Deputeti serb, Nenad Rashiq ka vlerësuar se asgjë nuk mund të realizohet në Prishtinë, pa shkuar përmes Beogradit. Në një emision mbi çështjen e zgjedhjeve të paralajmëruara të Serbisë në Kosovë të transmetuar në RTK, ai ka thënë se asgjë nuk po realizohet për serbët në Kosovë, pa ndërhyrjen e Serbisë. Rashiq, i njohur për qëndrimin e tij lojal ndaj institucioneve të Kosovës, ka thënë se në cilësinë e kryetarit të Partisë Progresiste Demokratike kishte shkuar tri herë te kryeministri, Isa Mustafa, por ky i fundit nuk ka ndërmarrë asgjë. Sipas tij, kjo është arsyeja që e ka shtyrë t’i bashkohet subjektit ‘Lista Srpska’. “Unë pastaj kam hyrë sepse kur kuptova se kurrfarë interesi nuk mund të realizoj në Prishtinë pa shkuar përmes Beogradit dhe çka është tragjiko-komike në fund unë shkova në Beograd që të realizoj të drejtën në Prishtinë”, është shprehur Rashiq.
