Pas shumë reagimeve në opinion, Shoqata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare publikisht distancohet nga deklarata e pamenduar mirë e z. Fazli Veliu më 14 mars 2021 në Tetovë, në lidhje me datën e daljes në skenë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Sipas kalendarit të shoqatës, data oficiale është 16 shkurti i vitit 2001 kur e kemi edhe dëshmorin e parë Muzafer Xhaferi nga fshati Tanushë i Malit të Zi të Shkupit i cili u vra nga forcat policore-ushtarake maqedonase në momentin e kryerjes së detyrave ushtarake dhe jo 14 marsi 2001 sipas deklaratës së z. Fazli Veliu.
Paqja, drejtësia, barazia, bashkëjetesa dhe mirëqenia qytetare, për bazë e kanë definicionin: “Marrëdhënie reciproke, në pozita të barabarta.”
Gjithashtu deklaratat individuale të Artan Grubit dhe bashkëmendimtarëve sipas rekomandimeve nga pala maqedone për pajtim ndër etnik, shoqata i vlerëson si deklarata të shpejtuara dhe pa ndonjë studim cilësor dhe gjithëpërfshirës. Deri sa kreu i këtij vendi nuk heqin dorë nga karakteri unitar i shtetit, nuk distancohen nga sundimi i padrejtësisë dhe diskriminimit shumë dimensional në baza etnike dhe fetare ndaj shqiptarëve, nëse nuk e kuptojnë që njëmendësia e tyre dhe këto që numëruam janë shkaqet kryesore që sollën deri në kryengritjen e vitit 2001, nëse nuk implementohet jetësimi praktik i kërkesave të dalura nga lufta e lavdishme e UÇK-së, askush dhe asnjëherë nuk e ka të drejtën të del para nënave shqiptare, që të fletë për falje gjaku ose pajtim ndër etnik.
Deklaratat e fundit të disa mediumeve maqedonase, të krerëve të Kishës Ortodokse Maqedone dhe disa institucioneve relevante në këtë shtet, janë dëshmi e mjaftueshme e shprehjes së shovenizmit dhe mendimeve fashizoide që kanë ndaj popullatës shqiptare në RMV.
Pushteti dhe partitë politike, në vend që të merren me pasojat, e udhës është të kërkojnë dhe parandalojnë njëherë e përgjithmonë shkaqet brenda sistemit, të cilat shkaqe janë burimi kryesor i krizës që cenojnë sigurinë dhe stabilitetin në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Daim Iseni