Zymer Mehani

Zymer Mehani: SFIDAT DHE VËSHTIRËSITË E SHKOLLËS SHQIPE NË KOSOVË (1980-1990)

Edhe Arsimi Shqip ishte Front i Hapur kundër okupatorit, prandaj, ky brez mësimdhënësish meriton çdo respekt!…

Terrori ndaj shkollës shqipe ishte përhapur në tërë Kosovën, sidomos prej vitit 1981. Nga kjo kohë në Kosovë u zhvillua një fushatë e egër serbe për t’u hetuar nga organet e sigurimit serb çdo arsimtar, çdo nxënës dhe çdo prind shqiptar që e donte arsimin dhe përparimin. Lidhur me këtë qarqet serbe e kishin aktualizuar programin e tyre antishqiptar në forma të ndryshme. Forma më e njohur ishte ajo e diferencimit (në fillim të viteve ’80).

Edhe në shkollat shqipe serbët tentuan të diktonin vullnetin e tyre. Edhe këtu nxënësi apo arsimtari mund të pësonte si është më së keqi, nëse do t’ u binte në sy autoriteteve duke folur për Shqipërinë, ose nëse do të recitonte ndonjë varg të poetëve të Rilindjes sonë kombëtare. Gjatë kësaj kohe kanë ndodhur edhe përjashtime nga shkolla, edhe thyerje të notës së sjelljes, jo nga arsimtarët, por drejtpërdrejt nga emisarët komunalë, që ishin dorë e zgjatur e regjimit serb. Për një refren të ndonjë poezie për Skënderbeun, ose për një shpalosje të flamurit kombëtar, madje edhe për një kordele kuq e zi në gërshetat e ndonjë vogëlusheje të klasës së parë, apo për një thirrje ose shkrim: ”Kosova Republikë”, edhe fëmija 7-vjeçar mund të shpallej armik dhe irredentist dhe për pasojë mund të bëhej transferi i tij nga shkolla në prag të shtëpisë, në ndonjë shkollë tjetër fqinje, 4-5 km. larg, gjë që edhe ka ndodhur.

Në vitin 1989 pushteti okupues serb vetëm sa e shtoi terrorin e egër kundër shqiptarëve, më parë përmes segregacionit e pastaj përmes mbylljes së shkollave për nxënësit dhe arsimtarët shqiptarë. Në ato rrethana, sidomos policia dhe civilët serbë, të cilët punonin për policinë famëkeqe serbe, filluan një fushatë të egër kundër arsimtarëve dhe nxënësve shqiptarë. Së pari, të gjithë mësimdhënësit e shkollave të mesme të Prishtinës detyrohen që të largohen nga ndërtesat shkollore. Pastaj nxënësit filluan që të ndalohen te portat e shkollave, për të mos hyrë nëpër klasa. Lidhur me këtë dukuri koloniale, së pari në mënyrë civilizuese reaguan arsimtarët, e pastaj edhe nxënësit shqiptarë me prindërit e tyre.

Në rrethana kësofare të krijuara i tërë personeli mësimor organizohet, duke filluar punën me shumë familje të njohura arsimdashëse, të cilat shumë shpejt u organizuan duke i lëshuar shtëpitë, duke dhuruar mjete financiare dhe kështu i ngritën shtëpitë-shkolla.

23 MARS 1989-SUPRIMIMI I AUTONOMISË SË VITIT 1974

Sa kalonte koha, dhuna mbi shkollën shqipe shtohej. Por, pas ndryshimeve të dhunshme kushtetuese, që ndodhën në Kosovë, më 1989 procesi arsimor në Kosovë vihet në pozitë koloniale nga okupatori serb. Qarqet politike serbe, sidomos gjatë vitit 1989, i kishin shpalluar të gjitha programet antishqiptare për ta sulmuar në rend të parë shkollën shqipe. Kështu në këtë vit (më 23 mars) vjen deri te ndërrimi i kushtetutës, apo më mirë të themi suprimohet autonomia e Kosovës e garantuar me kushtetutën e vitit 1974. Me këtë ndryshim Serbia krijoi mundësinë që ta sulmojë publikisht pa asnjë pengesë nga jashtë shkollën shqipe në shkallë neofashiste. Për fat të keq edhe pse institucionet shqiptare të Kosovës do të reagojnë, qarqet ndërkombëtare, që ishin profesionalisht të ndërtuara për të mbrojtur, të paktën të drejtat e njeriut në botë, nuk reaguan madje as me një fjalë të vetme. Ky mosreagim për pushtetin serb ishte një shenjë, se me shqiptarët mund të sillen si të duan.

Në mars dhe në prill të vitit 1990, në një sërë rastesh misterioze, u helmuan mijëra fëmijë dhe të rinj shqiptarë në shkollat e tyre dhe për pasojë, u dërguan nëpër spitale me dhimbje në stomak, kokëdhembje e vjellje; u përhap fjala dhe doli e vërteta se ata ishin helmuar me qëllim prej serbëve. Shumica e vëzhguesve të asaj kohe besonin se ky ishte vetëm një rast i histerisë masive, por një ekspert i toksikologjisë i Kombeve të Bashkuara gjatë analizës së gjakut dhe të urinës të të sëmurëve, konkludoi se kishte zbuluar praninë e substancave të “sarinit” apo të “tabunit” (helme të përdorura si armë kimike); kurse më pas doli në shesh se, më 1995, armata jugosllave kishte prodhuar “sarinin”.

7 GUSHT 199O-KUVENDI I SERBISË I ANULON LIGJET E KOSOVËS

Çdo regjim serb historikisht ka qenë kundër arsimimit të popullit shqiptar. Ata nuk i donin shqiptarët të arsimuar, por të pashkollë. Donin që shqiptarët të mbeten përherë skllevër të tyre: të nënshtruar, të padijshëm, bujq, sharrëxhinj, hamej e punëtorë krahu gjithnjë në shërbim të tyre.

Menjëherë pas vitit 1989, kur pushtetin e fuqizoi Slobodan Milosheviq dhe pas suprimimit të autonomisë së Kosovës, edhe shkolla shqipe hasi në vështirësi të mëdha për ta kryer punën e vet edukativo-arsimore, por shqiptarët bënë çmos për shkollimin e fëmijëve të tyre në gjuhën amtare, sepse e kishin të qartë se pa arsim kombëtar nuk mund të ecet përpara si individë dhe si komb.

Më 7 gusht të vitit 1990 pushteti serb filloi fushatën e paparë të largimit të shqiptarëve nga puna, duke e vënë jashtë ligjit Ligjin mbi Institucionet e Shkollimit të Lartë në Kosovë. Në të njëjtën kohë vihen jashtë ligjit të gjitha shkollat e larta dhe fakultetet. Pushteti serb nuk do të ndalet me kaq. Po më 7 gusht 1990, Kuvendi i Serbisë do të vëjë jashtë ligjit Ligjin Për Shkollimin e Mesëm, Ligjin Për Arsimin dhe Edukimin Fillor, Ligjin Për Arsimin Plotësues Për Arsimtarë. Të gjitha këto ligje, më 7 gusht 1990 do t’i japin policisë dhe administratorëve të dhunshëm serbë në Kosovë shansin, që me të gjitha mjetet të vërsulen mbi shkollën shqipe dhe kulturën shqiptare në përgjithësi.

Platforma e krijuar nga hegjemonia serbe dhe më pas ligjet unike të miratuara nga pushteti serb e donin arsimin shqip, i cili do të zhvillohej sipas planprogrameve serbe, e donin arsimin shqip, i cili do të pëdorte tekstet e botuara diku në Serbi në gjuhën dhe ideologjinë e tyre, e donin arsimin shqip me arsimtarë ideologjikisht të orientuar nga platforma e çorientuar e LKJ-së dhe e LKS-së. (Latif Nallbani “Dhuna mbi arsimin”, ETMMK, Prishtinë 2004, faqe 9).

Kuvendi i Serbisë me qëllime raciste do ta ndalojë edhe nostrifikimin e diplomave dhe dëftesave të shkollave shqipe, po më 7 gusht të vitit 1990.

Më 1991 pushteti serb do t’i mbyllë të gjitha shkollat e mesme dhe shkollat fillore për shqiptarët. Në vazhdën e kësaj fushate antishqiptare, më 17 dhjetor të vitit 1991, Kuvendi i Serbisë do të nxjerrë jashtë ligjit Ligjin Për Shërbimin Arsimor Pedagogjik në Kosovë, po ashtu do të vëjë jashtë ligjit Ligjin Për Këshillin Arsimor të Kosovës. Kështu në bazë të Ligjit Për Vepra Penale në Kosovë nga 29 dhjetori i vitit 1990, hapet mundësia për ndjekjen masive të arsimtarëve dhe të profesorëve të shkollave shqipe. Lidhur me këto fakte, duke u bazuar gjithnjë në shënimet korrekte të KMDLNJ-së në Kosovë gjatë viteve shkollore: 1991/92 dhe 1992/93 del fakti se dhuna shtetërore serbe i kishte përfshirë shumë mësues dhe arsimtarë. Në bazë të këtyre fakteve 632 arsimtarë ishin keqtrajtuar në polici. Jo vetëm kaq, 172 fëmijë janë marrë në pyetje dhe janë keqtrajtuar në polici. Kështu vetëm sa vazhdonte fushata e egër e marrjes në pyetje dhe e keqtrajtimeve për punëtorët shqiptarë të arsimit dhe të edukimit në Kosovë.

Veç tjerash, Kuvendi i Serbisë, më 27 korrik 1991, aprovoi Ligjin Për Gjuhë dhe Shkresa, me destinim të posaçëm që në Kosovë të aplikohet diskriminimi kulturor, njerëzor dhe kombëtar ndaj shqiptarëve.

Gjithnjë duke u bazuar në informatat relevante të KMDLNJ-së deri në vitin 1993 Kosova ishte kthyer në një kamp të përqëndrimit. Rraheshin arsimtarët dhe mësuesit para nxënësve, para familjeve, në klasa, në rrugë, në byfe, në treg e gjetiu. Kudo punëtorët e policisë serbe dhe agjentët e saj zbatonin një politikë të ndjekjes masive të shqiptarëve, që i ngjante modelit të dëbimit të çifutëve në vitet ’30 të shekullit XX, në vendet ku kishte lulëzuar fashizmi. Shkolla shqipe tani më u vu jashtë ligjit. Në këto rrethana të pavolitshme aspak që u krijuan, arsimtarëve dhe nxënësve shqiptarë u duheshin lokale, u duheshin libra dhe mjete për të mbijetuar arsimtarët.

Pushteti serb me devizën: asnjë shkëndijë kulturore, arsimore dhe shkencore në Kosovë, kishte nxjerrë jashtë ligjit edhe radion, televizionin dhe gazetat shqipe, të cilat i mbylli dhunshëm.( Më 26 qershor 1990, u shpall një valë e re dekretesh, zyrtarisht të paraqitura si “masa të përkohshme”, në saje të “Ligjit për veprimtarinë e organeve të Republikës në rrethana të jashtëzakonshme”. Këto masa, do të përfshijnë edhe ndalimin e punës së RTP, suspendimin e gazetës në gjuhën shqipe “Rilindja”, mbylljen e Akademisë së Arteve e të Shkencave të Kosovës dhe dëbimin nga puna të disa mijëra nëpunësve shqiptarë).

Kudo në Kosovë u bënë sakrifica dhe sfida të mëdha për ta mbajtur dhe për ta vazhduar punën, sepse nën një robërim total s’qe e lehtë për mësimdhënësit dhe punëtorët e tjerë të arsimit për t’i sfiduar planprogramet e Serbisë dhe për t’ i aplikuar planprogramet, që i hartoi Ministria e Arsimit e Kosovës, me të cilat u punua kudo në shkollat e Kosovës deri me ardhjen e UNMIK-ut (13. VI .1999).

Prej shkollës shqipe kërkohej ndërrimi i planprogrameve mësimore, shkarkimi i tyre nga “ekstremistët”, siç e quanin aso kohe shkrimtarin tonë më të njohur, Ismail Kadare, pastaj Dritëro Agollin dhe të tjerët, të cilët kishin patur guxim të prononcoheshin publikisht kundër shkeljes së të gjitha të drejtave të shqiptarëve të Kosovës. Pikë së pari kërkohej ndërrimi i planprogramit të gjuhës dhe të letërsisë shqipe; kërkohej ndërrimi i planprogramit të kult. muzikore, të artit figurativ, të gjeografisë etj, etj! Këto lëndë mësimore i pengonin më së shumti shovinistët serbë, sepse, sipas logjikës së tyre të sëmurë, këto po mbillkan nacionalizëm dhe irredentizëm!

Populli dhe mësimdhënësit nuk e lejuan zhbërjen e arsimit shqip. Arsimtarët shqiptarë nuk kursyen asgjë për ta mbajtur gjallë arsimin shqip. Punuan nën çdo çmim e mbi gjithçka, sa që disa prej tyre zëvendësuan ditarin me pushkë në luftën e fundit çlirimtare.

Gjatë viteve ’90 pushtetarët serbë s’i kishin harruar akoma porositë e çetnik Garashaninit,( Ilija Garashanin ishte ministër serb dhe njëri ndër kryeideologët e nacionalizmit serb, i cili tregonte një interesim të veçantë për jetën kulturore serbe në Kosovë, prandaj dërgoi dy mësues serbë në Prizren, më 1866), kur kërkojnë që dokumentacioni pedagogjik i shkollës dhe dokumentet publike të saj të shkruhen serbisht dhe me alfabetin cirilik, por arsimtarët e shkollës shqipe në Kosovë, të devotshëm dhe të brumosur me atdhedashuri, jo vetëm që reaguan ashpër, por kurrë dhe asnjëri sish nuk pranoi të punojë sipas ligjeve serbe e me planprogramet e Serbisë; nuk pranoi t’i përdorë tekstet e huaja për arsimin shqip; nuk pranoi ta mbajë administratën në gjuhën serbe, që për ta ishte e huaj. Nuk janë shënuar raste që janë lëshuar dëftesa apo libreza sipas ligjeve diskriminuese serbe. Nuk ka pasur raste që të jetë përdorur teksti i miratuar dhe i botuar në Serbi, sikur se që nuk ka asnjë rast që është punuar me planprogramin e miratuar nga Pleqësia e Arsimit e Serbisë.

Në këtë kohë të paparë të apartheidit dhe të një segregacioni shumë të vrazhdtë të shkollës shqipe, nuk mbeti pa u prekur edhe interesi material i secilit punonjës të arsimit. Pushteti serb kishte llogaritur se me prekjen e interest material të arsimtarëve , do të arrihej shumëçka për t’i thyer ata dhe për t’i përvetësuar. Tani për shkollat shqipe qeveria serbe ndërpret financimin e arsimtarëve shqiptarë. Në gjysmën e dytë të vitit shkollor 1990-91 pushtetarët serbë morën vendim që në shkollat shqipe t’u jipeshin pagat vetëm punëtorëve teknikë të shkollave!!!

Edhe arsimtarët e shkollës shqipe ishin të vetëdijshëm për momentin historik dhe për rëndësinë e detyrës që e ushtronin, prandaj qëndruan stoikisht, të dinjitetshëm, duke punuar me nxënësit e tyre me vendosmëri të paparë dhe me plot guxim.

 

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …