i mëparshëm, që nuk i ka plotësuar nevojat e gjithë qytetarëve tanë, sot kemi një objekt modern, me kapacitet dyfish më të mëdha, i cili pa ndihmën e mekanizmave dhe donatorëve të ndryshëm, si dhe mbështetjes së Qeverisë komunale nuk do realizohej. Sot po finalizojmë një projekt të cilin e kemi  premtuar dhe i cili do të jetë në shërbim të fëmijëve që janë e ardhmja e këtij vendi”, tha kryetari Bashota, duke uruar prindërit dhe fëmijët për këtë objekt.

Ambasadori i Italisë në Kosovë, z. Andreas Ferrarese, ka premtuar bashkëpunim në mes qeverisë italiane dhe Komunës së Klinës për realizimin e projekteve të rëndësishme. Ndërsa, drejtori i Organizatës Save The Children, z. Ahmet Kryeziu, ka thënë  se Klina është Komuna e parë në Kosovë e cila ka mbështetur projektin me 45 për qind të mjeteve dhe premtoi se do të jenë pranë autoriteteve të Klinës në realizimin e objektivave.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …