- 3. Acarimi i marrëdhënieve shqiptaro – jugosllave
Përkrahja e demonstruesve dhe e kërkesës së tyre Kosova Republikë e demaskimi i politikes jugosllave për politiken skllavëruese ndaj shqiptarëve ne Jugosllavi, u prit me zemërim në qarqet jugosllave. Në Jugosllavi, mendohej se Shqipëria do të heshte, duke pasur në konsideratë rrethanat konkrete të zhvillimit të atyre ngjarjeve, që kishin të bënin me vendin dhe rolin e Jugosllavisë në marrëdhëniet me Shqipërinë, mbetjen e saj pa aleat të madh pas prishjes se marrëdhënieve me Kinën etj. Megjithatë, ngjarjet rrodhën ndryshe. Byroja Politike e Komitetit Qendror dhe Qeveria e Republikës së Shqipërisë mbajtën qëndrim shumë kritikë ndaj Jugosllavisë dhe në veçanti ndaj politikës serbe46. Udhëheqja shqiptare jo vetëm që vlerësoi kërkesat e demonstruesve por dënoi pa mëdyshje dhe me vendosmëri qëndrimin e autoriteteve jugosllave ndaj tyre.
Udhëheqja politike jugosllave fillimisht nuk akuzoi Shqipërinë për demonstratat e zhvilluara, nëse mbështetemi në një intervistë në Rilindje me 07 prill 1981, por edhe në një konferencë shtypi, nga Stane Dollanc*. Ky përjashtoi mundësinë që shteti shqiptar të kishte gisht në ngjarjet e zhvilluara. Dollanci përkujtoi deklaratën e mëhershme të Enver Hoxhës, në të cilën pati thënë se, Shqipëria është shumë e interesuar për pavarësinë, ruajtjen e integritetit dhe pacenueshmërinë e kufijve të Jugosllavisë dhe se Shqipëria është e gatshme të luftojë kundër çdokujt që do të rrezikonte pavarësinë e Jugosllavisë. “Ne shpresojmë se Shqipëria edhe më tutje qëndron në këto pozita. Sepse nëse diçka është e qartë atëherë është e qartë se çdo sulm, çdo rrezikim i Jugosllavisë në çfarëdo mënyre do të dëmtonte po ashtu edhe Shqipërinë, pra edhe kjo në Kosovë dëmton interesat e Shqipërisë”, kishte thënë Dollanci duke shtuar se: “Jugosllavia nuk ka marrë kurrfarë note nga Shqipëria as që mund të thotë se prapa kësaj qëndron qeveria shqiptare”47.
Me 9 prill agjencia jugosllave e lajmeve Tanjug, reagoi ashpër ndaj artikullit, te shkruar me 8 prill ne gazetën “Zëri i Popullit”48, e te emituar nga Radio Tirana, duke e cilësuar atë si sulm flagrant ne punët e brendshme te Jugosllavisë, nxitëse të tendencave armiqësore, etj49. Sipas organeve jugosllave, ishte Shqipëria ajo që qëndronte mbrapa ngjarjeve në Kosovë, qe nxit luftën në Kosovë, për t’i hapur rrugën asaj për t’u bashkuar me Shqipërinë. Llazar Kolishevski, anëtar i Presidencës së RSF të Jugosllavisë, ndër të tjera ishte shprehur: “…Politika e Shqipërisë dhe veprimtaria e saj propagandistike ndaj Kosovës janë një nga burimet e rëndësishme të euforisë nacionaliste… Në materialet e këshillit të përgatitur për Presidencën janë paraqitur mjaft fakte mbi atë se çfarë veprimtarie propagandistike-subversive ka bërë dhe bënë Shqipëria ndaj Jugosllavisë, e veçanërisht ndaj Kosovës. Artikujt më të fundit në gazetën “Zëri i Popullit” tregojnë qartë se prapa çdo gjëje qëndron qeveria shqiptare dhe Partia e Punës së Shqipërisë…”50. Dobrivoje Vidiç, po ashtu akuzoi organet zyrtare të Shqipërisë, për punë informative e ideopolitike lidhur me aktivitetin dhe propagandën politike armiqësore që është bërë nga Tirana, ndaj Jugosllavisë51. Ndërkohë, më 8 maj 1981, këshilltari i ambasadës së Jugosllavisë në Tiranë, Spasoje Tuniq gjatë bisedës që kishte pasur me Jovan Antonin, në pritjen e dhënë nga ambasada çekosllovake, kishte thënë se: “Autoritetet jugosllave janë të bindura se në Lëvizjen e Kosovës kanë dorë reaksionarët ballistë e zogistë, që janë njëkohësisht edhe armiq të Shqipërisë. Ata, shtoi ai, nuk janë enveristë, për këtë jemi të sigurt, sepse kemi kapur programin e tyre ku del e qartë lidhja qe ata kanë me reaksionin”52.
Sekretariati Federativ për Punë të Jashtme i RSF të Jugosllavisë, përmes një Promemorie i tërhoqi vëmendjen Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë për propagandë dhe aktivitete të tjera nga Shqipëria dhe përfaqësitë e saja diplomatike në lidhje me ngjarjet e kohëve të fundit në Kosovë, që pala jugosllave i çmonte si mbështetje direkte dhe publike të forcave irredentiste, që drejtoheshin kundër integritetit dhe rendit kushtetues të RSF të Jugosllavisë dhe që përfaqësonin akte armiqësore e ndërhyrje të palejueshme në punët e brendshme të saj53. Lidhur me këtë çështje, zëvendëssekretari federativ Milorad Peshiq, më 14 maj ftoi ambasadorin shqiptar Sokrat Plaka dhe gjatë bisedës që zhvilluan, i dorëzoi Promemorien e lartpërmendur, duke e porositur që pala shqiptare të vlerësojë me kujdes atë dhe duke i tërhequr vërejtjen edhe gojarisht ambasadorit shqiptar54.
Sekretari federativ i Punëve të Brendshme, Franjo Hërleviç, po ashtu akuzoi Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë, Ambasadën e saj në Beograd dhe në vende të tjera të botës, si nxitëse të ngjarjeve në Kosovë.55 Sekretari ne fjale, më 09 qershor 1981 në mbledhjen e Këshillit Federativ të Kuvendit të RSF të Jugosllavisë raportoi mbi gjendjen e sigurisë në Kosovë. Sipas raportit të tij: “Në KSA të Kosovës është zbuluar organizata ilegale irredentiste e njohur me emrin “Lëvizja kombëtare për çlirimin e Kosovës dhe të krahinave të tjera shqiptare”. Kjo organizatë vepron me platformën e Partisë së Punës të Shqipërisë…, një numër i caktuar anëtarësh të “lëvizjes”, janë larguar gjatë viteve në botën e jashtme dhe kanë formuar një organizatë, që mban emrin “Fronti i kuq popullor”…, Në demonstrata dhe në aktivitetet e tjera armiqësore të këtij Fronti, marrin pjesë edhe disa anëtarë të fraksioneve marksiste-leniniste të partive komuniste evropianoperëndimore, të cilët shkojnë herë pas here në Shqipëri, madje qenë të ftuar edhe në kongresin e fundit të Partisë së Punës të Shqipërisë.
Përveç “lëvizjes” së lartpërmendur, vazhdonte Hërleviç, gjatë viteve 1979, 1980 e 1981 është zbuluar edhe ekzistenca e një organizate ilegale që e quan veten “Partia Komuniste Marksiste-Leniniste Shqiptare në Jugosllavi”. Fjala është për një organizatë, e cila ka të njëjtin qëllim, si edhe “lëvizja” e lartpërmendur-bashkimin e të ashtuquajturave krahina shqiptare në Jugosllavi dhe krijimin e një “Shqipërie të madhe”. Sipas tij, ishin identifikuar 137 vetë. Hërleviç, më tej kishte shtuar se: “Faktorët zyrtarë të Shqipërisë, shtypi dhe radiotelevizioni i përkrahin dhe i nxisin irredentistët për aksione të reja armiqësore…”56. Ndërkohë, bëri të ditur se 154 vetë presin të dalin në gjyq lidhur me demonstratat e vitit 1981 prej të cilëve 29 janë organizatorë të trazirave dhe njerëz të akuzuar se kanë lidhje me shërbimet e zbulimit të Shqipërisë staliniste fqinjë. Më tej në Kuvend tha se autorë të parullave armiqësore janë 46-vetë e 104 vetë janë për qëndrime publike armiqësore ndërsa 506 vetë janë ndëshkuar, rreth 1700 janë arrestuar dhe janë marrë në pyetje nga policia mbas demonstratave, ku u vranë nëntë vetë dhe disa dhjetëra u plagosën57.
Akuza dhe kritika të ashpra, u adresuan ndaj profesorëve nga Tirana që kishin ligjëruar në Fakultetet e Prishtinës gjate viteve 70-ta, duke ushtruar ndikimet e tyre politike, si të papenguar nga askush. Po ashtu, përdorimi i literaturës së ardhur nga Shqipëria e cila nuk ishte mbikëqyrur më parë, bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të ndryshme të të dy vendeve shqiptare, etj. Në fund të qershorit, gazeta Rilindja e Prishtinës botoi pjesë nga konferenca e shtypit e Milosh Miniçit, sipas Tanjugu-t, duke e titulluar “Shqipëria zhvilloi politikë të dyfishtë ndaj Jugosllavisë”58. Ashtu si më parë u dhanë pjesë ku akuzohej Shqipëria si shkaktar i keqësimit të marrëdhënieve, se Shqipëria është përzier në punët e Jugosllavisë, se ka shfaqur pretendime territoriale, se ka sulmuar rendin kushtetues etj. Më 22 nëntor 1981, në mbledhjen e KQ të LKJ-së, u aprovua Platforma për Kosovën. Në Platformë, krahas çështjeve të ndryshme të trajtuara për Kosovën, vend të veçantë zuri edhe analiza e marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave. Shqipëria u akuzua përsëri për ndërhyrje në punët e brendshme të RSF të Jugosllavisë e për pretendimet e saja territoriale59.
Edhe, udhëheqja politike e Kosovës sulmoi ashpër për intriga djallëzore Tiranën60. Komiteti Krahinor i Lidhjes Komuniste të Kosovës, ne mbledhjen e vet te mbajtur (një dite para deklaratës se S. Dolancit), me 06 prill61, ndër të tjera u ndal edhe të veprimtaria dhe ndikimi i shërbimit informativ dhe propagandës së përgjithshme nga RP e Shqipërisë, që kishte ndikim tek nacionalistët e irredentistët në vend, si dhe në grupin e “Frontit të Kuqë”. Sipas kësaj mbledhjeje, bindshëm mund të konstatohej që Shqipëria bashkëpunimin e kishte shfrytëzuar për veprimtari subversive e propagandistike e orientuar në nxitjen e nacionalizmit e shovinizmit, shkatërrimin e vëllazërim – bashkimit e nxitjen e irredentizmit… Me koncept të përgjithshëm e parulla që janë shërbyer bartësit e kësaj veprimtarie, “Një komb – një shtet” ata kanë shkruar shumë materiale për gjoja se “për shkëputjen e padrejtë të popullit shqiptar nga shteti amë, për okupimin e Kosovës, për situatën e rëndë ekonomike të popullit shqiptar në RSFJ, për padrejtësitë ekonomike, politike e sociale, e shpeshherë me propagandën e tyre e kanë thirrur popullin që të përgatitet për “momentin e duhur dhe vendimtar”, për bashkimin e Kosovës Shqipërisë, duke theksuar se deri te kjo patjetër duhet me ardh. Ky aktivitet subversiv-propagandistik nga RP e Shqipërisë, vlerësohej se përveç mjeteve të saja të informimit, është zhvilluar nga përfaqësitë diplomatike të Shqipërisë në disa vende perëndimore, nga ambasada e Shqipërisë në Beograd etj.
Në mbledhjen e 99 te Kryesisë së Komitetit Krahinor të Lidhjes Komuniste të Kosovës, të mbajtur me 13 qershor 1981, ne fjalën hyrëse lidhur me vlerësimin e situatës politike dhe të sigurisë në krahinë – Ali Shukrija62, për rolin dhe ndikimin e shtetit shqiptar ndër të tjera kishte thënë: “…Nga ana e Shqipërisë zhvillohet në mënyrë sistematike dhe intensive propagande armiqësore, përmes shtypit, radios e televizionit, të cilat në Kosovë kanë një shikueshmëri dhe dëgjueshmëri të jashtëzakonshme… Është shumë e intensifikuar propaganda shqiptare sidomos nga përfaqësitë diplomatike në Evropë dhe SHBA e sidomos në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”.
Në përgjigje të akuzave nga Beogradi dhe Prishtina, Organi i Komitetit Qendror të PPSH-së theksonte se: “Shqipëria nuk kishte ndërhyrë dhe nuk do të ndërhynte në punët e brendshme të Jugosllavisë”, se nuk kishte bërë kurrë rivendikime territoriale”, se “populli shqiptar nuk ishte për minimin e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe se do të luftonte krah për krah me popujt e Jugosllavisë, në qoftë se këta atakoheshin, nga kushdo qoftë”63.