leoni

Ilir Meta

Vangjel Sako: O Ilir Meta, ia ke bërë vetes, s’ta var më njeri “torbën”

Njeh historia shqiptare burra shteti që me një thirrje kanë ngritur popullin në këmbë për interesat kombëtare.

25 vjet pa ndërprerje i madhi Skënderbe nuk e ndau shpatën e mprehtë nga dora jo vetëm për të ruajtur të paprekur kufijtë shqiptarë, por duke u bërë barrikadë edhe për Europën mbarë. Brodhi gjithë Europën Ismail Bej Vlora, mblodhi rreth vetes burrat më të mençur dhe trima shqiptarë dhe kosovarë dhe e shpalli më vete Shqipërinë.

 Le ta mbajë kokën mënjanë dhe të mërzitet miku im ballist deri në palcë Ritvan Mersini, por Enver Hoxha me shokë e rreshtoi vendin tonë në kampin fitues të Luftës së Dytë Botërore. Do të doja të thosha të njëjtën gjë për udhëheqësit shqiptarë të pas viteve ‘90, por me pak respekt për Alfred Moisiun, nuk mund të jap më shumë vlerësime.

Të gjithë të tjerët, sidomos ata që u ulën në kolltukun më të lartë të shtetit tonë, atë të presidenti, kanë zhgënjyer në të gjithë dimensionet e postit. Ndonëse e kanë për detyrë kushtetuese për të qëndruar mbi palët, ndonëse e kanë të përcaktuar fare qartë në Kushtetutë se duhet të jenë simbol i unitetit kombëtar ata kanë peshuar nga partia që e ka zgjedhur jo vetëm në mendime, por edhe në qëndrime.

Nuk po përmendim gjëmat e presidentëve të mëparshëm që sot ndoshta edhe emrat nuk u mbahen mend, por po merremi me këtë të tashmin, Ilir Metën. Erdhi në kolltukun që mban ende si një kompromis i madh i forcave politike, por me këmbënguljen e madhe e të jashtëzakonshme të kryeministrit Edi Rama. Në atë kohë u duk si zgjedhja më e zgjuar, por më vonë doli se ishte një kurth i kryeministrit që Iliri e kapërdiu pa shumë logjikë.

Me një gur Edi vrau dy zogj: e la jetime LSI, partinë që e krijoi dhe e rriti vetë Meta, por ndërkohë i përgatiste këtij edhe “ngrysjen” politike. Si një peshkatar nga më mjeshtërorët në skenën politike shqiptare ai ia afronte grepin sa herë ia donte situata dhe po ashtu ia largonte sa herë nuk i nevojitej. Deri sa e katandisi në këtë farë derexheje sa presidentit nuk ia var më njeri. Në fakt Likja e katandisi veten në këtë nivel. Ai kishte mundësinë ose më saktë iu dha mundësia për të treguar se është president i të gjithëve dhe se Shqipëria është mbi të gjitha, por ai e shpërdoroi këtë mundësi. Si ai kumarxhiu që edhe kur e mbush thesin plotë nuk ndjen ngopje, nuk largohet nga kazinoja, por lakmon më shumë edhe ai doli shpesh nga kostumi i presidentit derisa e grisi atë dhe mbeti thjesht një drejtues politik i njëanshëm.

Ju kujtohen zgjedhjet vendore?

E dekretoi dhe më pas e zhdreketoi 30 qershorin dhe askush nuk i shkoi nga pas. Mazhoranca, me gjithë kontestimet dhe parregullsitë i bëri ato deri sa mori edhe certifikimin ndërkombëtar. Pastaj mori guximin dhe bëri një ridekretim për zgjedhje pas gati tre muajsh. E turpshme ajo që ndodhi, as partia e tij nuk mori guximin ti dilte në mbrojtje, jo më organet funksionale shtetërore dhe ai dekret u harrua sikur të mos kishte ndodhur kurrë. Pastaj filloi avazin e ankesave. Pa pikën e burrërisë dilte në konferenca shtypi dhe deklaronte se kjo apo ajo ministri nuk i përgjigjeshin kërkesave që dilnin nga zyrat e tij, kjo apo ajo ministri nuk i jepnin informacionin që kërkonte. E dhimbshme që kreu më i madh i shtetit ankohej për anekset e tjera të këtij shteti. Kur e pa se edhe kjo nuk ishte produktive nisi sulmin ndaj përfaqësuesve diplomatikë që gjoja ishin të njëanshëm dhe nuk mbështesnin atë që mendohej se ishte në rrugë të drejtë.

Kur edhe kjo si të tjerat strategji të tij dështoi, filloi luftën kundër të gjithëve. Anatemonte kryeministrin duke i bërë përcaktime nga më bajatet, sulmonte Parlamentin, por me gjithë shkeljet që konstatonte nuk e mori ndonjëherë guximin të firmoste shpërndarjen e tij (jo se i dhimbej, por e kuptoi se askush nuk merrej më me dekretet që ai firmoste), përbuzte përfaqësuesit diplomatik duke i etiketuar si mafia ndërkombëtare… Së fundi gjeti strehë tek mbrojtja që gjoja i bën Kushtetutës. Harron se është shumë i vonuar po them unë për të mos thënë se është jashtë çdo konteksti. Që të mbrosh dikë, sidomos Kushtetutën që është guri themeltar i shtetit, duhet vetë të jesh së pari skllav i tij.

Likja ynë jo vetëm nuk është realisht ushtari numër një i kësaj Kushtetute siç ka qejf ta etiketojë veten, por përkundrazi është shkelësi numër një i saj. Të përshkosh rrugën nga president në një të fortë të lagjes për dy konakë të një partie politike pa peshë në vend do të thotë të japësh shembullin më negativ se mbron Kushtetutën. Të mos mbështetësh mazhorancën në asnjë vendim të saj, ndonëse ajo do apo s’do presidenti ka marrë shumicën e votës së popullit, të paktën deri më 25 prill dhe të shtysh opozitën në veprime dhune për marrjen e pushtetit është harakiri. Së fundi ka dalë me një platformë për mbrojtjen e votës, “sport” që ai së bashku me homologun e djathtë e startoi si të suksesshëm. A thua do ta dëgjojë njeri? Ka paralajmëruar edhe masa të tjera drastike në këtë fushatë. A thua do ta ndjekë njeri nga pas? Sondazhet tregojnë se është në perëndim të jetës politike. Me ato që po bën presidenti së fundi mua më kujton një shprehje domethënëse nga i mençuri popull: ty s’të pranojnë të hysh në fshat e ti kërkon për nuse vajzën e priftit. (Gazeta Sot)

Kontrolloni gjithashtu

BDI; Përgënjeshtrim i deklaratave të Albin Kurtit mbi Gjuhën Shqipe, që inkurajojnë Gjykatën Kushtetuese

Deklaratat e fundit të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me statusin e gjuhës shqipe …