Veli Veliu

 VELI VELIU: PRANVERA SHQIPTARE

 

JEHONA E KËNGËS SË NDALUAR

 

Vatra e rezistencës në shtëpinë time,

Qendrës e rrugëve pa dritë përgjime!

Takimi me grupin ilegal të Dardanës,

Jehoi fort kënga e ndaluar e Tiranës!

 

Njëri nga mysafirët s’ këndoi me ne,

Dyshuam pak, Emin Krasniqi bëri be!

Isa nuk këndon, as nuk na tradhton,

Rrugës së Kosovës Qenë, si gjithmonë!

 

I burgosën: Njaziun, Sadullahun e Refikun,

Në heshtjen e mysafirit e pamë rrezikun!

Bujanoc

 

 

ZOGJTË E RINJ PROTESTOJNË

 

Zogjtë e rinj protestojnë prore,

Dëshirojnë të fluturojnë më larg!

Drejtohen me shenjat qiellore,

Unë dorën e bëj strehë në prag!

 

Ah! Kjo hapësirë e tokës sime,

Nëpër shekuj u ngushtua shumë!

Më zihet shpesh fryma në agime

Duke shëtitur bregut mbi lumë!

 

Vijat e kufijve mes shteteve të rinj

Ende me roje të armatosura janë!

Lëvizin gjithnjë si gjarpërinj të zinj,

Evropa nuk shtrihet në Ballkan!

 

Kurrë s’ përfundoi loja me hartat,

Gërshërët në biseda në tavolinë!

Në kohë paqe shqetësohen vatrat,

Netët pa gjumë të gjata në Prishtinë!

 

 

ATDHEU NË PAZAR

 

Krismat e forta të Avni Rrustemit

Atë ditë Jehuan gjatë në Paris!

Në kulmin e madh të pezmit

E rrëzoi për tokë një pis!…

 

Turp i turpit: Atdheun në pazar,

Për ta marrë ndonjë dekoratë!

Apo më së shumti një qese ar,

U end shteteve poshtë e lart!

 

 

    HELMI I GJARPRIT

 

Buzë liqenit të përgjumurit të Badocit në Prishtinë

Durimin në këmbë e pickoi tinëz gjuhë e gjarprit!

Kur e ktheu kokën zvarraniku kishte pulla në shpinë

Dhe nuk bërtiti në atë copë gurishtë të shpatit!

 

Thanë u helmua i durueshmi: Të presim deri nesër!

Durimi ishte shumë vite në burgjet e rënda jugosllave!

Pas burgut nuk e lejonte të punonte pushteti i egër,

Juristi punoi në pronën e tij të vogël, maleve e arave!

 

Ai gjithë jetën e kishte pirë helmin e zi nga pak,

Nga njerëzit e tij që frikësoheshin në rrethin e zi!

Dhe tani është një burrë i lodhur, jo aq plak,

Pushon duke lexuar romane të luftës në shtëpi!

 

Djali, në Luftën Çlirimtare të Kosovës, mori gradë të lartë,

Si i ati Fitimi ishte i gatshëm të hidhej në flakë e prush!

Atdheun duhet ta duash me fuqinë e zemrës së zjarrtë

Fjalë pas fjale pa ta mbushur ngadalë kokën askush!

 

FLAMURI I FITORES

 

Ferrin tokësor e provuam në robëri,

Njeriun e ç’ nderon fare nënshtrimi!

Çdo gjë e mësuam nga Nëna Shqipëri,

Etjen ta shuajmë në Gurrë frymëzimi!

 

Disa Trima vdiqën nga plumbi i zi,

Disa u kalbën në burgje jashtë Kosovës,

Disa natën e morën botën në sy

Dhe s’ u tretën në vendet e botës!

 

Lumi i madh i gjakut nën qiellin e ri

E ngriti Flamurin e fitores me jehonë!

Në shtëpitë – pallate jetojmë në liri

Me njerëzit e gjakut në Kosovën tonë!

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …