Në pamundësi për të reaguar më herët, pasi kemi qenë të angazhuar rreth çështjes ankimore kundër orkestrimit të votave nga Subjekti Politik “Iniciativa Rome”, sonte para jush paraqesim shqetësimin tonë zyrtar si Parti Liberale Egjiptian – PLE, për skandalin tanimë publik rreth blerjes së votës nga ana e IRDK-së.
IRDK si parti politike e cila garoi në zgjedhjet e parakohshme parlamentare për mandatin e deputetit të komunitetit Egjiptian dhe duke qenë në garë të drejtpërdrejtë me ne si PLE, përmes këtyre veprimeve të kundërligjshme arriti ta devijoj vullnetin e komunitetit Egjiptian.
Ky veprim e hap një kapitull të ri për PLE-në sepse ne deri tani si subjekt politik kemi luftuar kundër padrejtësive dhe diskriminimit që kanë ndodhur nga jashtë ndaj komunitetit Egjiptian, por tani ne do të detyrohemi të luftojmë edhe këtë padrejtësi që ka ndodh brenda nesh dhe kundër vullnetit të komunitetit egjiptian me ndikim nga subjekti politik IRDK.
Dukuria e blerjes së votës është akt i shëmtuar dhe vepër penale e aq më keq duke e keqpërdorur gjendjen e rëndë ekonomike të pjesëtareve të komunitetit tonë egjiptian, të cilët për një vlerë prej 40 eurosh për një votë e ka shkatërruar në tërësi dinjitetin e tyre. Kjo çështje ka qenë shumë e përfolur dhe duke u bazuar edhe në deklarimet e atyre që kishin dhe kanë njohuri rreth ofertës së IRDK-së dhe pas daljes publike të fakteve nga ana a aktivistëve të IRDK-së dhe familjarëve të kandidatëve për deputet të listës së IRDK-së, po konfirmohet se blerja e votës ishte faktor i cili e dëmtoi subjektin tonë politik PLE, befasishëm me rreth 1500-2000 vota.
PLE-ja parashtron pyetje se si mundet që një subjekt politik siç është IRDK-ja të jetë zë legjitim i komunitetit Egjiptian dhe të e përfaqësoj atë politikisht ku vet që në fillim i njëjti subjekt e keqpërdorë dhe e kontrabandon vullnetin e tyre, i cili është i mbrojtur me Kushtetutë dhe ligjet në fuqi.
Tani ne fuqishëm besojmë në organet e drejtësisë së Kosovës, që do ti hetoj këto veprime të jashtëligjshme të IRDK-së, dhe jemi të bindur se pas hetimit të plotë, presim zbulimin e hallkës së organizimit dhe kontrabandimit, me ç‘rast do të zbulohen edhe mbështetësit financiar të IRDK-së, të cilët e mundësuan blerjen e votës në këmbim të çmimit prej 40 euro.
Gjithashtu, ne si PLE jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me të gjitha institucionet e drejtësisë dhe e ftojmë komunitetin Egjiptian të tregoj guxim dhe të jetë bashkëpunues duke ofruar ndihmë në dhënien e argumenteve, në mënyrë që organizatorët e këtij akti kriminal të marrin dënimin e merituar, me qëllim të mos përsëritet asnjëherë kjo dukuri në mesin e komunitetit egjiptian e në veçanti nga ata të cili pretendojnë ti përfaqësojnë në skenën politike.
Për 7 vite PLE ka qëndruar në skenën politike vetëm me votën e lirë dhe të sinqertë nga komuniteti Egjiptian dhe IRDK duke analizuar punën e palodhur të PLE-së dhe për të arritur devijimin e fitores të PLE-së në zgjedhjet e 14 shkurtit, e vetmja formë e IRDK-së për të arritur “fitore” ka qenë ky veprim jo ligjor.
Në fund, PLE-ja qëndron fuqishëm dhe e palëkundur në arritjen e fitores së merituar, duke u bazuar në punë dhe në programin e saj politik dhe duke qenë gjithmonë faqebardhë para popullit dhe institucioneve.