Sabit Syla

Prof.asoc.dr. Sabit SYLA: Dokumente nga AQFARSH dhe AQMMP Arkivi Qendor (Drejtoria e Zbulimit), për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë I

              Demonstratat e vitit 1981 përbëjnë një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar. Në arkivat e shtetit shqiptar ekzistojnë dokumente relevante arkivore si burime me vlerë historike të dorës së parë, të cilat ndihmojnë që analizat dhe përfundimet shkencore të jenë sa më të besueshme e më të qëndrueshme përballë kohës dhe kritikes së mirëfilltë historiografike. Duke u mbështetur në dokumentet e këtyre fondeve, Tirana zyrtare ishte në dijeni për shumë zhvillime politike që ndodhnin në atë kohë në Jugosllavi dhe Kosovë.

                Demonstratat e Marsit dhe Prillit të vitit 1981, patën jehonë sidomos në Republikën Popullore të Shqipërisë, e cila jo vetëm që vlerësoi kërkesat e demonstruesve, por dënoi pa mëdyshje dhe me vendosmëri qëndrimin e autoriteteve jugosllave ndaj tyre.

Kjo, u prit me zemërim në qarqet jugosllave, e cila akuzoi Shqipërinë se qëndronte prapa demonstratave në Kosovë, që jetonin nën pushtimin e RSFJ-së. Në Jugosllavi edhe mendohej se Shqipëria do të heshte, duke pasur në konsideratë rrethanat konkrete të zhvillimit të atyre ngjarjeve, që kishin të bënin me vendin dhe rolin e Jugosllavisë në marrëdhëniet me Shqipërinë, mbetjen e saj pa aleat të madh pas prishjes së marrëdhënieve me Kinën etj. Megjithatë, ngjarjet rrodhën ndryshe. Byroja Politike e Komitetit Qendror dhe Qeveria e Republikës së Shqipërisë mbajtën qëndrim shumë kritikë ndaj Jugosllavisë dhe në veçanti ndaj politikës serbe.

                  Nga këto dokumente vërehen  segmente të shumta të hulumtimeve e studimit të rrethanave të përgjithshme të vitit 1981. Nga ky angazhim i jashtëzakonshëm i shtetit dhe institucioneve të Mbrojtjes kuptojmë se Republika e Shqipërisë kishte përcjellë me shumë vëmendje, të gjitha zhvillimet në Kosovë, dhe kishte siguruar të dhëna sekrete nga të gjitha burimet e mundshme…!

         Këto dokumente, sipas gjykimit tonë, janë faktografi shumë të rëndësishme historike, të cilat do t’u shërbejnë studiuesve të Lëvizjes sonë Kombëtare në përgjithësi dhe të Demonstratave të vitit 1981 në veçanti, për të mbushur boshllëqet e ndjeshme që ka historiografia jonë, sidomos në dokumentet e këtij karakteri.

REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË

MINISTRIA E MBROJTJES POPULLORE

SHTABI I PËRGJITHSHËM

   Tiranë, më 13. 4. 1981

MINISTRISË SË PUNËVE  TË BRENDSHME

 (Drejtorisë së III)

Lënda: Mbi të dhëna me karakter ushtarak për ngjarjet në Kosovë.

Shtabit të Përgjithshëm i interesojnë të dijë të dhëna me karakter ushtarak rreth zhvillimit të ngjarjeve në Kosovë:

  1. Sasia e forcave dhe dislokimi i tyre në territorin e Kosovës para fillimit të demonstratave (11. 03. 1981).
  2. Sa forca u dërguan në Kosovë (të ushtrisë dhe policisë) dhe nga cilat rajone të Jugosllavisë u hoqën. Konkretisht cilat njësi apo reparte u dërguan.
  3. A u bë mobilizimi i efektivit rezervist për repartet që u dërguan në Kosovë dhe cilat reparte e njësi kaluan në gatishmëri luftarake (të Zonës 2-të Ushtarake të Nishit, Zonës 3-të Ushtarake të Shkupit, Rrethit Ushtarak Autonom të Titogradit, etj.).
  4. Drejtimet e lëvizjes së forcave dhe mënyra e transportimit te tyre (me makina, helikopterë, aeroplanë transporti etj.).
  5. Brenda sa kohëve erdhën forcat e ushtrisë dhe policisë në Kosovë dhe si bashkëvepruan midis tyre për shtypjen e demonstratave.
  6. Në cilat rajone konkrete u dislokuan forcat e reja të dislokuara dhe si u përdoren konkretisht.
  7. Çfarë masa u morën për përforcimin e kufirit në vendin tonë. Në cilat drejtime u përqendrua më tepër vëmendja dhe cilat drejtime u lanë më të zbuluara.
  8. Masat konkrete që u morën gjatë shpalljes së gjendjeve së jashtëzakonshme (përveç masave të tilla si bllokimi i hyrjeve të qyteteve me tanke e transportues të blinduar, vendosjes së mitralozëve në kryqëzimet e rrugëve në qytete etj.).
  9. Sa dhe cilat forca u përdoren për përshtypjen direkte të demonstratave.
  10. Kush i drejtonte veprimet e reparteve të ushtrisë (atyre të dislokuara në territorin e Kosovës dhe atyre të sjella në këto rajone në kohen e demonstratave).
  11. Duke u nisur nga të gjitha masat e marra nga udhëheqja jugosllave për të shtypur demonstratat në Kosovë, a rezulton të jetë i përgatitur dhe i planëzuar që më parë ndonjë plan për ndërhyrje në situata të tilla në Kosovë.

SHEFI I SHTABIT TË PËRGJITHSHEM TË USHTRISË, VELI   LLAKAJ

REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË

MINISTRIA E MBROJTJES POPULLORE

SHTABI I PËRGJITHSHËM

Drejtoria e Zbulimit                Tiranë, më 16. 4. 1981

INFORMACION

 Në shifrogramin e datës 11.11.1980 që komanda e Grupit të 52 Operativ në Prishtinë ia drejton komandës së Armatës 2-të në Nish thuhet:

Komanda e grupit 52 Operativ, Nr. 18-536

Njoftim mbi lëvizjen e makinave ushtarake

Per komandën e Armatës së 2-të (Qendrës Operative)

Për datën 12.11.1980 planifikohet lëvizja e makinave ushtarake si më poshtë:

  1. Jashtë garnizonit:

– Në repartet e Grupit 52 operativ: 4 makina në drejtimin Prishtinë-Uroshevac nga ora 07:00 deri në orën 19:00.

1 makinë në drejtimin Prishtinë nga ora 07:00 deri në orën 19:00.

1 makinë nga Qendra e 47 e Zbulimit në drejtimin Prishtinë-Nish nga ora 07:00 dhe nuk kthehet.

  1. Brenda garnizonit:

– Nga 15 PPBr (Brigada e 15 e Këmbësorisë) – 4 makina.

– Nga  prapavija e garnizonit të Prishtinës – 3 makina.

– Nga  549 PP (Regjimenti  549 i Këmbësorisë) – 5 makina.

– Nga 2/549 PP (Batalioni i 2-të i Regjimentit 549 Këmbësorisë) – 3 makina.

– Nga 26 dhe 27 GO (Detashmenti i 26 dhe 27 i Ndjekjes) nga 2 makina secili.

– Nga 28 GO (Detashmenti  i 28 i Ndjekjes) – 5 makina.

– Nga  prapavija e garnizonit të Mitrovicës 5 – makina.

– Nga 3 TSK (Baza e 3- të e furnizimit materialo-teknik) – 1 makinë.

– Nga ambulanca e garnizonit të Mitrovicës – 2 makina.

Oficeri operativ

Nënkolonel Urosh Llakiç

  Shënim:

Sipas përmbajtjes se këtij shifrogrami nga grupi i 52 Operativ në Prishtinë varen:

– Brigada e 15 e Këmbësorisë;

– Regjimenti i 549 i Këmbësorisë;

– Qendra e 47 e Zbulimit;

– Detashmenti 26, 27, 28, i ndjekjes;

– Baza e 3-të e Furnizimit materialo teknik.

Në shifrogramin e datës 07. 04.1981 qe komanda e Korpusit 52 në Prishtinë ia drejton disa njësive, thuhet:

Komanda e Korpusit 52, Nr. 20-7, datë 7.4.1981

Mbledhje në komandën e Korpusit 52

           Komandantit të Brigadës se L5 të Këmbësorisë, Brigadës se 243 Tankiste, Regjimentit 549 të Këmbësorisë, Brigadës 592 të Motorizuar, Regjimenti 102 i Artilerisë Kundërtanke i Motorizuar, Regjimenti 2-të Parashutist (mundësisht), Brigada e 211 Tankiste, 20 PPGP (i papërcaktuar, mundësisht regjiment i kufirit), 3, 4, 6 KZR (të papërcaktuar), Brigada 125 e Këmbësorisë Malore.

Në  orën  07:00 do të mbahet mbledhja në Komandën e Korpusit 52- të.

   Në mbledhje do të vlerësohet plotësimi i detyrave të deritanishme të emërtuar “AKACIJA – 81” (Aksioni – 81), dhe do të përcaktohet detyrat e mëtejme.

Në mbledhje do të marrin pjesë: komandantët dhe zëvendës komandantët të edukimit politik: të Brigadës 15 Këmbësorisë, Brigadës 243 Tankiste, Brigadës 592 Motorizuar, Regjimenti 549 të Këmbësorisë, Regjimentit 102 të Artilerisë Kundërtanke të Motorizuar, Regjimentit 2-të Parashutist (mundësisht), 20PPGP (i papërcaktuar, mundësisht regjiment kufiri), Brigadës 211 Tankiste.

– Gjeneral majori Ali Muhagjiri

– Komandantet e 3, 4, 6 KZR (të papërcaktuar), Brigadës 125 së Këmbësorisë Malore, Drejtorët e Bazës 202 Teknike dhe të Bazës 418 të Prapavijës, shefi i UVO (i papërcaktuar).

Nga  komanda e Korpusit:

– Zëvendës komandantët dhe shefat e llojeve të armëve të shërbimeve.

– Komandantët e regjimenteve dhe brigadave do të raportojnë për rreth 15 minuta për: vlerësimin e kryerjes së detyrave sipas planit “AKCIJA-81”, (Aksioni-81) dhe gjendjen moralo-politike.

Shënim:

Sipas përmbajtjes se këtij shifrogrami mendohet që Grupi i 52 Operativ në Prishtinë të jetë ngritur në shkallë Korpusi me rastin e ngjarjeve në Kosovë, në vartësi të të cilit mund të kenë kaluar njësitë e mëposhtme:

– Brigada e 15 e Këmbësorisë në Prishtinë (ekzistuese);

– Brigada e 243 Tankiste (sipas të dhënave të deritanishme kjo brigadë dislokohej në Shkup në vartësi të Zonës së 3-të  Ushtarake);

– Brigada e 211 Tankiste (sipas të dhënave të deritanishme kjo brigadë dislokohej në Nish, në vartësi të Armatës së 2-të);

– Regjimenti i 549 i Këmbësorisë (ekzistues);

– Brigada e 592 e Këmbësorisë së Motorizuar (e pa njohur nga ne deri tani);

– Regjimenti i 2-të (mundësisht parashutist); (deri tani i pa njohur);

– Regjimenti 102 i Artilerisë kundërtanke i motorizuar (i pa njohur deri tani nga ana e jonë);

– Brigada e 125 Këmbësorisë Malore (e panjohur deri tani nga ana e jonë);

– Regjimenti 20 i Kufirit (mundësisht);

– Baza 202 e Teknikes;

– Baza 418 e Prapavijës;

Të dhënat e këtyre shifrogrameve po i studiojmë me kujdes.

DREJTORI I DREJTORISE SE ZBULIMIT

MEHMET MUSAJ

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Edhe pse po binte shi i imët vjeshtor, Ruzhdi Jashari me ekipin e tij ka …