leoni

Osman Osmani: PKMLSHJ - ORGANIZATORE E KËRKESËS PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS III

Osman Osmani: PKMLSHJ – ORGANIZATORE E KËRKESËS PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS III

AKSIONE TJERA TË PKMLSHJ

PKMLSHJ ushtronte aktivitetin e vet të përgjithshëm në të gjitha viset shqiptare në ish- RSFJ, rrethet dhe qendrat e mbuluar më së miri ishin Prishtina, Mitrovica, Ferizaj, Kaçaniku, Vitia, Shtimja, Lipjani, Podujeva, Vushtrria, e tjera.

Në periudhën e pas demonstratave PKMLSHJ i organizoi 5 aksione politike në një kohë prej 2 muajve. Pos tjerash i drejtoi një letër mirënjohëse organeve të sigurimit publik të Kosovës, atyre që u sollën mirë ndaj demonstruesve. Pos kësaj dokumente të ndryshme ju drejtuan udhëheqjes kosovare si dhe atyre republikane dhe jugosllave. Me intensitet dinamik u vazhdua shpërndarja e dokumenteve të PKMLSHJ në rrethe të caktuara me instruksionet për veprim në programin e PKMLSHJ drejtë realizimit të detyrave të caktuara programore.

PKMLSHJ me 2 prill 1981 morri vendim që aktivitetin e vet t’a vazhdon me forcat e veta dhe formalisht e bëri shpalljen e Republikës së Kosovës, përmes të një akti i cili u botua në organin e PKMLSHJ për rini, në „ZERI I ATDHEUT„ ku u publikua edhe „STEMA e Republikës së Kosovës“ në të cilën ishte e shënuar data 2 prill 1981, dhe ku thuhej se kufijtë e Republikës së Kosovës përcaktohen me shumicën e numrit të banorëve në trojet tona etnike shqiptare të kufizuara me popujt fqinjë, etj. Ngjarjet e vitit 1981 për shumë arsye ndikuan domosdoshmërish në daljen nga konspiracioni. Kjo solli kuantitet dhe simpati ma të gjerë për PKMLHJ, sepse numri i anëtarëve, i kandidatëve dhe sidomos i simpatizuesve po rritej në formë marramendëse, por në formë rapide po rritej edhe rreziku i zbulimit dhe i goditjes nga ana e armikut. Masat që ishin ndërmarr kundër zbulimit ishin të mira por nuk siguronin plotësisht, sepse pavarësisht se PKMLSHJ nuk mbante regjistra të njerëzve, procesverbale, kopje të dokumenteve etj., aktivistët një ditë do të ndesheshin me provokator dhe se veprimtarët nga PKMLSHJ do të zbuloheshin pa tjetër.

Më 15 prill 1981, Kryesisë së KK të LK të Kosovës i arrin “Nota“ e dërguar më 14 prill 1981, me çrast merrej përgjegjësia  për organizimin e demonstratave dhe kërkohej realizimi i kërkesave të shtruara në to.

Në mes 21 korrikut dhe 20 gushtit duke filluar së pari në Ferizaj pastaj edhe në Prishtinë dhe qendrat tjera të Kosovës u shpërnda dhe u dërgua përmes postës „Letra serbëve dhe malazezëve“ me anë të së cilës shpjegoheshin kërkesat e shqiptarëve dhe kërkohej edhe angazhimi i tyre në realizimin e tyre.

Po në këtë kohë u bë shpërndarja e gazetës „Revolucioni“ si organi PKMLSHJ dhe „Zëri i Atdheut“ si Organi Rinisë së PKMLSHJ, si dhe Dekreti Nr. 1. dhe 2.

