Isuf Ismaili: Kështu foli për Kryengritjen Shqiptare të vitit 1981, drejtori i Radios-Kosova e Lirë, Ahmet Qeriqi

Isuf Ismaili: Kështu foli për Kryengritjen Shqiptare të vitit 1981, drejtori i Radios-Kosova e Lirë, Ahmet Qeriqi

Në një intervistë në studion e TV-Diellit, të cilën e zhvilloi korrespondenti dhe gazetari,  Isuf  Isamili me drejtorin e Radios Kosova e lirë, Ahmet Qeriqi, është folur lidhur me zhvillimet historike të para dyzet viteve në Kosovë, me rastin e dyzet-vjetorit të revoltave gjithë popullore me kërkesë për avancimin e pozitës kushtetuese të vendit, me moton, :Republikë-Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë”.

Duke qenë se profesor, Ahmet Qeriqi, ka qenë edhe pjesëmarrës në ato zhvillime, po ashtu  i burgosur politik dhe veprimtar i njohur, ai  ka një qëndrim militant lidhur me Marsin, Prillin dhe Majin e vitit 1981.

Fillimisht z. Qeriqi ka folur për rrethanat shoqërore, ekonomike e politike që quan në shpërthimin e revoltave gjithë popullore më 11 mars, pastaj më 26 mars dhe me 1.2 e 3 prill të vitit 1981.

“Prej vitit 1945 e deri në vitin 1999 jemi ballafaquar me dy opsione, apo dy rrugë alternative për barazi në kuadër të Jugosllavisë, apo çlirim dhe bashkim me Shqipërinë. Këto dy opsione, që mund të identifikohen si rruga paqësore për liri dhe barazi dhe rruga e armatosur herë- herë e kanë plotësuar njëra tjetrën, por në esencë kanë mbetur dy rrugë disa herë edhe kundërshtare.

Lëvizja Çlirimtare në Kosovë prej vitit 1945, kur më shumë se gjysma e trojeve shqiptare mbesin sërish  nën okupimin e Jugosllavisë, e deri në luftën heroike të UÇK-së, e cila u kurorëzua me sukses edhe me ndihmën e NATO-s, në qershor të vitit 1999, ka kaluar nëpër sfida të ndryshme, duke qenë vazhdimisht e sulmuar nga tërë aparati represiv i okupatorit, por asnjëherë e nënshtruar, apo e shpërbërë. Gjatë kësaj periudhe, forcat liridashëse shqiptare bënë përpjekje të pareshtura dhe vepruan në grupe e organizata të ndryshme, të fshehta dhe të hapura, me qëllim për ta demonstruar papajtueshmërinë lidhur me pozitën denigruese shtypëse, e shpeshherë edhe shfaronjëse  të shqiptarëve nën regjimin pushtues”.

“Një hov i ri përpjekjeve për më shumë të drejta dhe me kërkesë për bashkim e Kosovës me Shqipërinë, pas LNDSH-së i kishte dhënë “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve” në krye me Adem Demaçin, luftëtarin më meritor dhe më konsekuent që ka pasur Lëvizja jonë Kombëtare n gjysmën e dytë të shekullit XX. Pastaj, demonstratat e vitit 1968, avancimi i pozitës kushtetuese të Kosovës në vitin 1974, bashkëpunimi jo vetëm kulturor i Kosovës me Shqipërinë, ndikimi i jashtëzakonshëm i Republikës Socialiste të Shqipërisë, në  zgjimin dhe konsolidimin e idealit kombëtar për liri, drejtësi e barazi, shënimi i 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në Shqipëri, Kosovë dhe në mërgatë, me afishimin edhe të programit të saj, në kushte dhe rrethana të reja pas 100 vitesh, pastaj  arsimimi masiv i shqiptarëve, edhe pse me vështirësi të caktuara dhe shumë faktorët të tjerë socialë, shoqërorë e politikë të ndërlidhen dhe të nxjerrin në sipërfaqe një gjeneratë të tërë liridashësish, të cilët  u hodhën në barrikada të luftës për liri, drejtësi e barazi në mars prill e në maj të vitit 1981”.

 

Në vazhdim të bisedës së tij në studion e TV-Diellit, profesor Ahmet Qeriqi ka deklaruar se “11 marsi i vitit 1981 ishte shkëndija që paralajmëronte fillimin e zbrazjes së zemërimit popullor kundër padrejtësive, kundër shtypjes e shfrytëzimit nga Serbia e përgjithësisht nga RSFJ, kundër idesë së përshtatjes, kundër pretendimeve për krijimin e një kombi hibrid kosovar, kundër jugosllavizimit të qetë dhe përbashkësisë me popujt sllavë.

Kërkesat sociale që u manifestuan në mbrëmjen e 11 marsit, në “Mensën e Studentëve”, në Prishtinë për kushte më të mira jete, nuk ishin spontane por kulmim i natyrshëm i një zemërimi, i cili nuk mund të përmbahej më tej. Defilimi i qindra e mijëra studentëve në orët e mbrëmjes, u pasua me solidarizimin e mijëra qytetarëve, të cilët për afër katër orë rresht protestuan paqësisht nëpër sheshet e Prishtinës.

Alarmi i fillimit të manifestimit të zemërimit popullor kundër pabarazisë dhe padrejtësive tashmë ishte dhënë. Lëvizja e fshehtë e Rezistencës, e njohur në kuptimin përgjithësues si “Lëvizje ilegale” kishte filluar të mobilizonte radhët dhe të artikulonte përveç kërkesave sociale edhe kërkesa politike, meqë me të drejtë konstatohej se barazia e plotë e shqiptarëve në Kosovë e më gjerë nën okupimin jugosllav, do të arrihej me krijimin e një Republike të barabartë me republikat e tjera të Federatës jugosllave, si hap politik strategjik për kohën”.

Duke folur për orientimin që morën zhvillimet pas 11 marsit, veprimtari dhe ish burgosuri politik, Ahmet Qeriqi ka sjellë në kujtesë zhvillimet që pasuan më 26 mars dhe me 1, 2 dhe 3 prill të vitit 1981 e më pas deri më 13 maj të po atij viti,  me rezistencën heroike të Tahir dhe Mebih Mehës, në Prekaz të Drenicës.

“Më 26 mars të vitit 1981, në Prishtinë, u zhvilluan demonstratat e dyta të studentëve me kërkesë për Kosovën Republikë. Atë ditë njësitë speciale të federatës jugosllave, të cilat ishin dislokuar në Kosovës, me lejen dhe aprovimin edhe të klasës politike të Krahinës Autonome të Kosovës, kanë keqtrajtuar fizikisht qindra studentë e studente shqiptare, sidomos në Konviktin numër 3 të Studentëve, në Prishtinë. Atë ditë, nëpër qendër të Prishtinës parakalonte Stafeta e Titos, një manifestim tradicional, që nga viti në vit përpiqej të mbante gjallë të ashtuquajturin patriotizëm jugosllav me figurën e Titos, edhe pse ai kishte vdekur një vit më parë.

Ndeshja e ashpër kishte ndodhur mes studentëve protestues, të cilët përpiqeshin të depërtonin në qendrën e qytetit për ta prishur ceremoninë zyrtare të Stafetës, dhe kordonëve të panumërta të Milicisë federative dhe krahinore, e cila kishte mobilizuar mijëra forca, me qëllim të sigurimit të manifestimit gjithë jugosllav.

Dita e 26 Marsit të vitit 1981, paralajmëronte jo vetëm eskalimin e situatës, sikur thuhej asokohe, por fillimin e një kryengritjeje gjithë popullore që u manifestua më  1. 2 dhe 3 prill të vitit 1981 dhe që kulmoi në fshatin, Besi të Prishtinës me çarmatosjen e njësive rezerviste serbe nga protestuesit e organizuar, të cilët kishin bllokuar hyrjen e forcave ushtarake e policore dhe që  gjatë tërë asaj dite kishin pamundësuar qarkullimin e tyre, në drejtim të Prishtinës.

Po ashtu ata kishin çarmatosur njësitë rezerviste dhe u kishin rrëmbyer qindra armë automatike, municion dhe pajisje të tjera luftarake. Pjesëtarë të grupeve të armatosura në Besi më 3 prill kishin zbrazur rafalë kundër një helikopteri ushtarak, i cili përcillte zhvillimin e situatës, pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme.

Nga shpërthimi i tillë i kryengritjes, Federata Jugosllave kishte shpallur shtetrrethimin në tërë territorin e Kosovës prej 3 deri më 18 prill, me ç’ rast kishte dislokuar forca të shumta ushtarake e policore dhe kishte filluar represionin masiv mbi popullatën liridashëse.

Federata kishte arritur në përfundim se në Kosovë kishte ndodhur një kundërrevolucion, që do të thoshte një kryengritje gjithëpopullore e shqiptarëve, të cilët kërkonin edhe ndërrimin e Kushtetutës së ish-RSFJ-së me shpalljen e Kosovës Republikë të shtatë, në të cilën do të përfshiheshin të gjithë shqiptarët e Kosovës, Kosovës Lindore, Maqedonisë e Malit të Zi, të cilët ishin të shpërndarë në tri republika dhe një krahinë autonome.

Sot, 40 vjet pas fillimit të kësaj kryengritjeje, ajo periudhë e hovshme dhe revolucionare e  rizgjimit kombëtar, ende përshkruhet si “pranverë shqiptare”, si “protestë paqësore”, edhe pse ato i përgjaku regjimi okupator, as kishin qenë paqësore as ishte çliruar Kosova me pacifizmin paqësor të Ibrahim Rugovës dhe përkrahësve të tij.

Ajo periudhë e lavdishme e historisë së rezistencës shpeshherë edhe modifikohet në kuptimin letrar si, “Pranverë studentore”, edhe pse dihej dhe dihet botërisht se në atë kryengritje kishin marrë pjesë qindra mijëra shqiptarë, punëtorë, fshatarë, nxënës, mësimdhënës, intelektualë, pjesëtarë të lëvizjeve të fshehta atdhetare dhe jo vetëm studentë, pa mohuar për asnjë çast rolin dhe angazhimin e tyre primar në gatimin e “brumit” të kryengritjes.

Në këtë 40 vjetor, segmente të politizuar të shoqatave e organizatave të ndryshme, me rastin e vendosje  së gurë themelit të një përkujtimoreje fizike për Marsin dhe Prillin e vitit 1981, në ambientet para  Mensës së Studentëve,  kanë manipuluar edhe kërkesën programatike historike të kohës:  Republikë-Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë” duke e politizuar në mënyrë të palejueshme  me “Vetëvendosje-Kushtetutë ja me hatër, ja me luftë”, pa marrë pëlqimin e shumicës dërrmuese të të burgosurve politikë, më vonë luftëtarë në radhët e UÇK-së, por vetëm të atyre që janë bërë pjesë politike e Vetëvendosjes së Albin Kurtit.

Përfaqësuesve të këtyre shoqatave e organizatave as u ka shkuar, as u shkon në mend të shënojnë vendin e Barrikadës së parë në Besi, vendosur më 2 prill të vitit 1981, apo të vendosin qoftë edhe një pllakat të thjeshtë në oborrin e Kullës së Tahir Mehës e Nebih Mehës, ku me 13 maj të vitit 1981 u zhvilluan luftime të përgjakshme mes ushtrisë e milicisë serbe dhe qëndestarëve historikë të Drenicës, gjithnjë kryengritëse dhe ku kishte marrë kuptimin definitiv kërkesa e drejtë dhe e patjetërsueshme: Republikë-Kushtetutë, ja me hatër, ja me luftë.

Tahir e Nebih Meha, me gjakun e tyre kishin bërë realitet luftën e armatosur kundër pushtuesit serb, dhe me rastin e varrimit të trupave të tyre, Shaban Jashari me bijtë Hamëz dhe Adem Jasharin, ishin betuar për vazhdimin e rrugës, me luftë, nëse “hatri” shpërfillet, stërkeqet  e nëpërkëmbët, sikur edhe ishte nëpërkëmbur për shumë vite”.

 

Profesor  Ahmet Qeriqi ka folur edhe për përpjekjet që janë bërë e po bëhen për  modifikimin dhe politizimin e Kryengritjes Shqiptare të vitit 1981. Ai thotë se Periudha historike e rezistencës së vitit  1981  kërkon qëndrim dhe emërtim të saktë historik e shkencor.

“Emërtimi i Kryengritjes së vitit 1981  si “Pranverë studentore e vitit 1981”, analog me “Pranverën e Pragës” apo lëvizje të tjera studentore, në vendet e Evropës, ka simbolikën e vet, por nuk e përmbush dimensionin historik, social, politik e shkencor të krejt asaj çfarë  ka ndodhur në Kosovë, në Mars Prill Maj 1981 dhe që vazhdoi deri në qershor të vitit 1999, në përpjekje të vazhdueshme të rezistencës pasive dhe aktive deri kur  nga Kosova u dëbua përgjithmonë regjimi okupator serb.

Në 40-vjetorin jubilar, institucionet shtetërore, Instituti i Historisë dhe i Albanologjisë, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ende nuk kanë një emërtim adekuat historik, të materializuar me gjuhën e fakteve e të dhënave për të emërtuar shkencërisht zhvillimet revolucionare të marsit, prillit dhe majit të vitit 1981. Në vend të një emërtimi shkencor shërbehemi me stereotipet e së kaluarës, me emërtimet pacifiste të kohës, ashtu sikur historianët titistë që janë shërbyer dhe shërbehen duke përkthyer formulimet e historianëve të regjimit serb, lidhur me Lëvizjen e Rezistencës së Azem e Shote Galicës duke e etiketuar si Lëvizje kaçake, nga gjuha serbe “Kocacki pokret”, etj.

Tani, 40 vjet më pas, 22 vjet nga çlirimi i  Kosovës, 13 vjet nga Shpallja e Pavarësisë së Kosovës, ka ende mëdyshje se çfarë ka ndodhur në vitin 1981: protestë paqësore, lëvizje studentore, apo fillimi i një kryengritjeje e cila trasoi rrugën drejt lirisë dhe që u kurorëzua me sukses, në qershor të vitit 1999”.

Edhe tani, pas 40 viteve, nuk kemi një përcaktim unik, historik, shkencor për Lëvizjen Revolucionare  të  Marsit, Prillit dhe Majit të vitit 1981. A është debatuar lidhur me këtë mungesë të përkufizimnit shkencor?

“Simpoziumi i organizuar nga Instituti Albanologjik dhe Shoqata e të Burgosurve Politikë në 20-vjetorin e demonstratave, në prill të viti 2001, (dy vjet pasi Kosova ishte çliruar nga regjimi serb), nuk nxori konkluzione të qarta shkencore dhe nuk definoi qartë qasjen e mirëfilltë historike e shkencore lidhur me Lëvizjen e vitit 1981. Debati ishte zhvilluar në kualifikimin e zhvillimeve si protesta e demonstrata paqësore, si Pranverë e studentëve, si Lëvizje paqësore, politike, studentore dhe u përjashtua opsioni i kryengritjes, apo i përpjekjes për kryengritje, të cilën e shfletuan vetëm dy apo tre pjesëmarrës.

Në kohën e pacifikimit të Lëvizjes, në vitin 1989-1990 kur Jugosllavia kishte filluar të shpërbëhej u bënë përpjekje që lëvizja e vitit 1968 dhe ajo e vitit 1981 të kualifikohen si lëvizje paqësore të studentëve, si një presion qytetar që ishte ndërmarrë brenda kornizave ekzistuese politike të kohës duke lënë anash dy segmentet më të rëndësishme të zhvillimeve, rrëmbimin e armëve në Besi të Prishtinës nga protestuesit më 2 dhe 3 prill dhe qëndresën e armatosur të Tahir dhe Nebih Mehës, më 13 maj të po atij viti, në Prekaz të Ulët të Drenicës, pikërisht në ditën kur Njësitë policore speciale të Jugosllavisë po manifestonin dhe po orgjizonin në mënyrë kriminale, ditën e themelimit të Milicisë së Jugosllavisë, duke vrarë shqiptarë brenda shtëpive të tyre, por jo shqiptarë duarthatë, por shqiptarë kryengritës të një familjeje me katër breza çlirimtarësh.

Anashkalimi, në konferenca, tubime dhe në medie i këtij segmenti të kryengritjes, mbase u bë me qëllim që Lëvizja paqësore të mos “komprometohej” dhe të lihej në heshtje segmenti thelbësor i saj, segmenti veprues, jo spontan sikur mendohet edhe aktualisht nga disa analistë dhe studiues të asaj periudhe të historisë tonë të rezistencës.  Kulmimi i protestave në Besi, lokalitet mes Prishtinës dhe Besianës, rrëmbimi i armëve dhe i municionit nga forcat rezerviste, që po hynin në Kosovë nga Serbia dhe çarmatosja e shumë prej tyre, më 2 prill të vitit 1981 shënoi fillimin e kryengritjes. Atë ditë Protestuesit kishin rrëmbyer rreth 130 armë automatike dhe mitralozë, mijëra fishekë e pajisje luftarake. Pak muaj më vonë ishin dënuar me burg të rëndë, prej 1 deri në 15 vjet, 38 pjesëmarrës, nxënës, studentë, punëtorë, mësues e fshatarë. Ishte kjo mesatarja më të lartë e dënimit të grupeve, prej vitit 1964, kur ishte dënuar bardi i Lëvizjes sonë Kombëtare, Adem Demaçi me bashkëveprimtarët e tij.

Duke folur lidhur me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme nga RSFJ, profesor Ahmet Qeriqi gjatë bisedës në Studion e TV-Diellit ka dhënë disa shpjegime.

“Pikërisht për këtë shpërthim, më 3 prill të vitit 1981, në orët e mbrëmjes, kreu shtetëror e politik i Jugosllavisë shpalli shtetrrethimin në Kosovë, me shumë kufizime të lëvizjes së qytetarëve, ndalim rigoroz të qarkullimit të çdo personi gjatë natës, ndalim të grumbullimit të më shumë se tre personave në një vend të caktuar, ndërprerja e mësimit në të gjitha nivelet në tërë territorin e Krahinës së Kosovës, ndjekja arrestimi dhe nxjerrja para gjykatave e të gjithë organizatorëve, apo atyre të cilët dyshoheshin se ishin të tillë, bastisjet e çdo shtëpie të dyshuar, hapjen e rreth 400.000 dosjeve, sa i dispononte regjimi dhe një mori masash represive, ekstreme, të cilat po i realizonte Ushtria dhe Policia federale e përbërë nga pjesëtarë e të gjitha republikave të Jugosllavisë. Për shkak të përmasës, që regjimi i kishte dhënë revoltës shqiptare, pse jo Kryengritjes shqiptare të marsit e prillit  e majit të vitit 1981, ato zhvillime historike, nga kreu i Shtetit dhe nga vasalët shqipfolës të RSFJ-së, u kualifikuan si kundër-revolucion, kualifikim zyrtar,  që pasoi me një represion të përgjithshëm mbi të gjithë liridashësit shqiptarë, kudo, jo vetëm në Kosovë por edhe në trojet e tjera shqiptare nën robërinë jugosllave.

Shpallja e gjendjes së shtetrrethimit nuk do të aplikohej  për të shtypur protestuesit paqësorë dhe nuk  kishte ndodhur një intervenim i tillë shtetëror në protestat që ishin zhvilluar në Beograd dhe në qytete të tjera të Jugosllavisë, as  në vitin 1968. Askund në botë  gjendja e shtetrrethimit nuk shpallet për të shtypur protestuesit, por rritet shkalla e sigurisë dhe ndërmerren veprime adekuate në përballimin e situatës.

Askush në Kosovë nuk ka të drejtë ta anashkalojë faktin se ishte kryengritja në Besi, më 2 dhe 3 prill të viti 1981, rrëmbimi i armëve nga kamionët e  rezervistëve serbë,  që vinin nga Serbia për t’ i shtypur protestuesit, që e detyruan Jugosllavinë të shpallte gjendjen e luftës. Me ato armë, protestuesit vendosen disa barrikada në rrugën magjistrale Besianë (ish-Pudujevë) – Prishtinë  dhe për një kohë, deri në shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, nuk u lejua hyrja në Prishtinë e forcave policore e ushtarake serbe. Pikërisht ky zhvillim historik, bëri që në orët e vona të pasdites të shpallet Shtetrrethimi, në Kosovë që zgjati 14 ditë, me të gjitha kufizimet e lëvizjeve, sikur në gjendje lufte.

Për ta bërë të suksesshëm shtetrrethimin në thyerjen e kryengritjes së nacionalistëve e irredentistëve shqiptarë, armata jugosllave kishte dislokuar në Kosovë arsenalin përkatës të armatimit. Kishte vendosur qindra  postblloqe në Prishtinë dhe në vende të tjera, kishte aktivizuar njësitë speciale në Federatës në nivelin shtetëror, kishte filluar ndjekjen dhe arrestimin e mijëra pjesëmarrësve në protesta, në mesin e tyre edhe organizatorë, ishte marrë qëndrim zyrtar që kryengritja të shpallej si “kundërrevolucion” që kishte për qëllim cenimin e sovranitetit të vendit  dhe ndryshimin e dhunshëm të Kushtetutës. Të gjitha këto e shumë masa të tjera, tregojnë më se mëri se kemi të bëjmë me protesta e demonstrata të rinisë studentore, apo me një kryengritje të përgjithshme të shqiptarëve të Kosovës e më gjerë, të cilët kërkonin liri, barazi e drejtësi, kërkonin që Kosova që shpallej Republikë dhe të barazohej me gjashtë republikat  e tjera të ish RSFJ-së. Gjatë përleshjeve  kishin rënë në barrikada nëntë demonstrues,  ishin plagosur qindra të tjerë, ishin arrestuar me mijëra pjesëmarrës ndërsa më 13 maj kishin rënë në një luftim të pabarabartë, në Prekazin e Ulët,   Nehih Meha dhe Tahir Meha.

Po kështu shumica e analistëve pacifistë anashkalojnë faktin se gjatë të gjitha protestave ka pasur kacafytje me milicinë e kohës, ka pasur madje edhe 2 të vrarë dhe shumë të plagosur lehtë e rëndë. Demonstruesit e revoltuar kanë përmbysur veturat, madje edhe ato të milicisë, kanë thyer dhe kanë dëmtuar objekte të ndryshme. Gjatë luftimeve në Kullën e Tahir dhe Nebih Mehës  në Prekaz, janë vrarë të paktën pesë pjesëtarë të Njësive Speciale dhe forcave të Milicisë së Kosovës dhe shumë  të tjerë janë plagosur.

Të gjitha këto zhvillime që faktohen e dokumentohen në të dhënat zyrtare, në mediet e huaja dhe në shtypin e Tiranës zyrtare të Kosovës, japim materiale të mjaftueshëm për të konkluduar se në mars prill maj të vitit 1981 kishte ndodhur një kryengritje e përgjithshme popullore, e cila kishte filluar me një protestë paqësore të studentëve, por nuk kishte mbaruar me aq. Dhe nuk ishin vetëm studentët ata qç iu paraprinë atyre proceseve por ishin organizatat atdhetare të kohës të cilat aktivitetin e tyre të fshehtë e kishin demonstruar kudo ku kishin arritur.

Sot në 40-vjetorin jubilar, institucionet shtetërore, Instituti i Historisë dhe i Albanologjisë, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, nuk kanë një emërtim adekuat historik, të materializuar me gjuhën e fakteve e të dhënave për të emërtuar shkencërisht zhvillimet revolucionare të marsit, prillit dhe majit të vitit 1981. Emërtimet, të cilat janë përkufizuar nga shoqatat, OJQ-të, nga analistët, nga pjesëmarrësit në ato zhvillime, janë krejtësisht heterogjene dhe ende nuk ka një përpjekje për një emërtim unik, historik e shkencor. Fajin për këtë e kanë në radhë të parë institucionet por edhe Shoqata e të Burgosurve Politikë e cila nuk e ka nxitur këtë çështje, duke u vetë mjaftuar me përkufizimin “Lëvizje studentore” Pranverë studentore 1981”, etj.

Pavarësisht përpjekjeve të politikave ditore, të politikanëve mujsharë dhe të papërgjegjshëm, historia nuk mund të mohohet, nuk guxon të modifikohet sipas kërkesave të papërgjegjshme, që janë pjellë e mendjeve të pacifikuara, të cilët edhe luftën heroike të UÇK-së kundër Serbisë e quajnë konflikt serbo-shqiptar. Filozofia e mjerë eklektike e përpjekjeve të pajtimit të ideve të papajtueshme, nuk prodhon asgjë më shumë sesa një përpjekje koti”…

 

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …