leoni

Enver Jahir Tahiri (24.7.1977 - 18.4.1999)

Enver Jahir Tahiri (24.7.1977 – 18.4.1999)

Në luftën çlirimtare për lirinë e Kosovës, secili fshat, qytet apo rajon e ka meritën e vet për dëshmorët e rënë heroikisht në fushën e betejës, madje edhe ata që mbijetuan e u shquan me luftëtarët e vet, të cilët rrëmbyen armët dhe shpalosën gjoksin para armikut, disa dhe flijuan jetën për të ardhmen e Kosovës së lirë. Midis dëshmorëve të shumtë të Kosovës e më gjerë, shkëlqen edhe Enver Tahiri, i cili nderoi familjen, vendlindjen, Kosovën e mbarë shqiptarinë, duke u përjetësuar në altarin e lirisë.

Biri i shtrenjtë i Jahir dhe Hafie Tahirit, Enver Tahiri, u lind në fshatin Strofc, komuna e Vushtrrisë, më 24 korrik 1977. Ishte djali i katërt me radhë ndër pesë vëllezërit e motrat: Naserit, Flories, Hadijes, Fikries, dhe Liridonit.
Ai rrjedh nga një familje bujare e patriotike. Gjyshi i tij, Fazli Tahiri, ishte bashkëluftëtar i Azem Bejtë-Galicës në luftë me forcat serbe në vitet ’20 të shekullit 20. Pas betejës së Qyqavicës, te Guri i Gradicës, së bashku me Zenel Lekun e Baicës, më 1921, u përjetësua në vargjet:

“Fazli Strofci, djal’ i ri
Mirë po i vret dy suhari…”

Shkollën fillore Enveri e kreu në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme teknike e kreu në Kastriot. Me profesion ishte teknik i ndërtimtarisë.
Më 1995 ishte i arrestuar nga policia serbe në Prilluzhë, fshat i banuar me serbë, me pretekst të mbajtjes së armëve.
Kontaktet e para me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës i pati më 1 maj 1998. Ndërkaq, u mobilizua në fshatin Strofc, më 25 maj 1998. Mbante pushkë gjysmë-automatike.
Stërvitjet i kreu në Trimor (ish- Zhilivodë), nën komandën e eprorit Gani Lahu. Si ushtar fronti, u dallua në të gjitha operacionet, qoftë në roje, në vëzhgim, në front. Kryesisht ishte aktiv në pikën luftarake në fshatin Gurakuq e Strofc, pjesëtar i skuadrës së parë në togën e Strofcit, kompania e dytë, Batalioni i Parë i Brigadës 142 të Zonës Operative të Shalës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Si i tillë ka marrë pjesë aktive, me trimëri të rrallë e strategji të pashoqe në betejat e zhvilluara në Hamidi, Gurakuq, Strofc, Bivolak, Beçuk, Trimor, Lajthi, Druar, Hade, Bardh i Madh, Mihaliq, Gradicë etj.
Më 18 prill 1999 u bë beteja e fundit por krenare e Enverit me forcat armike serbe. Pas një qëndrese të pashembullt heroike, Enver Tahiri bie dëshmor, afër kishës së Dushmanit në Quqavicë. Me Enverin bie edhe Mehdi Fazliu nga Gradica. Ndërkaq, plagoset Hajzer Duraku (tani invalid i luftës), Xhevat e Rrahim Tahiri, Musli Hyseni, Habib Mustafa e Vesel Raci.
Të nesërmen, më 19 prill 1999, Enveri varroset në Qyqavicë, te kisha e Gecit, ndërsa rivarroset pas luftës, pikërisht më 1 shtator 1999 në varrezat e Dëshmorëve të fshatit Bletajë të komunës së Vushtrrisë. Familja e tij ka marrë mirënjohje nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirinmtare të Kosovës, nga Kuvendi Komunal i Vushtrrisë dhe nga shoqatat e dala nga lufta.
Emri e figura e dëshmorit Enver Tahiri është skalitur në lapidarin e përbashkët të dëshmorëve të komunës, i ngritur në një nga sheshet e qytetit të Vushtrrisë afër Urës së Gurit). (Z. Gj.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …