Në 20 Vjetorin e rënies përkujtohen Dëshmori Baki Krasniqi, Dëshmori Ilaz Thaqi, Raif Thaqi, dhe gazetari i ndjerë Karem Lawton

Në ambientet e SHMU “Ilaz Thaçi” në Han të Elezit me Akademi Përkujtimpre është shënuar 20-vjetori i rënies të dëshmorëve: Baki Krasniqi, Ilaz Thaqi, Raif Thaqi, dhe  gazetarit të ndjerë,  Karem Lawton. Në hapjen e kësaj Akademie përkujtimore, Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit Rufki Suma duke përshëndetur familjet e dëshmorëve të kombit, përfaqësuesit të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, dhe të pranishmit e tjerë tha se, edhe pse jemi në kushte të Pandemisë që e përfshiu tërë botën, megjithatë edhe në këto kushte, me numër të kufizuar të pranishëm po shënojmë 20 vjetorin e rënies të dëshmorëve, Baki Krasniqi, Ilaz Thaqi, Raif Thaqi, dhe të gazetarit të ndjerë Karem Lawton. Të nderuara dhe shumë të respektuara familje të dëshmorëve të kombit, e nderuara familje e dëshmorit Baki Krasniqi, familje e dëshmorit Ilaz Thaqi, Raif Thaqi, të nderuar koleg të gazetarit të ndjerë Karem Lawton, të nderuar përfaqësues te shoqatave te dala nga lufta e UÇK-së, të nderuar banorë të Krivenikut e ju përjetues te kësaj ngjarje qe morët plagë nga granatimi i 29 marsit, te nderuar përfaqësues të institucioneve lokale,te nderuar te pranishëm.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, dhe Çlirimit të saj nga okupatori serb, u shtrua nevoja që edhe shqiptarët ne Maqedoni te luftojnë për liri dhe te drejtat e saja. Ishte shkurti i vitit 2001 kur edhe ne Maqedoni filluan luftimet ne mes te Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare ne njërën anë dhe ushtrisë e policisë maqedone ne anën tjetër. Pushteti maqedon ne pamundësi qe ti del në ballë ushtarëve te Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare qe vepronin si ne shumë fronte tjera te luftës ne Maqedoni, ashtu edhe ne Greqan, fshat kufitar me Krivenikun e Kosovës vendosi te granatoj fshatrat e Kosovës si në Seqishtë ashtu edhe Krivenik. Me datë 28 mars te vitit 2001 disa granata te ushtrisë maqedone ranë në territorin e fshatit Seqishtë, ne brendi te Kosovës. Banorët lokal njoftuan ushtarët e KFOR-it polak dhe amerikan për këtë ndodhi dhe për rrezikun qe po i kanoset banorëve te fshatrave kufitare me Maqedoni, por siç u pa nga ana e KFOR-it nuk ishte ndërmarrë asgjë ngase granatimet jo vetëm qe nuk ishin ndërprerë por ato filluan te shpeshtohen edhe më shumë sidomos 29 marsin e atij viti kur granatat e ushtrisë sllavomaqedone me minahedhës te kalibrit 120 milimetra ranë pa ndërprerë mbi fshatin Krivenik si pasoj e se cilës u vranë 4 qytetar ne mesin e tyre edhe gazetari anglez i Agjencisë Asoshieted Press, 30 vjeçari Karem Lawton. Me 29 mars 2001, kur ranë granatat në fshatin Krivenik, banorët njoftuan KFOR-in polak qe ishte ne fshat, por ata edhe vet u larguan nga fshati nga rreziku i granatave. Më pastaj në fshat arritën ushtarët e KFOR-it amerikan e pas tyre edhe gazetarët e agjencisë Asoshieted Press, gazetari Karem Lawton dhe kameramani Sylejman Kllokoqi. Kur banorët e Krivenikut u afruan për ti treguar gazetarëve për granatat që ranë në fshat, në ato momente filluan të bien edhe granata të tjera mbi fshat. Në atë moment mësuesi Ilaz Thaqi i cili ishte në orë mësimi, ish ushtarë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, largoi me shpejtësi nxënësit nga shkolla, ku arriti ti shpëtoj nxënësit, por nuk arriti që vet ti shpëtoj granatës e cila ra ne oborrin e shkollës duke lënë të vdekur 4 persona dhe disa të tjerë te plagosur. Mësuesi 32 vjeçar Ilaz Thaqi nuk i përballoi plagëve të mara nga granatat e ushtrisë sllavomaqedone dhe ndërroi jetë në vendin e ngjarjes. Njëzet vjeçari Baki Krasniqi i cili gjithashtu mori plagë të rënda nga granatat sllavomaqedone, ndërroi jetë gjatë rrugës për në Han të Elezit të cilin e kishte në veturë Fejzulla Krasniqi së bashku me vëllaun e tij Sadik Krasniqi i cili gjithashtu ishte i plagosur nga granatat, por haxhi Sadiku pasi u trajtua në Ambulancën e Hanit të Elezit u përcoll për në spitalin e Ferizajt, i cili pas disa dite trajtimi aty u lëshua për shtëpi. Granatave sllavomaqedone nuk i shpëtoi as gazetari anglez, 30 vjeçari Karem Lawton i cili kishte ardhur për të ndriçuar të vërtetën e granatimit të fshatit, por granata e cila ra në oborrin e shkollës ishte fatale për të, sikur për 3 civilët e tjerë që pësuan nga ky granatim. Shaban Thaqi, banor i fshatit Krivenik, i transportoi për në ambulanten e Hanit te Elezit gazetarin anglez dhe plakun 71 vjeçar Raif Thaqi që të dy të plagosur rëndë. Pas trajtimit në ambulancën e Hanit të Elezit, për shkak të gjendjes mjaft të rëndë shëndetësore, gazetari anglez përcillet për në spitalin ushtarak amerikan në Bondstill, por para se të arrij në bazën ushtarake amerikane për shkak të plagëve të rënda ndërron jetë në prezencë të mjekut të spitalit të Ferizajt. Plaku 71 vjeçar, Raif Thaqi, banor i fshatit Krivenik, pas trajtimit ne ambulanten e Hanit te Elezit, menjëherë u përcoll për në spitalin e Ferizajt, por për shkak të plagëve të rënda nga aty u transferua në spitalin e Prishtinës, por edhe përkundër përpjekjeve maksimale të personelit shëndetësor të spitalit të Prishtinës pas 10 dite nuk arriti ti përballoj plagët e mara dhe ndërron jetë me 9 prill të atij viti. Te nderuar te pranishëm, përveç 4 personave të lartpërmendur që humben jetën nga këto granatime, u plagosën edhe disa banorë të tjerë si: Sadik, Nuri e Besrim Krasniqi, Mendu e Usref Thaqi, Aqif Berisha, e Besim Brava. Që të gjithë u trajtuan në ambulancën e Hanit te Elezit, spitalin e Ferizajt dhe spitalin e Prishtinës, ndërsa Nuri Krasniqi ishte përcjellë me helikopter të KFOR-it amerikan në spitalin ushtarak të Bondstillit i cili ditën e nesërme kupton për djalin e tij të vrarë Bakiun 20 vjeçar, i cili pësoi bashkë me 3 të tjerë nga granatimet sllavomaqedone me 29 mars të vitit 2001. Të nderuar të pranishëm sot bëhen 20 vite nga ky sulm barbar i ushtrisë sllavomaqedone ku pësuan 4 civil të pafajshëm e disa të tjerë u plagosën dhe disa shtëpi, shkolla e objekte fetare u dëmtuan e askush deri me tani nuk jep përgjegjësi. Andaj kërkojmë nga shteti i Kosovës që të ngritë padi dhe të kërkoj nga gjykatat ndërkombëtare zbardhjen e këtij krimi që ka ndodhur mbi territorin e Kosovës me 29 mars të vitit 2001 ku la te vdekur 4 civil të pafajshëm në mesin e tyre edhe një gazetar anglez tha Kryetari i Komunës Rufki Suma. Biografin e viktimave të kësaj ngjarje të rëndë e shpalosi moderatori i kësaj Akademie Akif Shkreta. Ne emër të të rënëve të Krivenikut të pranishmit i përshëndeti Vjollca Berisha dhe Riad Berisha. Kësaj Akademia përkujtimore ia shtoi peshën e kujtesës të kësaj ngjarje dëshmitari okular Kameramani Sulejman Kllokoqi i cili atë ditë ishte me gazetarët e Agjencisë Asoshieted Press. Ai duke evokuar detajet e kësaj ngjarje shfrytëzoi rastin që të falënderoi banorët e fshatit Krivenik për angazhimin e tyre për të ndihmuar viktimat e ngjarjes si dhe të falënderoi komunën e Hanit të Elezit që shënon këtë ngjarje. Akademia përkujtimore ishte rast që familjet e dëshmorit Ilaz Thaqi, Raif Thaqi, të gazetarit të ndjerë Karem Lawton të nderohen me mirënjohje. Me mirënjohje u nderua edhe Kameramani Sulejman Kllokoqi për kontributin që kjo ngjarje të dëshmohet më së miri. Akademia përkujtimore u përmbyll me pika muzikore nga SHKA”Sharri “ nga Hani i Elezit me solistët Adem Bllaca e Avni Bushi. Pas Akademisë përkujtimore, pjesëmarrësit vizituan dhe vendosen lule në Pllakën Përkujtimore në oborrin e shkollës, pikërisht në vendin e tragjedisë, e më pastaj vizituan objektin e shkollës në fshatin Krivenik, e cila tash është rinovuar dhe shëndrruar në objekt muze te fshatit Krivenik në të cilën është restauruar edhe klasa me ditarët në momentit kur ndodhi ngjarja tragjike. Më pas u vizituan edhe varrezat në fshatin Krivenik për të bërë Homazhe te varrezat e dëshmorëve Ilaz Thaçi, Baki Krasniqi dhe Raif Thaqi si dhe Varrezat e Dëshmorëve në Pustenik në nderim te dëshmorëve të Hanit të Elezit.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …