Adem Hoxha dhe Fadil Gashi nga minoritetet, deputetja e AAK-së, Albena Reshitaj dhe deputetja e PDK-së, Adelina Grainca, me shitjen e votave të tyre për favore, që së shpejti do të dalin sheshit, ia mundësuan Vetëvendosjes, zgjedhjen e Vjosa Osmanit, kryetare të Kosovës. Pa këto katër vota, nuk do të mund të ishte siguruar kuorumi i nevojshëm.
Kjo praktikë e shitblerjes së votave nuk po ndodh për herë të parë, por kush më shumë se Vetëvendosja e ka dënuar, denigruar, fyer e përçmuar një praktikë të tillë. Andaj edhe do të diskutohet shumë gjatë ky veprim, i cili gjatë tërë afatit sa do të qëndrojë në krye të Shtetit, Vjosa Osmani, votat e këtyre katër deputetëve e deputeteve, do t i ketë rreth qafës si një lak të cilin nuk e heq dot.
Realisht zonja Osmani është përfaqësuese e postit të Presidentit, përderisa përfaqëson vetëm vullnetin politik të një partie, ashtu sikur aktualisht është Ilir Meta në Shqipëri, i cili përfaqëson vullnetin e opozitës, Lulëzim Bashës të PD-së dhe gruas së tij, Monika Kryemadhi të partisë në zhdukje LSI.
Mbase, sikur kanë filluar të zhvlerësohen parimet edhe shitblerja e votave, një ditë do të zyrtarizohen në qeverisjen e ardhshme, sepse përderisa po jetojnë një rend shoqëror kapitalist, paraja, përfitimi janë vlerë mbi të gjitha vlerat. Edhe Vetëvendosja e majtë e djathtë në të njëjtën kohë ia din kimetin parasë, sepse krejt lufta 15-vjeçare politike është bërë për t iu qepur buxhetit të Shtetit, parasë..
O paraja myrdare,
që xhezdis porsi zagare,
që botën e bërë avare,
thoshte poeti i madh i realizmi kritik shqiptar, Hasan Zyko Kamberi para afër 200 viteve.
…
Me këtë rast, presidentja përfaqëson vullnetin e pozitës, por kur do të vijë koha që ajo duhet ta kërkojë edhe mbështetjen e opozitës, atëherë do të përballet me realitetin aspak të këndshëm. Në një rast të tillë, nuk i ndihmojnë votat e kontrabandës së politikës mafioze, as kryeqeveritari, as partia mëmë nga e cila ka lindur, është rritur dhe edukuar, as familja e farefisi.