1981

Radio-Kosova e Lirë shënon 40-vjetorin e kryengritjes shqiptare të Marsit, prillit dhe Majit të vitit të vitit 1981

Në 40-vjetorin e  kryengritjes shqiptare të Marsit, prillit dhe Majit të vitit të vitit 1981, Radio Kosova e Lirë ka botuar Kalendarin e vitit 2021, me emrat dhe fotot e 12 dëshmorëve e martirëve të vitit 1981: Asllan Pireva, Naser Hajrizi, Xhelal Maliqi, Salih Abazi, Salih Mulaku, Ruzhdi Hyseni, Rizah Matoshi, Sherif Frangu, Nesimi Dervishdana, Ibrahim Krasniqi, Tahir Meha e  Nebih Meha.

Në këtë 40 vjetor, Radio-Kosova e Lirë ka përgatitur  për botim edhe librin e drejtorit të Radios,  Ahmet Qeriqi me titull: Kryengritja e përgjakur e Marsit, Prillit dhe Majit të vitit 1981. Në këtë libër autori ka prezantuar shkrime e studime të shumta, shumica prej të cilave janë botuar qysh prej vitit 1990 e më pastaj, fillimisht në gazetën “Bashkimi”, pastaj në “Bujku”, në “Radio-Kosova e Lirë”  dhe në medie e në portale të tjera.

Në këtë përvjetor jubilar, Radio-Kosova e Lirë,  në rubrikat e veta do të botojë, studime, shkrime publicistike, kujtime dhe vështrime  të pjesëmarrësve në zhvillimet revolucionare të vitit 1981 dhe shkrime të autorëve të tjerë, me përpjekje për ta  zbardhur edhe më shumë atë epokë, tani pas 40 vitesh, në një realitet tjetër të historisë së Kosovës dhe çështjes Shqiptare në përgjithësi…

Pjesë nga parathënia e librit në dorëshkrim

Ahmet Qeriqi
Ahmet Qeriqi

Ahmet Qeriqi: Kryengritja e përgjakur e Marsit, Prillit dhe Majit të vitit 1981

 Tashmë kur kanë kaluar 40 vjet nga zhvillimet revolucionare të Marsit, Prillit e majit  të vitit 1981, duhet të kthehemi prapa, për ta perceptuar  dhe për të konkluduar sa më realisht lidhur me ato zhvillime politike, sociale e kombëtare, që kanë ndodhur para dyzet vitesh, duke i parë në rrjedhën e etapave të historisë, por edhe  në kontest të zhvillimeve të më pastajme,  të cilat në vitet 1998-1999 rezultuan me çlirimin e Kosovës nga robëria gati një shekullore serbe  dhe përparimin  e çështjes shqiptare në Maqedoni, të cilat  shënuan dy  fitore historike për mbarë kombin shqiptar.

Kryengritja e  Marsit, Prillit dhe Majit të viti 1981, shënoi kthesën vendimtare të ndarjes definitive të shqiptarëve të robëruar nga ish-RSFJ. Kërkesa për krijimin e një Republike të shqiptarëve në Jugosllavi, shtrohej si kërkesë dhe si një proces politik, strategjik i kohës, për të ruajtur identitetin kombëtar të shqiptarëve dhe për të krijuar parakushte për shkëputje nga Jugosllavia, që ishte një burg i madh i popujve të Ballkanit.

Zhvillimet që pasuan më 26 mars të po atij viti, kur njësitë speciale të Jugosllavisë, me lejen me aprovimin e regjentëve besnikë të regjimit të Beogradit si: Azem vllasi, Xhavit Nimani, Ali Shukriu, Mehmet Cikuli- Maliqi e të tjerë, kulmuan me sulmin  brutal mbi demonstruesit duke martirizuar nëntë  dhe duke përgjakur qindra prej tyre.

Intervenimi i tillë brutal, nxori në sipërfaqe fytyrën e vërtetë të regjimit  jugosllav dhe atyre shqipfolësve besnikë, të cilët i shërbenin asaj politike shoviniste antishqiptare.

Revolta gjithë popullore, që pasoi më 2 dhe 3 prill, ia çjerri përfundimisht maskën politikës së ”barazisë së kombeve dhe kombësive të Jugosllavisë”.

Shtypi perëndimor dhe ai i Tiranës zyrtare bënin të ditur se në Kosovë kishte ndodhur njëra ndër gjakderdhjet më të pashembullta në Evropë, pas Luftës së Dytë Botërore.

Kryesia e Jugosllavisë okupatore më 2 prill të vitit 1981  kishte shpallur gjendjen e shtetrrethimit. Qenë vendosur qindra postblloqe policore dhe ushtarake në tërë Kosovën. U vranë dhe u plagosën rëndë qindra demonstrues, u arrestuan rreth 5000 shqiptarë liridashës. Klasa politike pro-jugosllave në krye me komunistët titistë,  filloi zbatimin e platformës për “çrrënjosjen e kundërrevolucionit”, të cilën me besnikëri skllave po e zbatonin: Azem Vllasi, Ali Shukriu, Mahmut Bakalli, Mehmet Maliqi, Kolë Shiroka, Fadil Hoxha, Xhavit Nimani dhe tërë një klasë politikanësh, që bënin përpjekje të panatyrshme ta deformonin vullnetin dhe aspiratat e shqiptarëve për bashkim mbarëkombëtar dhe jo përbashkësi dhe integrim si fazë e re e asimilimit të ngadalshëm me popujt sllavë, me pretendime për krijimin e një identiteti kosovar, shqiptaro-sllav.

  

Kryengritja gjithë popullore e marsit dhe prillit e vitit 1981 shënon një epokë vendimtare në historinë më të re të popullit shqiptar, pavarësisht se kjo ngjarje nuk e ka gjetur vendin e merituar në tekstet ende gjysmake të historisë sonë.

Prej asaj kohe kishte filluar ndarja e madhe dhe diferencimi historik i dy klasave shoqërore, kundërshtare.  

Klasa projugosllave që pranonte jugosllavizmin dhe asimilimin e qetë të shqiptarëve, duke i trajtuar ata si “kosovarë”, dhe Lëvizja çlirimtare, e cila çoi më në fund edhe në luftën e armatosur të UÇK-së, për t’ u çliruar nga robëria shekullore jugosllave.

Në këtë aspekt marsi dhe prilli i vitit 1981 shënojnë njërën ndër ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë. Po të mos ndodhte ajo që ndodhi asokohe, shqiptarët sot do të jetonin ashtu sikur jetojnë hungarezët në Vojvodinë, myslimanët në Sanxhak, apo vllahet në Krahinën e Timokut,  në Serbi. Mirëpo në kushte dhe rrethana të caktuara lëvizja nacionaliste shqiptare, e përkrahur fuqimisht edhe nga Tirana zyrtare, arriti të konsolidojë idealin e lirisë, arriti ta mbajë gjallë atë dhe në rrugën e gjatë e të mundimshme të historisë, arriti të realizojë me sukses tri luftëra çlirimtare, të cilat u përkrahën nga mbarë shqiptarët atdhedashës dhe nga forcat përparimtare botërore…

Kontrolloni gjithashtu

Peter Stano: Bashkimi Evropian nuk i vë në dyshim autoritetet e Kosovës për hetimin e krimeve të luftës, por është në kontakt me ta

BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”

Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …