leoni

Sokol Rexhep Elshani (25.10.1950 - 17.4.1999)

Sokol Rexhep Elshani (25.10.1950 – 17.4.1999)

Fshati Krajkovë shtrihet rrëzë bjeshkës së Kozmaqit, në pjesën qendrore të Drenicës. Për shkak të pozitës strategjike, ka qenë një fshat ku kanë hapëruar luftëtarët e lirisë qysh prej kohës së sundimit turk. Në bjeshkët e Kozmaqit kanë gjetur strehë luftëtarët e çetave kryengritëse të kësaj ane dhe të mbarë Drenicës.
Luftës për çlirimin e vendit banorët e fshatit Krajkovë i kanë dhënë gjashtë dëshmorë të kombit: Sokol Eleshani, Gani Elshani, Mehdi Hoxha, Luljetë Shala, Vehbi Hoxha dhe Meriton Elshani. Konsiderohet i zhdukur mjeku dhe veprimtari i dalluar për të drejtat e njeriut, Hafir Shala. Po ashtu forcat serbe kanë vrarë gjatë kohës së luftës nëntë pjesëtarë të këtij fshati: Reshat Elshanin, Faik Brahajn, Fahredin Brahajn, Ramadan Brahajn, Afrim Brahajn, Hyrë Elshanin, Shemsi Elshanin dhe Sabit Buzakun.

Sokoli lindi më 25 tetor të vitit 1950 në fshatin Krajkovë. Babai, Rexhepi dhe nëna Elfije Rukiqi, lindën e rritën katër djem dhe katër bija: Sokolin, Isanë, Bedriun, Haxhiun, Vahiden, Ismën, Eminen, Salihen dhe Fizën.
Shkollën fillore Sokoli e mbaroi në Çikatovë të Re. Mësimet e shkollës së mesme i ndoqi në Shkollën e mesme, drejtimin e xehetarisë e mbaroi në Prishtinë. Pas mbarimit të shkollës zë punë në “Feronikel” ku punoi disa vjet resht.
Më 31 janar të vitit 1990, Sokol Elshani merr pjesë në demonstratat që u zhvilluan në qendër të Drenasit, kundër heqjes së autonomisë së Kosovës nga regjimi kriminal i Milosheviqit. Forcat kriminale serbe atë ditë goditën me armë zjarri në ballin e demonstruesve. Ata vranë: Enver Karaxhën, Sahit Shalën dhe Shani Morinën, ndërsa Sokol Elshani u plagos rëndë. Shokët e tij e dërgojnë për shërim në Spitalin e Prishtinës. Pastaj shkon në Gjemani ku edhe shërohet me sukses.
Me rastin e aplikimit të masave të dhunshme në “Feronikel” Sokol Elshani largohet nga puna. Për ta mbajtur familjen me shumë anëtarë. ai angazhohet në punë bujqësie, ndërsa vëllai i tij, Isai, kishte vajtur për të punuar në Gjermani.
Sokoli ishte martuar me Nurije Dervish Fazliun nga fshati Tushilë i komunës së Skënderajt. Në jetën bashkëshortore lindën dhe rritën bijtë: Agronin e Besnikun, dhe bijat: Valdeten, Teutën, Vlorën, Besën, Fatlumen, Fitoren, Artën dhe Donikën.
Krahas angazhimeve familjare, Sokol Elshani mbante kontakte edhe me shokë e miq që vepronin ilegalisht. Në lëvizjen ilegale të asaj kohe, në LPRK, ishte inkuadruar vëllai i tij. Isai, i cili punonte në Gjermani. Nga frika e arrestimit nga organet jugosllave, nuk ishte kthyer në vendlindje qysh prej vitit 1982.
Me daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sokol Elshani kontakton Jahir Demakun, Musë Jasharin, Sahit Jasharin, Hafir Shalën, Gani Elshanin e të tjerë. Fillimisht veprojnë ilegalisht sipas porosisë së Musë Jasharit dhe Jahir Dërmakut, ndërsa në prill të vitit 1998, merret vendim për ta themeluar pikën Vëzhguese të UÇK-së, të quajtur “Guri III”. Kjo pikë formohet më 14 prill të vitit 1998, në majën e Kozmaqit, në kuotën “979” Komandant i Pikës caktohet Sokol Elshani, ndërsa zëvendës, Gani Elshani, punëtor i arsimit, poet dhe piktor. Fillimisht pika kishte 10 pjesëtarë. Përveç Sokol Elshanit dhe Gani Elshanit, në këtë dhjetëshe të luftëtarëve të parë të lirisë së kësaj ane bënin pjesë edhe: Mehdi Hoxha, Alush Elshani, Mehdi Thaçi, Ismet Thaçi, Agron Thaçi, Xhevat Thaçi, Maliq Elshani dhe Ejup Hoxha.
Pika “Guri III” kishte për detyrë vëzhgimin e terrenit nga maja e Kozmaqit si dhe raportimin për lëvizjet e forcave armike. Në fillimi ishte pikë vrojtuese vëzhguese, por ma kalimin e kohës luftëtarët e kësaj pike fillojnë të marrin pjesë në luftime me tërë efektivin ushtarak, që ndihmonte në zënien dhe barrikadimin e pozicioneve të UÇK-së.
Më 8 maj të vitit 1998, Sokol Elshani së bashku me Mehdi Hoxhën, Xhevat Thaçin e të tjerë, merr pjesë në një sulm kundër forcave të motorizuara armike në Grykë të Llapushnikut. Më 9 maj luftëtarët e pikës “Guri III”, pastaj luftëtarët e pikës “Lumi”, “Pëllumbi” e të tjerë marrin pjesë në barrikadimin e Grykës së Llapushnikut, e cila nga ajo ditë bëhet e pakalueshme për forcat policore dhe ushtarake jugosllave.
Edhe në luftimet që janë zhvilluar në Grykën e Llapushnikut më 29 maj 1998, Sokol Elshani ka marrë pjesë së bashku me disa luftëtarë të njësitit “Guri III”.
Luftëtarët e Pikës “Guri III”, në verë të vitit 1998, kanë marrë pjesë edhe në frontin e luftimeve: Palluzhë, Tërstenik, Rezallë, Marinë. Asokohe në mesin e luftëtarëve më të dalluar të kësaj pike në ndihmë luftëtarëve të komandant Ilaz Dërgutit në Rezallë kishin shkuar: Sokol Elshani, Mehdi Hoxha, Mexhide Thaçi e të tjerë.
Sokoli, në krye të njësitin e tij ka marrë pjesë edhe në luftimet që janë zhvilluar në mbrojtje të pozicioneve në Grykë të Llapushnikut më 25 dhe 26 korrik të vitit 1998.
Njësit luftarak “Guri III” tashmë kishte rreth 150 luftëtarë. Me rastin e ofensivës së përgjithshme të forcave armike kundër fortifikatave të UÇK-së në tërë rajonin e Drenicës qendrore, ku operonin Brigadat “113” dhe “114”, të Zonës Operative të Drenicës, më 21 shtator të vitit 1998, forcat serbe fillojnë granatimit e fshatrave rrëzë Kozmaqit. Asokohe vija ndarëse me forcat serbe ishte te hekurudha dhe ajo përfshinte fshatrat: Baicë, Domanek, Krajkovë e deri në Llapushnik.
Më 25 shtator të atij viti, forcat serbe arrijnë te depërtojnë në majën e Kozmaqit, nga ana perëndimore. Atë ditë në malet e Kozmaqit, afër vendit të quajtur “Vrella e Gjarpijve” bien dëshmorët Vehbi Hoxha dhe Meriton Elshani nga fshati Krajkovë. Po atë ditë, forcat serbe vrasin edhe: Fejzë Brahajn, Fahredin Brahajn, Faik Brahajn, Afrim Brahajn dhe Sabit Buzakun.
Me rastin e ristrukturimit vertikal të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, në shtator-tetor të vitit 1998, Pika “Guri III” sistemohet në kuadër të Batalionit të Dytë “të Brigadës 113”, të Zonës Operative të Drenicës, e cila më vonë do të emërohet me emrin e komandantit emblematik të UÇK-së, Mujë Krasniqi.
Gjatë tërë kohës së luftës e deri në mbarimin e saj, oda e Sokol Elshanit në fshatin Krajkovë ishte e mbushur përplot me luftëtarë të lirisë.
