Qeveria ‘Kurti 2’ pritet që të betohet para deputetëve të Kuvendit të Kosovës deri në fund të këtij muaji. Lëvizja Vetëvendosje, që e vetme siguroi 58 mandate, ka nisur komunikimet me subjektet e komuniteteve pakicë jo serbe për të siguruar 61 votat e nevojshme, ndonëse dy deputetë tashmë kanë shprehur publikisht gatishmërinë për të votuar qeverinë e re. Anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu beson se presidentja në detyrë Vjosa Osmani nuk do të humbasë kohë dhe do të thërrasë seancën e parë të legjislaturës së tetë e gjithashtu do të caktojë mandatarin për formimin e Qeverisë, pas propozimit të Vetëvendosjes, që në këtë rast do të jetë Albin Kurti. Haxhiu tha se situata me pandeminë por edhe zgjedhja e presidentit janë arsye që institucionet të formohen sa më shpejtë. Haxhiu, duke shprehur gatishmërinë që edhe në Qeverinë Kurti 2 të marrë përgjegjësitë si ministre e Drejtësisë, tha se ende nuk dihen emrat e ministrave dhe zëvendësministrave të kabinetit të ri qeveritar. Mirëpo, Haxhiu garantoi se ministrat e rinj, emrat e të cilëve që do të bëhen shpejt të ditur, do të jenë persona me integritet të lartë moral, politik dhe profesional./KP/
Kontrolloni gjithashtu
Philip Reeker: Dialogu Beograd-Prishtinë nuk do të jetë prioritet për administratën e re të Trumpit
Ish-zëvendës Ndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit, Filip Riker, ka deklaruar se administrata e ardhshme …