leoni

Arbanë Qeriqi-Gashi

Arbanë Qeriqi-Gashi: 10 femrat më të afta e më të përgjegjshme të Kosovës, sesa Vjosa Osmani, për ta udhëhequr vendin

Mundësitë, që zonja,  Vjosa Osmani, të emërohet kryetare e Kosovës janë evidente, edhe pse ende nuk kemi të bëjmë me një fakt të tillë, të kryer.

Sjelljet jo aq të matura  dhe prepotenca politike, intoleranca, hakmarrja, mungesa e përgjegjësisë për vetëpërmbajtje e   zonjës, Vjosa Osmani, na shtyjnë të mendojmë se Kosova ka shumë femra të tjera  politikane, të njohura në sa e sa lëmi, që do të ishin më të përshtatshme e më të përkushtuara për postin  e kryetares së Shtetit. Por ja që loja dhe pazari politik i zgjedhjeve kanë sjellë në sipërfaqe këtë nivel të një femre, e cila është votuar nga pjesa më e madhe e votuesve të Vetëvendosjes dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, edhe pse në këto dy parti dhe në parti të tjera  ka femra shumë më të afta, më të zonja dhe më të vetë përmbajtura   për postin e kryetares së Shtetit, sesa është aktualisht, Vjosa Osmani.

Kjo mund të jetë kryetarja e dytë femër e vendit tonë,  e cila nuk doli nga një zarf i një ambasadori amerikan, sikur ishte zgjedhur, zonja Atifete Hajhaga, e preferuara e ambasadorit amerikan, Kris Dell, por zonja Osmani  doli nga vota e dy partive politike, me programe të kundërta, madje edhe ekstremisht kundërshtare. Por interesi për ta ndarë pushtetin në Kosovë gjithnjë ka thyer parimet dhe ka bërë drithë e miell  të djathtët e të majtët, që as kanë qenë as janë të majtë të mirëfilltë, as të djathtë të mirëfilltë, por  janë një kazan politik që zien bashkë krejt çka është hedhur  në të.

Ja se cilat mendoj unë se do të ishin femrat më të suksesshme, më të afta më të vetë përmbajtura për kryetare të Kosovës, nëse pretendohet se kryetarja doemos duhet të jetë femër, meqë si gjini do të ishte më e pranueshme për ambasadorët e huaj në Kosovë e sidomos për BE-në, po pse jo edhe për opinionin shumicë në Kosovë, ku ende dominon bindja se vetëm  meshkujt janë të lindur për t’ u bërë kryetar dhe për të bërë nam.

Këta mujsharë, meshkuj të politikës kanë harruar se dikur proto-shqiptarët ilirë, kishin Teutën mbretëreshë. Në mesjetën e hershme ishte e njohur princesha Ana Komnena, pastaj Donika Kastrioti, Llaskaria Bubulina, Dora D’ Istria, e shumë të tjera.

Kualitetet arsimore, edukative dhe diturinë solide politike e drejtuese për kryetare të vendit e plotëson  në të gjitha segmente,  ish ministrja e Arsimit të Shqipërisë, zonja Besa Shahini, pastaj Donika Gërvalla, jo se nuk është hakmarrëse dhe e papërmbajtur, njëjtë si Vjosa Osmani, por do të ishte e pranueshme për shumicën në vend, me faktin se është bija e heroit, Jusuf Gërvalla. Pastaj një nivel të duhur të perceptimit real politik dhe aftësi për të udhëhequr  kanë edhe: Vlora Çitaku, Time Kadrijaj, Magbule Shkodra, Labinotë Demi-Murtezi, edhe pse  ajo e ka pengesë shaminë, dhe është vështirë e besueshme se do ta hiqte shaminë nga koka për  postin e kryetares, pastaj  Eliza Hoxha, Albulena Haxhiu,  Blerta Deliu-Kodra dhe Velentina Bunjaku-Rexhepi.

Cila do prej këtyre femrave politikane, sipas mendimit tim,  do të ishte më e përshtatshme dhe më e pranueshme për ta udhëhequr Kosovën sesa, Vjosa Osmani,  e cila nuk iu përmbahet  parimeve bazë politike, as ideologjike e shoqërore dhe është e vetmja politikane kundërshtare e hapur e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe hakmarrëse ndaj kundërshtarëve politikë. Asnjëra prej dhjetë politikaneve të përmendura nuk kanë qenë as janë hakmarrëse politike as kundërshtare të UÇK-së.

Nga kundërshtare  e papërmbajtur  kundër Vetëvendosjes, zonja Vjosa Osmani, tani është pjesa më e pranueshme e programit dhe ideologjisë partiake të Vetëvendosjes.

Po kështu zonja, Vjosa Osmani, në synimin e saj për t’ u votuar  kryetare, fare lehtë mund të bashkohet me LDK-në e re të Lumir Abdixhikut nga ku tashmë është larguar garda besnike e Ibrahim Rugovës dhe pjesa më meritore  e kësaj partie.

Kontrolloni gjithashtu

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në këtë përvjetor të 8-të, të Televizionit Dielli, reflektojmë me krenari mbi një rrugëtim të …