Ilir Muharremi

Ilir Muharremi: “Melankolia”, klithmë dhimbjeje

Një ditë të gjithë do të vdesim. Si fillim do t’i mbyllim sytë, zemrën do ta vëjmë në gjumin e përjetshëm, veshët do të kemi dëshirë t’i mbajmë hapur për t’i dëgjuar të gjallët se çfarë halli çajnë për ne. Do të ikin bashkë në parajsë, e ta takojnë babin e tyre sepse i ka marrë shumë malli. Këtë premtim e kanë bërë nëna dhe dy vajzat e saja. Babai i tyre u vetvra. Mungesa e tij tundoste shpirtin e kësaj famlije të cilët të lodhur nga dhimbja gërryenin muret, librat, pasqyret dhe veten. Drejt portës së parajsës u nisë njëra nga motrat, pastaj edhe nëna e si për ironi fati në mes të rrugës ngeli motra tjetër. Ajo pret lajme nga parajsa nga familjarët, përshkrimin estetik  të cilën kurrë nuk do ta gjente në këtë tokë të mallkuar meçrast bota materiale, makutëria, idiotizmi, lufta për pushtet, shkejlja e të dobëtit po na vret të gjithëve pak e nga pak. Milionerët me barkun plot, të varfërit me barkun bosh!

Shpirti i saj është bërë si llambë e lodhur me ndriçim të zbehtë e me forcë të madhe. Dritaret i lëkunden, suvaja  në murë çahet sapo dëgjon zërat e të zhdukurve që po kërkojnë drejtësi. E dremitur dhe e lodhur në karrigen e kuzhinës, në këtë rutinë ditore ajo ndjen tundje e goditje në zemër si një peshë e rëndë shkëmbi i shkëputur prej honit. Në shpirt i ndjenë të humburit e saj, por nuk është e brishtë, qëndron e fortë duke mbledhur të gjitha forcat në vetvete që t’i mposhtë dhimbjet. Në këtë ferr ajo pëjeton ulërima, duhet të ndjejë kurajo për të shtyr këtë copë jete prej hile. Vëren shpesh duart që zgjaten të familjarëve për ta përqafuar. Ndërkohë dridhjet e shpirtit janë të forta, klithmat e të vdekurve të përjetësuar përkëdhelen nga dhoma e kuzhinës dhe pjatat e familjarëve të mbushura qëndrojnë mbi tryezë. Presin dhe vetëm presin. Ajo nuk është prej atyre që kërkojnë ndihmë, nuk është prej atyre që qajnë, ulërijnë e përplasin kokën përtoke nga dëshpërimi. Ajo është grua e fortë me nje shpirt prej heroine. Ajo është Ferdonija.

Shpirtërat e dërmuar të lodhur nga jeta dhe parajsa i ngjajnë skulpturës “Melankolia” e skulptorit Albert Gyorgy. Skulpturë e pikëlluar, e plotë përmes zbrazëtirës, e dhimbshme që të shpie drejt përjetimit të thellë të mirëfilltë, dhe çdo ditë t’i shqyen copat e shpirtit. Skulptura bëhet pjesë e  jotja, edhe ti pjesë e saj. Skulptori ka humbur fëmijën e tij, dhe shpirti i tij ka lundruar bashkë me fëmijën, sikur që unë tashmë po e vështroj. Përballë kësaj skulpture copëzat e shpirtit dërmohen, dhe çdo pjesë fillon të vdesë nga pikëllimi. Pjesa e zemrës udhëton drejt parajsës dhe la një vrimë të madhe, vrimë që shpoi trupin e skulpturës. E njëjta gjë ndodh me secilin që humb fëmijën ose dikënd të afërm.

Pozita e uljes së skulpturës koka drejt tokës portretizon bashëllëkun që na trashëgoi hidhërimi.  Stoli është i rrëzuar, vepra nuk mund të klithë më, është e gozhduar përballë fatit të errët jetësor, na rikujton se të gjithë sëpaku njëherë jemi ndjerë të humbur dhe bosh në momentet e jetës. Vepra është errët sikur fatet e personazheve sipër në tekst, por shërben si një lloj komoditeti për ata që kanë përjetuar humbje dhe identifikohen me këtë skulpturë. Kësaj skulpture i mungojnë nuancat e parajsës, lumturia e padukshme sipër kokës, tregimet për jetën e përjetshme dhe gjendjen e mirë të fëmijës, ose plakjen apo mos plakjen e tij, raporti ndërmjet botës së tejdukshme, fantazmës njeri.

Të vuajmë, të vuajmë, të klithim nga dhimbja sepse do të çlirohemi për një moment nga kjo jetë e brishtë dhe famkeqe. Skulptura ka një kompozcion mungesë shprese që ka të bëjë me dëshpërimin, pakënaqësinë e ndërgjegjës. Gjithçka aty është e shkatërruar, e zhdukur, avulluar. Në momentin kur pranojmë të jetojmë, duhet ta paguajmë haraçin. Një njeri i vuajtur është i pashpresë e i ndërgjegjshmë për këtë gjë, nuk i përket më së ardhmes. Kjo është e natyrshme. Por është normale që të përpiqet për t’u shkëputur nga universi dhe fatëkeqësia e krijuar, të udhëtoj drejt parajsës t’i takoj më të dashurit.

 

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …