Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë (UFAGJ) dhe Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) do të bashkëpunojnë në fusha me interes reciprok. Për këtë qëllim, të hënën, rektori i UFAGJ-së, Prof. Ass. Dr. Artan Nimani, Drejtori Ekzekutiv i ORCA-s, Z. Rron Gjinovci, dhe menaxheri i projektit Z. Drilon Krasniqi nënshkruan Marrëveshje Bashkëpunimi për zbatimin e projektit të Cilësisë, Llogaridhënies, Integritetit dhe Transparencës në Arsimin e Lartë – QAINT, me ndihmë financiare nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), i cili zbatohet nga konzorciumi KEC, ORCA.
Qëllimi i këtij memorandumi është të sigurojë mbështetje për UFAGJ-në për të përmbushur nevojat për integritet akademik, rritjen e përgjegjësisë, dhe transparencës përmes monitorimit të ngushtë të procesit të promovimeve akademike.
Zbatimi i kësaj marrëveshjeje do t’iu siguron njësive akademike përkatëse të UFAGJ-së dhe Senatit një raport profesional mbi performancën e kandidatëve vetëm në lidhje me punimet shkencore të botuara në përputhje me Ligjin për Arsimin e Lartë, Statutin e UFAGJ-së dhe rregulloret e tjera në fuqi.
Rektori Nimani, e falënderoi ORCA-n dhe Agjencinë Austriake për Zhvillim (ADA) për vizitën dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar në të mirë të rritjes së cilësisë dhe besimit të publikut në proceset e avancimeve akademike, që do të bëhet një shembull kryesor për universitetet e tjera publike në Republikën e Kosovës.
UFAGJ është i përkushtuar të trajtojë me seriozitet e në përpikëri raportet dhe informacionet e siguruara nga ORCA / QAINT.