Bashkimi Evropian sërish ka shprehur keqardhje për vendimin e Kosovës që të hapë Ambasadën në Jerusalem. Ky koment nga blloku evropian vjen një ditë pasi Kosova njoftoi se edhe zyrtarisht ka hapur Ambasadën e saj në Izrael, me lokacion në Jerusalem. Një zëdhënës i BE-së, tha të hënën, më 15 mars, se “BE-ja shpreh keqardhje për vendimin e Kosovës që të largohet nga qëndrimi i BE-së lidhur me çështjen e Jerusalemit”. “Pozicioni i BE-së është i njohur mirë dhe është në përputhje me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së 478, e vitit 1980, që thërret të gjitha shtetet anëtare të OKB-së që të tërheqin misionet e tyre diplomatike në Izrael nga Jerusalemi. Të gjitha shtetet e BE-së, sikur edhe delegacioni i BE-së në Izrael, janë të vendosura në Tel Aviv”, ka thënë ky zëdhënës. Ai ka shtuar se “BE-ja në vazhdimësi ka përsëritur përkushtimin e qartë për një zgjidhje të negociuar, të dy shteteve, të ndërtuar mbi parametrat e pranuar ndërkombëtarë dhe të drejtën ndërkombëtare”. BE-ja rikujton se shefat e shteteve apo qeverive të bllokut, në samitin e tyre më 2017 kishin përsëritur se “pozicioni i BE-së rreth Jerusalemit mbetet i pandryshuar”.
Kontrolloni gjithashtu
BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”
Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …