Malësia e Zhegocit ruan nën kreshtat e veta, në heshtje, të kaluarën dhe të tashmen e saj. Kujtesa e popullit nuk ka mundur t’i lë në harresë bëmat e malësorëve të kësaj malësie gjatë shekujve të kaluar.
Nëpër të gjitha etapat e historisë sonë, grykat dhe majat e këtyre maleve ishin strehë dhe pikënishan për luftëtarët çlirimtarë. Ishin shteg i pakapërcyeshëm për armikun, ndërsa sofër e vatër e ngrohtë për mikun.
Kur djemtë e vërtetë të Kosovës, më 1945 kuptuan se Lufta e tyre nacionalçlirimtare nuk po kurorëzohej me liri, kur panë se ishin tradhtuar nga komunistët jugosllavë, kur më në fund kuptuan se Kosova po mbetej përsëri nën okupimin serb, u rimobilizuan dhe vazhduan luftën. Hysen Tërpeza, atdhetar i paepur, me bashkëluftëtaret, u dislokua pikërisht në këtë Malësi. Kjo malësi kishte besë e burrni, kishte djem që donin Lirinë, Kombin e Atdheun.
Pajazit Ahmeti, u lind më 7 Qershor të vitit 1971 në fshatin Zhegoc. Ndjenjat e tij fetare bënë që ai të përcaktohet për të kryer mësimet në Medresenë “Alaudin” në Prishtinë, të cilën e kreu më sukses. Studimet nuk arriti t’i vazhdojë pasi që vitet e njohura 1989-1990 ishin vite të demonstratave për Pajazitin dhe bashkëmoshatarët e tij. Më 1990 u mobilizua dhunshëm në armatën jugosllave, në Mostar, prej nga arratiset pas pesë muajsh, duke mos dashur në asnjë mënyrë t’i shërbejë ushtrisë armike.
Një kohë u fsheh, por në Shtator 1994 u kap nga policia serbe dhe u burgos me ç’ rast u dërgua në Burgun Ushtarak të Nishit. Për shtatë muaj sa kishte qëndruar në burg, nga pasojat e torturave që organet represive serbe kishin ushtruar kundër tij, Pajaziti kishte humbur 15 kilogramë.
Pas lirimit nga burgu i vetmi preokupim i tij ishte lufta e armatosur kundër pushtuesit, duke qenë thellë i bindur se nuk kishte alternativë tjetër për të fituar Lirinë dhe për ta çliruar Atdheun nga kthetrat e robërisë. Andaj nga kanale të fshehta, së bashku me disa kushërinj, arrin të blejnë armatimin. Bashkëpunëtorin dhe bashkëveprimtarin më të ngushtë të tij kishte pikërisht djalin e axhës së tij, Faik Ahmetin.
Në Maj 1998, Pajaziti dhe Faiku vënë kontaktet e para me grupin e Abdullah Tahirit, përmes shokut të Faikut, Fatmir Halilit dhe bashkëluftëtarit të tij Skënder Azemit.
Ata shkëmbejnë armatim, me ç’ rast Pajaziti e Faiku ua japin një sasi të madhe fishekësh, dhe duke iu precizuar veprimet e mëtejme, që duhej të ndërmerreshin në të ardhmen.
Në këtë kohë vë kontakte edhe me Ahmet Isufin e Shemsi Sylën, të cilët bënin përpjekje për të organizuar Zonën Operative të Karadakut të UÇK-së. Pas këtyre kontakteve, shtëpitë e Pajazitit, Faikut dhe tërë lagja e tyre bëhen baza të forta të luftëtarëve të UÇK-së, që depërtonin nga zona në zonë. Luftëtarët e UÇK-së që duhej të kalonin nga Drenica e Neredimja për në Llap, Gollak, Karadak dhe anasjelltas patjetër duhej të kalonin nëpër konakun e Pajazit Ahmetit, i cili me bashkëluftëtarët e tij ndodhte që me net të tëra të përcillte e siguronte pandërprerë rrugën deri në destinacionin e caktuar të luftëtarëve e eprorëve të lartë të UÇK-së si komandantët: Remi, Shukri Buja, Adem Shehu, e të tjerë. Komanda e ZOK-ut, duke analizuar të gjitha rrethanat e volitshme që kishte krijuar Pajaziti me bashkëfamiljarë e bashkëfshatarë në Zhegoc dhe rrethinë tij, vendos që të dislokohet pikërisht në shtëpitë e Pajaziti, Faikut dhe kushërinjve të tyre në Lagjen e Ahmetajve.
Me që ishte fillimi i ristrukturimit të Zonës Opoerative të Karadakut, të gjitha veprimet dhe koordinimi i aktiviteteve ndërlidhej pashmangshëm me Pajazit Ahmetin.
Më të krenoheshin bashkëluftëtarët e tij: Iljaz Ahmeti, Skender Veseli, Sami Ahmeti, Sahit Baftiu, Bashkim Selishta, Alban Ajeti, Tefik Zymberi, Bahtir Jahiri¸Nijazi Osmani, Naim Ymeri, Besim Rrustemi, Rexhep Veseli, Elisa Ymeri, Besim Ymeri, Fadil Rashiti, Qerim Lipovica, Metush Bajrami, Remzi Hajrullahu, Zenun Ukshini, Muharrem Ibrahimi, Bejtullah Krasniqi, Veli Murati, Fatmir Gashi, Afrim Myrtaj, Naser Ahmeti, Fetush Osmani e shumë të tjerë, disa nga të cilët, kanë rënë në altarin e atdheut bashku në ditët e luftimeve të Betejës së Zhegocit, më 15 e 16 Prill 1999, dhe betejën e Marecit prej 18 deri 21 Prill 1999.
Më 15 prill 1999, në agun e tij fillojnë luftimet e ashpra në mes Forcave Çlirimtare të UÇK-së dhe makinerisë vrastare serbe që kishin mësyrë Malësinë heroike të Zhegocit nga të gjitha anët.
Ashtu siç ishte nisur i pari në Luftën e Ferizajit më 1944 Gjyshi i Pajazitit, ashtu u nis i nipi Pajaziti, t’u dal për ballë fallangave sllave, që kishin depërtuar deri në Hanet e Zhegocit.
Tok me të ishte edhe luftëtari trim, Afrim Myrtaj. Pas një lufte të ashpër, në distancë shumë të afërt dhe atë në një pritë të befasishme, bie edhe Pajazit Ahmeti, ndërsa Afrimi plagoset rëndë.
Pajaziti u varros afër vendit të rënies, ku sot ndodhet lapidari, që e skaliti me pushkën e tij të parë. U rivarros, më 17 shtator të vitit 1999 me nderime të larta ushtarake, në përcjellje të mijëra qytetarëve nga të gjitha anët e Kosovës në “Varrezat e Dëshmorëve të Kombit”, në Gjilan. Ka lënë pas vetes, bashkëshorten, Fatimen, djalin Milotin dhe bijën, Qëndresën. Në oborrin e objektit të Komandës së Zonës së Gjashtë të TMK-së në Gjilan, është vendosur busti i tij dhe i bashkëluftëtarit, Alban Ajeti. Pajazit Ahmeti mbeti sinonim i rinisë kryengritëse shqiptare që e përjetësoi idealin e brezave të kombit të tij. (H. K.)