Libri i ri, “Ëndrra të kripura”, i poetes së mirënjohur Mina Çaushi përbëhet nga dy pjesë, pjesa e parë me poezi dhe e dyta me fjalë të urta. Kur lexon librin në brendi gjen poezi që dalin nga flaka e zemrës, poezi të sinqerta, vargje plot ndjenjë që japin mesazhe të fuqishme shpirtërore.
Në vargëzimet poetike autorja ëndërron, shpreson, mediton, kuvendon por nëpërmjet sarkazmës dhe metaforës edhe heq maskat nga fytyrat e shëmtuara në shoqëri, përballet me zhgënjimet, ndez ëndrrat e shpresës, afron imagjinatën duke i sjellë lexuesit vlera të mirëfillta poetike.
Mina me gjuhën e poezisë flet edhe për të kaluarën jo të largët dhe vuajtjet tona që nuk duhen harruar.
Poezitë e këtij libri sjellin një tematikë mjaft të gjerë, pothuajse nga çdo fushë, ato flasin për jetën, atdheun, dashurinë, ka përkushtime për individë të posaçëm që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën e saj. Këto poezi karakterizohen nga ngjyra reale e vargut, thellësia e mendimit, kanë strukturë të veçantë, të shtrira tematikisht sikur burojnë nga një gurrë e pashtershme frymëzimi.
Pjesa e dytë me fjalë të urta janë jo vetëm nga shtysa apo nga prodhimi i popullit tonë. Jo! Nëse populli këto vlera të rralla e të rëndësishme i ka ruajtur me fanatizëm, sepse kanë vlera të rralla gojore dhe shprehin kuptimësinë e drejtpërdrejtë të popullit ndaj “gjendjes” së shfaqur aty për aty, nga ana tjetër autorja ka dhe fjalët e saj të urta tepër të veçanta, deri diku dhe filozofike, që përcjellin dhe artin e saj specifik. Këtyre vlerave shumë të rëndësishme të thesarit tonë popullor, autorja i ka shtuar dhe diturinë e saj ku lexuesi jo vetëm që “relaksohet”, por edhe mëson nga ato për të qenë i përgatitur për të panjohurat në jetën e përditshme…
Këto aforizma janë të dobishme dhe fort të rëndësishme për faktin se, ato janë të shprehura mjeshtërisht dhe ngërthejnë në vete anën artistike dhe figurative të lidhura ngushtësisht. Nga këto fjalë të urta, lexuesi i çdo moshe orientohet për jetën dhe për t’u gjendur i fortë në disa momente të caktuara të saj kur ndihet i dyzuar. Edhe letërsia popullore shqipe, fjalëve të urta u
ka dhënë në të gjitha fushat e jetës së njeriut rëndësinë e duhur pasi ato reflektojnë qartë dhe bukur tek njeriu përditshmërinë e tij me të gjitha dimensionet jetësore dhe kohore që i shohin si
pasqyrë reflektimi. Këto thënie të autores janë nxjerrë nga logjika, leximi, përvoja jetësore, eksperienca në krijimtari dhe debatet në përditshmëri.