Parashikimi i PKMLSHJ ishte se LK e Kosovës dhe  anëtarësia e LKJ e komunistëve shqiptarë në republikat tjera do të bashkohen në Lëvizjen për Republikën e Kosovës dhe se në mbrojtjen e saj do të venë në dispozicion gjitha institucionet para-shtetërore të ish KSA të Kosovës (Mbrojtjen Territoriale, Ministrin e Punëve të Brendshme dhe anëtarësinë shqiptare të LKJ). Por,  për bashkimin e tyre, si do të tregojë koha do të duhej një proces tepër i gjatë e i mundimshëm.  Nga Udhëheqja e Republikës së Shqipërisë erdhi një përkrahje verbale, e cila përkufizohej në klauzolën që  „…Kosova do të ndihmohet me të gjitha forcat e zemrës dhe të mendjes…” të deklaruar në Kongresin e 8-të Partisë së Punës së Shqipërisë-së, që për nevojat aktuale të Kosovës nuk mjaftonte. Pra, parashikimet për një homogjenizim ma të madh, mjerisht nuk u realizuan.

HOMOGJENIZMI KOMBËTAR

Më pas u punua në drejtim të homogjenizimit kombëtar. Procesi i homogjenizimit kombëtar u realizua vetëm në bazën e gjerë. Ata që ne menduam se munden të përfaqësojnë organizatat tjera ilegale, të ballafaquar me rrezikun e burgosjeve mbanin qëndrim të kujdesshëm. Ndërsa LK e Kosovës me tëra organet e organizatat e veta u rreshtua në anën e armiqve, pra kundër Republikës së Kosovës. Kështu homogjenizimi kombëtar rreth kërkesës për Republikën e Kosovës edhe pse i bashkoi shqiptarët e gjitha trevave, besimeve e ideve, nuk ia arriti t‘i bashkon udhëheqjet e Rrymave Politike që i përmendëm në fillim.

PËRVJETORI I PARË I 81-SHËS

Aktivistët e PKMLSHJ me rastin e njëvjetorit të demonstratave të vitit 1981 bënë përpjekje sakrifikuese për shënimin në mënyrë të dinjitetshme të këtij përvjetori. Përkundër përpjekjeve të mëdha dhe me gjithë aktivitetet e shumta u arrit që ky përvjetorë të shënohet publikisht  përmes demonstrimit në Prishtinë dhe Ferizaj, ndërsa në qendrat tjera pushtuesi ia arriti të pengoi zhvillimin e tyre. Në këtë organizim u dalluan Vahedin Azemi, i cili ishte drejtues i Shtabit për Shënimin e Përvjetorit për Prishtinë, Gjilan, Viti e Kaçanik, në qendrën e studentëve pastaj edhe grupet tjera që vepronin nga platforma e PKMLSHJ në Ferizaj, si grupi i të rinjve (kryesisht 16-16 vjeçar) “Ilegalët”, që më vonë ndërroi emrin në “Shote Galica”, dhe veprimtarët në Prishtinë, si Skender Vardari, Ahmet Islami dhe Sabit Gashi, të cilët përmes Fatmir Grajqevcit ishin të lidhur me PKMLSHJ.

ZBULIMI I AKTIVITETIT TË PKMLSHJ

Në vitin 1979 zbulimi i PKMLSHJ ishte fare afër. Gjatë hetimeve që po zhvilloheshin ndaj grupit të të rinjve të LNÇKVSHJ u burgos edhe një i ri, që ishte në kontakt me një të ri të PKMLSHJ, të cilin ai e kishte përmendur gjatë hetimeve.  Mirëpo, deri tek zbulimi i parë i anëtarëve të PKMLSHJ ndodhi në verën e vitit 1981 në celulën e Shtimes. Dhjetëshi i atjeshëm i PKMLSHJ mbulonte organizativisht edhe Lipjanin. Aty kishte depërtuar një provokator, i cili kërkoi nga qendra e rinisë së PKMLSHJ në Ferizaj që dikush „ti vizitoj nga qendra”. Kjo edhe e zbuloi provokatorin, por nuk ndihmojë shumë, pasi që tanimë duhej llogaritur në arrestimet e asaj celule dhe ajo mund të zbulonte edhe lidhjen me qendrën e PKMLSHJ në Ferizaj. Ndërsa burgosjet në masë më të madhe nga radhët e PKMLSHJ u ndërmorrën gjatë pranverës së vitit 1982.

STRUKTURA DHE PËRMBAJTJA E ANËTARËSISË SË NDJEKUR POLITIKISHT E PENALISHT TË PKMLSHJ

Armiku arriti që tek në nëntor të vitit 1981 të bëjë zbulimin e parë dhe burgosë grupin e parë me anëtarë të PKMLSHJ. Nga 16 nëntorit 1981 deri kah gjysma e vitit 1982 u burgosën dhe u zhvilluan hetime torturuese ndaj së paku 116 vetave të dyshuar për anëtarë të PKMLSHJ, përbërja profesionale të cilëve ishte me sa vijon:

54 studentë, 21 nxënës të shkollave të mesme, 3 punëtorë, 5 daktilografë, 2 magjistra, 3 profesorë, 3 arsimtarë, 1 mësues, 1 ekonomist, 1 jurist, 2 teknikë, 2 milicë, 1 punëtorë i Sekretariatit të Punëve të Brendshme, 2 nëpunës, 1 zejtar, 2 të papunë dhe 4 pa profesion.

Nga ta 49 veta janë dënuar politikisht nga gjyqi i armikut me dënime nga 1 deri 14 vite burg. Në këtë numër përfshihen vetëm proceset e zhvilluara publikisht dhe të përcjella edhe nga mediat dhe është numër që përmendet edhe në literaturën e pushtuesit, ndërsa numri i saktë mund të epet vetëm në ardhmen pasi të janë mbledhur të gjitha të dhënat, ngase dihet se disa procese gjyqësore politike janë zhvilluar pa opinion dhe pa publikim në mjetet  e informimit publik.

QËNDRIMI I AUTONOMISTËVE

Ish LK e Kosovës bashkë me institucioneve e saja të pushtetit, që në vitin 1981, e edhe më vonë, nuk e mohuan rolin e PKMLSHJ në organizimin e demonstratave. Përkundrazi ata e dinin këtë qysh para se të ndodhnin demonstratat e vitit 1981, përmes shkresave të ndryshëm të cekura më lartë ku bëhej me dije se çdo të ndodh, nëse ata vet nuk angazhohen për Republikën e Kosovës.

Megjithatë, Mahmut Bakalli dhe Azem Vllasi, menjëherë pas demonstratave të parët u deklarua kundër Republikës së Kosovës dhe i pari u detyrua të japi dorëheqje pse nuk ka vepruar më herët kundër PKMLSHJ dhe kundër kërkesës për Republikën e Kosovës. Përpara popullit, ai i pari do të duhej të përgjigjej pse nuk ka vepruar për realizimin e Republikës së Kosovës, ndërsa i dyti, Azem Vllasi atëkohë jo që veproi me tëra forcat kundër Republikës së Kosovës dhe kundër të gjitha aspiratave patriotike, por ai më pas dashur a padashur u bë edhe vegla kryesore e Serbisë për likuidimin edhe të  Autonomisë së ish KSA të Kosovës. Azem Vllasi me zyrtarë e funksionarë tjerë të Kosovës me 26 mars 1981 do të duhej të bashkoheshin studentëve e punëtorëve demonstrues dhe bashkë me të tjerët ta mobilozonin gjithë popullin shqiptar për Republikën e Kosovës, për të mos ardhur puna më pastaj të ngritet në mbrojtje të autonomisë të vitit 1974, me anë të së cilës pos tjerash legjitimohej edhe më tej ndarja dhe sundimi i popullit shqiptar nga tri republikat armike në ish-RSFJ. Këta dy zotërinjtë edhe pse e dinin të vërtetën, nuk pranë së përpjekuri që të hedhin mjegull dhe baltë mbi prapavijën e organizimit të tyre, vetëm e vetëm se ndryshe nuk munden të arsyetonin, njeri qëndrimin e vet kapitullues në vitin 1981 e tjetri paaftësine për të ruajtur edhe autonomin e pjesërishme të deriatëhershme.

LUFTA SPECIALE KUNDËR LËVIZJES SË RE DHE AKTERËVE TË SAJ

UDB-ja përmes bashkëpunëtorëve të vet, por edhe nga papjekuria politike dhe mungesa e syqeltësisë së personave të caktuar nga radha e grupeve të ndryshme ilegale, intrigonin kundër aktorëve dhe atyre që dolën në ballë të ngjarjeve të vitit 1981. E akuzonin Ali Lajqin dhe familjen e tij „si njerz të UDB-es”, si „bashkëpunëtor të Rankoviqit” e intrigime të tjera të shëmtuara, të cilat për fat të keq njerëzit pa ndërgjegje i përhapnin si të „vërteta”. Pas kësaj ofensive të komprimitimit të Ali Lajqit dhe të familjes së tij, filloi ofensiva për komprimitimin e demonstratave me parullën, “…se demonstratat i ka organizuar Beogradi…”, e të ngjashme. E tërë kjo luftë intriguese mbi „organizatorët„ e demonstrate filloi të krijoi një situatë të turbullt dhe filloi të  krijojë dilema në popull se kush në të vërtet qëndron pas kërkesës për Republikën e Kosovës. Kjo e detyroi PKMLSHJ që të dali publikisht dhe të marrë përsipër organizimin e demonstratave edhe pse qëndrimi ynë ishte që kjo të mos ndodh në këtë kohë. Me këtë veprim PKMLSHJ i ndali rrugën intrigave dhe përdorimin si kapital politik nga ana e UDB-es për ti thyer të burgosurit shpirtërisht. Por, ndodhi që organizatorët e Mitingut në Qendrën e Studentëve që u shndërrua në demonstrata me 26 mars 1981 dhe sidomos Ali Lajqi të bëhet objekt i injorimit dhe i intrigave nga disa grupe të burgosurish politikë që i takonin grupeve e organizatave ilegale, të cilët i besonin vetëm vetes dhe grupit të vet, që ishte karekteristikë tipike sektare e metafizike me të cilën do të ndeshen edhe të burgosurit e tjerë më vonë. Tehu i kësaj fushate ishte përqendruar kryesisht kundër  anëtareve të Shtabit Organizativ të Demonstratave dhe shumicës së të burgosurve nga PKMLSHJ. Kjo fushat dhe atmosferë madje arriti të helmonte në masë të caktuar edhe diasporën.

QËNDRIMI I NJË PJESE TË ILEGALES

Sa i përket heshtjes së disa organizatave ilegale kjo është çështje në vete. Organizatat e deriatëhershme ilegale që vepronin në platformën e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, mbas përkrahjes së kërkesës për Republikën e Kosovës që erdhi nga Tirana disa ditë pas demonstratave të vitit 1981, përfundimisht kaluan nga pozicioni i konservuar në përkrahjen e kërkesës edhe publikisht. Praktikisht edhe anëtarësia edhe ndonjë anëtar udhëheqës pa pritur qëndrimin zyrtar të organizatave që ju takonin u kyçën në demonstrata dhe dolën edhe në ballin e tyre. Bashkëpunimi mes aktivistëve ishte jashtëzakonisht i mirë dhe ajo krijojë mundësin e elektrizimit politik të popullsisë në gjitha trevat shqiptare.

PËRPJEKJET PËR BASHKËRENDITJE TË AKTIVITETIT

Me kusht të dekonspirimit, PKMLSHJ vendosi që të marrë kontakt me organizatat tjera të ilegales dhe të i bashkërendit veprimet. Meset ma të mira për këtë ishin në Prishtinë dhe Ferizaj, por edhe në qendrat tjera. Se si ka rrjedhur  bashkëpunimi mes tyre kjo do të shtjellohet me ndonjë rast tjetër, nga ata që vet kanë vepruar në këtë drejtim. Në udhëheqjen e PKMLSHJ u shtrua për zgjedhje bashkimi i forcave të ilegales në një lëvizje kombëtare për Republikën e Kosovës. Lëvizje kombëtare kjo,  e cila do të ishte në gjendje që nga demonstratat të vazhdon procesin politik duke e shndërruar kërkesën e shtruar në një Lëvizje të organizuar.

Deri me shpërthimin e demonstratave ka qenë qëndrim zyrtar i PKMLSHJ që përveç të kuadrove që ngarkohen me detyra të tilla konkrete, të tjerëve t‘ju ndalohet kontaktimi me persona të komprimituar si pjesëtar të ilegales, meqë ekzistonte dijenia se ata që ishin të zbuluar observoheshin nga UDB-eja 24 orë në ditë kjo e rrezikonte zbulimin e organizatës. Por, meqë posedoheshin informacione për organizatat tjera ilegale, ato edhe furnizoheshin me material propagandistik dhe kështu krijoheshin lidhje indirekte. PKMLSHJ qysh herët ka punuar në drejtim të vënies së lidhjes me Metush Krasniqit dhe me Ismalil Dumoshit9 (ndaj të cilit kemi pasur konsideratë të madhe dhe kemi besuar se ka ndikim tek pjesa tjetër e ilegales). Qysh herët ka ekzistuar vetëdija se në Kosovë nuk ka vetëm një organizëm të vetëm, por një lëvizje të rezistencës kundër sundimit të huaj. Prandaj kur ka ardhur deri te zbulimi dhe burgosja e anëtarëve të ndonjërës nga grupet apo organizatat tjera, PKMLSHJ e ka përjetuar si burgosje të shokëve e vëllezërve të një ideali dhe ashtu edhe ka reaguar. Një shembull që ilustron këtë: Në një mbledhje të Kolegjiumit të Drejtorisë të Sigurimit Shtetëror të Prishtinës (që pos Prishtinës e Podujevës, mbulonte edhe Gllogocin dhe Lipjanin) ku u bë analiza e gjendjes politike nga aspekti i sigurisë (ishte fjala për kohën kur u burgosën shumë anëtarë të  organizatave tjera ilegale, që në muajin maj 1980 u gjykuan me kundërvajtje e me dënime me burg ma të gjatë), pos tjerash aty u tha se pas këtyre burgosjeve të nëntorit 1979 „…irridentës iu thy kurrizi…”. Këtë deklaratë PKMLSHJ e përjetojë si një ofendim të rëndë ndajë gjithë Lëvizjes për Pavarësinë e Kosovës. Pasi u njoftua udhëheqësja e ngushtë e PKMLSHJ me përmbajtjen e kësaj mbledhje, u propozua që të organizohet një aksion në emër të këtyre organizatave për t’i treguar armikut se megjithatë rezistencës nuk i është  thyer kurrizi! Kështu nga PKMLSHJ u organizua shpërndarja e një trakti në gjithë Kosovën ku muaji shkurt 1980 u shpall muaji i Adem Demaçit (me që ai e kishte ditëlindjen me 26 shkurt) dhe ku kërkohej që në mese shkollore, studentore e në vende tjera ku grumbullohen më shumë njerëz të shkruhet e të flitet për personalitetin e Adem Demaçit dhe ndër të tjera edhe të diskutohet për arsyet pse mbahet ai në burg.

PUNA NË DREJTIM TË  BASHKIMIT TË ORGANIZATAVE ILEGALE

Pra PKMLSHJ e konsideronte veten si organizatë që i takonte një Lëvizje për Pavarësinë e Kosovës, ku militojnë më shumë organizata e grupe ilegale. Tek PKMLSHJ ka dominuar vetëdija se kjo lëvizje trashëgohet nga gjenerata në gjeneratë që nga Lidhje e Prizrenit e vitit 1878 dhe se nëse gjenerata aktuale nuk ia arrin të realizojmë Programin Kombëtar të Lidhjes së Prizrenit për krijimin e shtetit në kufijtë etnik ku aktualisht jeton Kombi Shqiptar, atëherë së paku gjeneratës së ardhshme t´ia lehtësojë sadopak  këtë çështje duke bërë qoftë edhe një hap përpara. Nisur nga ky fakt dhe të vetëdijshëm se bashkimi i organizatave ilegale është kusht me rëndësi për shndërrimin e Lëvizjes për Pavarësinë e Kosovës nga lëvizja pjesërisht e organizuar dhe empirike në një lëvizje të organizuar dhe të centralizuar, PKMLSHJ veproi në këtë drejtim në mënyrë intensive. Një përpjekje e tillë (ekziston një dokument i vitit 1979) është bërë në drejtim të rrymave politike të Kosovës, me ç‘rast PKMLSHJ u bënë thirrje përfaqësueseve të Rrymës Autonomiste (të krahut progresiv) dhe Rrymës për Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë për një takim ku do të diskutohej unifikimi i qëndrimeve drejt pavarësisë së Kosovës. Aso kohe PKMLSHJ nuk hasi në mirëkuptim. Megjithatë në këtë drejtim u vazhduan përpjekjet edhe më vonë. Kuadrot e PKMLSHJ morën kontakte dhe bashkëpunuan me pjesëtarët e organizatave tjera ilegale në teren, gjë që u intensivua gjatë dhe pas demonstratave të më vonshme. Në nëntor të vitit 1981 në Adapazar të Turqisë me iniciativë të PKMLSHJ, gjegjësisht komisionit të saj për bashkim u vunë kontaktet e para direket me përfaqësuesin e LNÇKVSHJ, me Sabri Novosellën dhe përmes tij edhe me Jusuf Gërvallën e Kadri Zekën. Shkresat zyrtare të shkruara, si ajo e 5 dhjetorit 198110, shkëmbeheshin përmes tij. Përkundej masave të konspiracionit, UDB-eja dikah u informua se janë duke u zhvilluar bisedimet për bashkim të organizatave ilegale dhe me 17 janar 1982 në Gjermani bëri atentat ndaj Kadri Zekës dhe vëllezërve Gërvalla. Pas nje muaji (17.02.1982) u arrit Bashkimi i LNÇKVSHJ dhe PKMLSHJ në LR/S/SHJ, të cilit Bashkim më pas (më 15.05.1982) iu bashkangjit edhe OMLK.

Osman Osmani, Zvicër, me 30 mars 2021

1 Abdullah Prapashtica, 19.10.2012, shkrim në Radio Kosova e Lirë «NË PËRVJETORIN E DEMONSTRATAVE TË 1981»

2 Ibrahim Qavolli, konsull i Shqipërisë dhe i dërguar i KQ të PPSH në Turqi, në librin e tij “Jam Kosovar…!” 2008, NB “Gjon Buzuku”, pjesa e dytë (faqe 199) PLOTËSIM I KËRKESËS PËR PARTI KOMBËTARE.

3 TEORIA DHE PRAKTIKA E REVOLUCIONIT: Programi, Statuti dhe Instruksionet për punë praktike të PKMLSHJ, të aprovuara në mbledhjen konstituive të PKMLSHJ në verë 1978

4 Mr. Halil Alidema, Rilindja, 20.3.1996, “Pikëpamje: BUNTI ATDHETAR I PRANVERËS ‘81”

5 Skender Ibishi: «Lufta e heshtur ilegale para vitit 1981 për Kosovën Republikë», publikuar në: http://www.pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=572

6 Aktakuzat: PP. Nr. 291/81; Ap-kzh-nr. 393/82; PP.nr. 281/81; Aktgjykimin IK. nr. 374/82-IV; PPQ në Gjilan PP.nr. 24/82; P.nr. 100/86; PPPm Nr. 111/83;

7 REVOLUCIONI & ZËRI I ATDHEUT: Organe të PKMLSHJ dhe të Organizatës së Rinisë Komuniste të PKMLSHJ, nxerrë e shpërndarë në verë 1981

8 Qerim Lita; Materiale nga Arkiva e Republikës së Maqedonisë, publikuar në të përditshmen informative KOHA, 03.04.2011

9 Prof. Dr.Izber Hoti:”ISMAIL DUMOSHI”, SHB “Faik Konica” Prishtinë 2011, faqe 222-223

10 Arkivi Qendror i Shtetit Shqiptar: Letër e Byrosë Politike të Partisë Komuniste Marksiste Leniniste Shqiptare në Jugosllavi dërguar Komitetit Qendror të Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe viseve tjera Shqiptare në Jugosllavi, për bashkim të forcave të organizuara të shqiptarëve në Jugosllavi, si dhe përgjigja e kësaj të fundit për këtë problem, ardhur si njoftim Komitetit Qendror të PPSH.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Nga 500 uniformat që kanë arritur në Shtab, vetëm 50 janë ndarë për ushtarët e Batalionit Ruzhdi Salihu (E mërkurë 18 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Nga 500 uniformat që kanë arritur në Shtab, vetëm 50 janë ndarë për ushtarët e Batalionit Ruzhdi Salihu (E mërkurë 18 nëntor, 1998)

Sot qysh në mëngjes kam filluar ta hartoj një rrëfim jetëshkrues për Jetë Hasanin. E …