Komandant i “Batalionit të Dytë” të kësaj brigade, qe caktuar Isë Xhemajli, ndërsa zëvendës e tij, Imer Deliu. “Kompaninë e Tretë” të Batalionit, e cila shtrihej në vijen e luftimeve Krajkovë, Domanek, Potërk e deri te Llapushniku e ka udhëhequr Sokol Elshani. “Togën e Parë” me pikë qëndrim dhe operim luftarak në Domanek, e ka udhëhequr Mustafë Hoxha. “Togën e Dytë” si pikë operimi dhe luftimi te Shkolla e fshatit Krajkovë, e udhëhoqi Kadri Shala, ndërsa “Togën e Tretë” me pikën e operimit në fshatin Krajkovë e udhëhoqi, Ramadan Qerim Elshani.
Pas fillimit të bombardimit të forcave ushtarake jugosllave nga aeroplanët e NATO-s, forcat ushtarake dhe policore serbe si kundërpërgjigje filluan sulmin kundër pozicioneve të UÇK-së dhe dëbimin masiv të popullatës civile nga Drenica dhe mbarë Kosova. Luftëtarët e lirisë kishin marrë detyrë që të mbronin popullatën nga bandat kriminale të masakruesve serbe.
Sokol Elshani ka marrë pjesë në sulmin që është ndërmarrë në stacionit policor në Drenas, sulmi i akorduar dhe i kryer me sukses nga njësi “Tigrat e zinj” të cilin e udhëhoqi luftëtari emblematik, Besim Mala, i njohur si Komandant Murrizi.
Në prill të vitit 1999, popullata e fshatrave: Krajkovë, Domanek, Baicë e të tjerë qenë vendosur në fshatin Shtrubullovë. Forcat armike kishin depërtuar edhe te popullata e fshatrave të Qyqavisë. Me qëllim për të ndihmuar luftëtarët e Brigadës 114, “Fehmi Lladrovci”, më 12 prill të vitit 1999, kishin depërtuar në fshatrat Vasilevë, Paklek i Vjetër: Sokol Elshani, Mehdi Hoxha, Nasuf Thaçi, Muharrem Hoxha, Bedri Elshani, Pajazit Elshani e të tjerë. Në luftimet fyt për fyt që zhvilloheshin kundër forcave serbe, të cilët vrisnin e masakronin popullatën civile, më 14 prill bien dëshmorë: Bejtë Rexhepi, Mehdi Hoxha, Agron Berisha, Naim Tiku, Hajzer Rexhepi dhe Fazli Çerkini.
Sokol Elshani me bashkëluftëtarët e tij, pas pesë ditë luftimesh të ashpra, vendos të tërhiqet nga Vasileva në drejtim në maleve të Kozmaqit.
Mbrëmjen e 17 prillit të vitit 1999, Sokol Elshani së bashkëluftëtarin e tij Nasuf Thaçi, bie në pritë të forcave serbe në lagjen Çupi të fshatit Vukoc. Sokoli bie në altarin e lirisë, ndërsa Nasuf Thaçi plagoset nga predhat e armës armike.
Trupin e dëshmorit të kombit, Sokol Elshani, e tërheqin bashkëluftëtarët e tij dhe fillimisht e varrosin në varrezat e Lagjes së Vërmicve në Shtrubullovë. Duke evokuar kujtimet për dëshmorin Sokol Elshani, bashkëluftëtari i tij, komandanti i Togës së Tretë të Krajkovës, Ramadan Qerim Elshani flet për shpirtin vetëmohues të dëshmorit, forcën e tij mobilizuese, besimin e patundur në fitore dhe mbi të gjitha temperamentin e tij luftarak për të çarë kurdoherë përpara, gjithnjë në vijën e parë të luftimeve.
Pas çlirimit nga forcat okupatore serbe, trupin e dëshmorit Sokol Elshani dhe të pesë dëshmorëve të tjerë të këtij fshati, i rivarrosin në Varrezat e Dëshmorëve në fshatin Krajkovë. Në varrim mori pjesë edhe Isa Elshani, vëllai i tij, i cili kishte arritur nga Gjermania në Kosovë pas 17 vjet e gjysmë qëndrimi në mërgim Aty pushojnë në përjetësi, për jetë krenarë dhe të paharrueshëm: Sokol Elshani, Gani Elshani, Mehdi Hoxha, Luljetë Shala, Meriton Elshani dhe Vehbi Hoxha.
Familjes së dëshmorit i ka dhënë Mirënjohje, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, Kuvendi komunal i Drenasit, Shoqata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …