Agron Sejamini: Jo vetëm... “Kthim për të rrëfyer”

Agron Sejamini: Jo vetëm… “Kthim për të rrëfyer”

Vështrim letrar lidhur me daljen  nga shtypi të  librit të Prof. Dr. Xheladin Çekës, me titull,  “Kthim për të rrëfyer”

Nuk është thjesht rrëfim, por hymnizim artistik i gjithçkaje që pasqyrohet në faqet e këtij libri. Këndvështrimi filozofik, mjeshtëria e përdorimit të fjalës, mënçuria e shpalosur në çdo rresht, çelet dhe mbyllet me dashurinë e përjetshme ndaj vendlindjes…

Një nga të mirat e kësaj kohe flamë, mbetet edhe dalja nga shtypi i librit të Prof. Dr. Xheladin Çekës, me titull “Kthim për të rrëfyer”. Mirësi, sepse vetizolimi i detyruar, i dha kohën e bollshme autorit, për të realizuar këtë punë të dobishme, që të rrëfejë për vendlindjen! Borxh moral që duhet shlyer një ditë nga secili prej nesh. Profesor Xhela, tashmë ndjehet i lehtësuar, ndërsa ne të vonuarit, të përskuqur në fytyrë …

Sigurisht, për ata që u jepet të shkruajnë, detyrim i padiskutueshëm por… pa përjashtuar edhe gjithë të tjerët. Sepse, në një angazhim të tillë më shumë se sa mëndja dhe talenti, vlen… shpirti! Frymëzim që na është shfaqur shpesh here dhe pulsuar akoma më shumë, pas çdo viti që kalon. Jemi bërë burra dhe vazhdojmë të endemi çdo natë në vatrën, ku u lindëm dhe në viset, ku u rritëm, duke mbetur fëmijë në këtë mall të përjetshëm…

Pandemisë, ia di për nder edhe Profesori, ndaj mirënjohjen kësaj periudhe, ia shpreh me një okelio që në kopertinë. Ndërkohë, në brendësi i përkushtohet me shumë faqe, sa për t’i qëndruar korekt kohës, por jo se është ndikuar dhe i është dridhur dora emocionalisht. Atmosfera mbytëse dhe e jashtëzakonshme që ka krijuar kjo flamë globale, nuk ia zbeh pasionin dhe përkushtimin. Sepse, vendlindja, ku erdhëm në jetë të bën me krah, të motivon për të besuar dhe gëzuar, në çdo ditë që të ka falur Zoti. Jo rastësisht edhe vetë i Plotfuqishmi, e krijoi para nesh me të gjitha të mirat, për të na pritur dhe përcjellë…

Të gjitha vendlindjet janë të bekuara dhe të adhuruara. Lexon librat e kësaj natyre dhe zbulon dashurinë e vërtetë, mallin e zhuritur, lidhjen e përjetshme. Çdo vendlindje mbetet frymëzim i zjarrtë, vakëf për t’u përkulur! Lum ai njeri që në jetën e tij, ia ka shpërblyer me mirësi, mirënjohje dhe krenari!

Për krahinën e Pezës, gjithkush mund të shkruajë me pasion dhe dëshirë. Sepse të tillë e ka historinë, sikurse edhe bukurinë natyrore dhe pasurinë shpirtërore. Në këto lartësi prezantimi e ka përmbushur misionin  e radhës edhe Profesor Xhela. Me intelektin e një akademiku universitar, me përvojën e  qindra artikujve shkencorë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, me krenarinë e autorësisë dhe bashkëautorësisë të 30 e ca teksteve origjinalë, monografive, përkthimeve apo përshtatjeve si dhe të librave me kujtime, ese dhe refleksione, doemos do t’i buzëqeshte suksesi edhe me këtë… kthim për të rrëfyer.

Nuk është thjesht një rrëfim për vete, ku do që tu shfaqi lexuesve ditarin e jetës, të cilin për fat, e ka të pasur dhe ka çfarë të tregojë. Frymëzim dhe motivim i këtij libri kryesisht mbetet vendlindja. Mbresat dhe ndodhitë e fëmijërisë, tashmë në moshën e pjekurisë, i gërsheton dhe pasuron me faktet jetësore dhe historike që Peza i ka me shumicë.

Sa më tepër të gërmosh dhe të shfletosh, aq më madhështore të shfaqet jetëshkrimi i kësaj treve. Bukurinë natyrore që i ka falur Zoti, brezat që kanë jetuar duke e gëzuar, e kanë hijeshuar edhe më shumë, me cilësi dhe virtyte të çmuara. Det i pafund është bota shpirtërore e çdo banori të kësaj zone, që shpaloset me larmishmëri të plotë në trashëgiminë tradicionale. Edhe në këtë libër emocionohesh, kur endesh nëpër këto dallgëzime ndjesish njerëzore. Mjafton të lexosh faqet, ku rrëfehet mbi dasmën dhe vdekjen…

Edhe më madhërishëm shfaqet Peza në historinë e kombit tonë, ku rreshtohet në faqet më të arta, të epopesë së luftës. Treva ku nisi orteku i lëvizjes partizane që u finalizua me çlirimin e Shqipërisë. Tashmë përmendet me krenari ky detaj historik, por në ato vite është dashur të derdhej gjak për t’u përballur me pushtuesit fashistë dhe nazistë. Histori me gjak, me dhimbje dhe sakrifica të panumërta në interes të lirisë, ku ajo, është djegur dhe shkatërruar nga çdo pushtues i huaj. Të qenurit pranë kryeqytetit, i ka dhënë statusin e përhershëm të prapavijës së sigurtë dhe të fuqishme, por ama i ka lënë pas edhe “faturën” e shtrenjtë në jetë njerëzish dhe dëme materiale. Rezyme  për të kuptuar se çdo shqiptar krenohet  me Pezën heroike. Akoma më shumë, ata që kanë lindur në këtë truall…

U zgjatëm në këtë pjesë të historisë së  saj, jo vetëm pse ia kemi detyrim mirënjohjen, por edhe nga dëshira për tu ndjerë sadopak… pezak! Edhe më shumë e përjeton këtë dëshirë, kur dëgjon rrëfimin e profesor Xhelës, mbi aspektet e tjera të jetës së kësaj treve. Nuk është thjesht rrëfim, por hymnizim artistik i gjithçkaje që pasqyrohet në  faqet e këtij libri. Këndvështrimi filozofik, mjeshtëria e përdorimit të fjalës, mënçuria e shpalosur në çdo rresht, çelet dhe mbyllet me dashurinë e përjetshme ndaj vendlindjes.

Nuk është rastësi, por… vetdije, aftësi, shpirtmadhësi, përsosmëri, dehje, etje! Ndjeshmëri që e pohon edhe vetë autori, kur thotë, se “…jam në kërkim të asaj prerjes së artë të mënyrës së vënies së fjalëve në fjali, të renditjes së tyre sipas hierarkisë…” Ja besoj merakun, ia shijoj elegancën e të rrefyerit. kur përdor metaforën a epitetin, batutën a fabulën, ngjarjen, qasjen, ironinë dhe vetironinë…

Befasohesh në të papriturat e këndshme që shterojnë detajin, mahnitesh nga shtigjet që të detyron të kalosh për të mbërritur në lëndinat dhe hapësirat plot shpresë e jetë. Ngjan sikur do të lodhë me analizën e temës që nis të shtjelloi, por befasohesh kur të nxjerr shpejt në shtegun e urtësisë së mendimit që ai e kërkon dhe ti e dëshiron.

Luftuan dhe derdhën gjak shumë bija dhe bij të kësaj krahine për lirinë dhe ardhmërinë e pasardhësve të tyre, por komunizmi u ofroi vetëm zhgënjim, skamje dhe varfëri. Ka “dufe” për të nxjerrë profesor Xhela për atë periudhë! Ndaj shpërthen herë pas here, si për të qetësuar sadopak edhe shpirtrat e munduar e të lënduar të bashkëfshatarëve të vet. Askush tjetër, nuk do të ishte më i vërteti, më i sinqertë, më i besuari, se autori  që është edhe djali i Heroit të Punës, Ramazan Çeka, njërit prej drejtuesve të kooperativës dhe anëtar i asaj partie, të cilës i dha aq shumë me atë emër simbol dhe djersën e derdhur lumë… Ja pse thamë që në krye të herëve, se ky libër nuk është thjeshtë rrëfim! Por, analizë, qëndrim, mendim, vizion!

Diku, autori thotë, se “përbri fshatit  kalon lumi…”.  Dhe se “…pjesa më e madhe e pronave ishte në anën tjetër të lumit, në krahun e djathtë të rrjedhës së tij”. Ndër vite përgjatë rrjedhës së lumit janë ndërtuar ura. Kryesisht nga ana pushtuesve, si: ushtria osmane, Austro-Hungareze, fashistët italianë për të mbërritur deri te pacarela e bërë gjatë viteve të sistemit socialist që e rrëmbyem shirat e vititi1976… “Ura pa rrugë, do t’i quaja unë”- thotë autori. Sepse edhe sot e kësaj dite pasi kalon një urë, nuk gjen vazhdimësinë e një rruge të shtruar me asfalt. Madje, as me zhavorr edhe pse trasetë e tyre kalojnë pranë shtratit të lumit me zhavorre pambarim.

Etapa të shëmtuara dhe të dështuara të gjitha ato që u pagëzuan si, “reforma, agrare”, “kooperativa” dhe “tufëzime”. Të përjetuara dhimbshëm dhe me revoltë të butë edhe nga banorët e kësaj krahine. Jo pak herë duke reaguar edhe në mënyrë ironike…

Ja një detaj i shkëputur nga ky libër: “Në fshat kishte ardhur një prej kuadrove të lartë të partisë për të shpjeguar “politikën e re ekonomike në fshat”, në kohën e “tufëzave dhe arëzave”. Ai po argumentonte se Qeveria kishte parashikuar t’u jepte nga dy qingja meshkuj për të plotësuar nevojat e tyre për mish. Se po të qenë femra, shtoheshin dhe bëhej “hataja”… Një nga burrat e fshatit, ndonëse jo më i vjetri  në moshë, i përgjigjet shtetarit: -Tani që ju keni menduar të na i jepni ato, tani nuk na duhen ne. Ato nuk ka kush t’i ruajë më këtu në fshat. Fëmijët tanë, tani u mësuan pa bagëti. Ata tani, as nuk dinë më t’i ruajnë bagëtitë, por çështë më e keqja, as nuk duan të shkojnë, me bagëti. Por, më e rëndësishmja është të dimë: ku fle lepuri?”

Ai shtetari, nuk e dha dot përgjigjen atë ditë! Por, vite më vonë, kur koha, “likuidoi” kooperativat ishte babai i autorit, ai Heroi i Punës, që la thënien e tij të artë, baras me një sentencë proverbiale: “Kurrë mos ardhtë koha e kooperativave!”.

Ka vlera ky botim! Mjafton ta lexosh dhe ke çfarë të përfitosh. Më kryesorja, Profesor Xhela, thjesht dhe qartë, na rrëfen se duhet t’i kthehemi vendlindjes. Qoftë edhe si dallëndyshet në… pranverë! Ikja mund të justifikohet për një jetë më të mirë, ku në jo pak raste është dëshmuar edhe vitaliteti i gjenit të racës arbërore… Por, moskthimi dhe harrimi i vendlindjes është i pajustifikueshëm. Ndoshta, mallkim!

Nuk e di sa shkon në mbyllje të këtij shkrimi, por edhe nëse stonon, kam dëshirë ta tregoj edhe një rrefenjë të profesor Xhelës: “Babanë e kam patur shumë të apasionuar pas sportit të gjuetisë. Si një nga më të mirët e gjithë krahinës është cilësuar për këtë sport nga bashkëmoshatarët e tij.

Një ditë më thotë:  – Dëgjo bir! Do të tregoj një sekret që e kam nga koha kur merresha me gjueti. Kur dilnim për gjah, kryesisht për lepura, zagarët nuk vinin pas meje, por shkonin pas Sulës apo shokëve të tjerë. Unë zakonisht qëndroja në pritë aty ku ishte ngritur gjahu, pranë strofkës së tij; zagarët e ndiqnin lepurin këmba-këmbës duke kapërcyer gëmusha, kaçube, lugina, rrugë pa rrugë…. Shokët e mij, gjithashtu zinin prita në shtigjet e mundshme nga pritej të kalonte gjahu, duke shtënë me çifte. Lepuri i pa prekur nga saçmet dhe i pa arritur nga zagarët, kthehej pas një farë kohe përsëri në strofkën e tij… ”Pra, edhe lepuri  rikthehej në strofkën e tij, për të vazhduar jetën…

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Në vazhdim të realizimit të projektit për botimin e monografisë për dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare …