Pas fillimit të bombardimeve të NATO-s në arealin luftarak të Rrafshit të Anadrinit, më 24 mars 1999, situata në terren ndryshoi dukshëm, sepse forcat serbe përveç sulmeve nga Ushtria Çlirimtare e “Djelmoshave të Adem Jasharit”, tani bëhen të rrezikuara edhe prej bombardimeve, prandaj edhe paramilitarët e dehur e të shfrenuar, edhe në terren manifestonin një tërbim çakajsh e hijnash, dukeshin më të tërbuar. Përpiqeshin që në çdo mënyrë të përhapnin tmerr e trishtim duke vrarë, masakruar e krabonizuar çdo gjë që ishte shqiptare. Forcat serbe në Zonën Operative të Llapit, ndërmarrin ofensiva të mëdha, i afrohen Zllazhit për ta sulmuar Brigadën 153 “Hyzri Talla” dhe komandantin nga Tirana, Adem Shehu e për ta ndalur këtë depërtim përjetësohen: Mustafë Llapashtica, Sefedin Vitia, Baki Pacolli, Rrahim e Shabi Gërbeshi, Rrahman Murati, Zijaver Vllasaliu, Dalip Alshiqi, Shaban Avdiu, Mehmet Visoka e Muhamet Sokoli, në luftimet e Zonës Operative të Karadakut marrin përjetësinë Arsim e Shemsi Isufi, në arealin që kontrollonte Zona e Shalës përjetësohen: Jonuz Jashari, Avni Klinaku e Enver Tahiri, në Gardhinë të Grykës së Llapushnikut përjetësohen: Halim Bajraktari, Ramadan Bytyçi, Mentor Morina, kah Abria Azem Hajdaraj, Tahir Kryziu, në Zonën Operative të Rrafshit të Dukagjinit fillon Beteja e Radacit dhe përjetësohet Afrim Gjuraj e Bjeshkët e Rugovës edhe: Asllan Dinaj, Smajli, Ramë Lajçi, Sherif Brahimaj, ndërsa në Frontin e Koshares, Gëzim Sahiti e në Zonën Operative të Nerodimes bien Sadik Begaj i njohur si “Murtaja”, Driton Islami, i njohur si “Toni”, ndërsa gjatë përpjekjeve të forcave serbe-çetnike për ta marrë Zatriqin, kah “Rrasdoli” apo edhe kah “Fusha e Zatriqit”, kështu në krahun e Burimit përjetësohen Nexhmedin dhe Afrim Morina të fshatit Burim (ish-Javiq) i Llapushës, ndërsa në krahun defansiv kah “Rrasdoli” përjetësohen: Safet Latif Latifi dhe Visar Hoti, të dytë nga Drinasi i Anadrinit, komuna e Rahavecit.
Dëshmori i kombit Visar Hoti, i mësues Mustafës dhe i mësueses Melihate, i vëllai i Teutës, Valbonës dhe i Viganit, është i lindur më 16 tetor të vitit 1977, në fshatin Drinas (ish-Ratkoc) të Rahavecit. U lind dhe u rrit në një mjedis të arsimuar: prindët dhe mixhallarët i kishte intelektualë. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, ndërsa të mesmen në Malësi të Vogël (ish-Radostë) që pas pezullimit të arsimit në gjuhën shqipe në Kosovë, Malësia e Vogël bëri vend për paralelen e ndarë të Gjimnazit “Xhelal Hajda-Toni”, që para pezullimit punonte në Drinas. Gjatë shkollimit në këtë gjimnaz, Visari shquhet si për zell e talent ashtu edhe për respekt që kishte ndaj shokëve. Ndërsa bënte hartime, mësimdhënësve u ra në sy talenti i rrallë të cilin e kishte Visar Hoti, prandaj qysh në bankat e shkollës së mesme krijonte vargje dhe shumë shpejt u bë i njohur te lexuesit e të përditshmeve që dilnin në kohën e pezullimit të shkollës shqipe. Prindërit e Visarit, veçanërisht mësuesja Melihate, nënë e dëshmorit, me ato të ardhura modeste, ishte e gatshme të ndajë prej kafshatës së bukës vetëm e vetëm që Visarit t’ia botohej përmbledhja e vjershave të krijuara “Atyre ditëve kur ëndërronte”. Ëndërronte që pas diplomimit të regjistrohet në Akademinë Ushtarake “Skënderbeu” të Tiranës, kjo ëndërr dhe dashuri bëri që ilegalisht ta thyejë kufirin disa herë, pasi që Grupi i Drinasit, shumë herët ia kishte nisur studimit të “kufirit të mallkuar” dhe furnizimit me armatim. Në këto operaticione përjetësohet më 1992 dëshmori i parë i këtij fshati, kushëriri i Visarit, Jahë Hoti.
Mirëpo pos dëshirës që të studiojë në Akademinë Ushtarake, Visarit, nuk i mbeti tjetër, prandaj detyrohet sërish të trokasë në portat e Unversitetit të Prishtinës dhe në vitin akademik 1996/97 regjistrohet në Fakultetin Ekonomik. Gjatë studimeve nuk i kishte kushtet e volitshme, por megjithatë shtyhej me të ardhurat e prindërve arsimtarë. Jeta studentore e motivoi të mendojë në mënyrë edhe më të pjekur: i duhej më parë dituria apo liria?! Pajtohet se duhej dhënë përparësi të dytës, lirisë dhe pavarësisë së Kosovës prandaj edhe organizohet me veprimtarët e Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës, dhe si shumë studentë të tjerë, duke shpërndarë gazetën “Çlirimi” krijon kontakte me studentët emblematikë të Universitetit të Prishtinës, veçanërisht me studentët e Fakultetit Ekonomik: Adem Rakoci, Afrim Krasniqi, Arton Zogaj, Azem Behluli, Bahri Fazliu, Bedri Mustafa, Blerim Krasniqi, Ejup Kryeziu, Enver Topalli, Esat Axhami, Faruk Beqiri, Faruk Elezi, Fatmir Mustafa, Fatmir Nika, Fatmir Selmani, Gafur Loku, Habib Zogaj, Afrim Krasniqi, Bahti Shala, Haki Ahmetxhekaj, Halit Asllani, Asan Avdyli, Hasan Dema, Ibrahim Mazreku, Ilir Merturi, Izet Shatri, Kolë Lleshi, Lulzim Veselaj, Mensur Zyberaj, Mentor Humolli, Muharrem Zhuniqi, Naim Haxhiu, Osë Osaj, Sokol Dibrani, Sokol Sejfijaj, Shefki Melenica, Valon Gashi, Vedat Selimi e Xhavit Demaku, sot të gjithë dëshmorë të kombit.
Gjatë tërë jetës së tij rinore, si nxënës i fillores, si nxënës i shkollës së mesme e si student i Fakultetit Ekonomik, Visar Hoti reflektonte një vendossmëri që shënonte karakterin e fortë përballë vështirësive dhe rreziqeve, prandaj me të dalë në skenë Ushtria Çlirimtare e Kosovës, më 26 prillit të vitit 1998 radhitet në formacionin e parë të Drinasit, formacion me një përvojë të veprimtarisë gjatë ilegales kundër okupatorit serb.
Beteja e parë e Visarit ishte ajo e 12 majit të vitit 1998 në Bardhatin-Franjakë, në të cilën ranë heroikisht Milaim Krasniqi e Elmi Morina, ndërsa plagoset rëndë Osman Zyberaj. Në “Qafën e Gardhishtit”, më 14 maj forcat serbe nuk arritën në fshatrat Buzëdrinase. Në këtë betejë, Visari ishte afër dëshmorit Mehedin Morina prej Qëndrese (ish-Gllarevë) të Klinës dhe kështu zë që në atë moshë ta formojë personalitetin e luftëtarit të shquar të Batalionit III të Brigadës 124 “Gani Paçarizi” të Zonës Operative të Pashtrikut dhe nuk ka aksion, ndërmarrje ushtarake, operacion e betejë e të mos merrte pjesë. Në këtë vistër radhiten: Beteja në Bokat e Kromnikut, Beteja e Fortesës, Beteja në Rrasat e Rahavecit, Beteja e Izbishtit, e shumë beteja të tjera të Anadrinit e të Rrafshit të Dukagjinit. Edhe pse në luftë, poeti ëndërrimtar Visari “nuk e harroi pendën e kartën”, prandaj shkruante kur kishte çaste të lira, e për këtë flasin bashkëluftëtarët e Visarit: Tahiri, Safeti, Bahtjari, Agimi, Blerimi, Milaimi, Milazimi, Fadili e shumë të tjerë.
Kështu Visar Hoti, vjershë pas vjershe e skicë pas skice, deri më 18 prill, krijonte vargje më të bukura për përmbledhjen “Gjak e lot Anadrinie”, por më 18 prill të vitit 1999, në orët e para të mëngjesit çdo gjë ndryshoi për luftën dhe jetën e Visarit. Atë ditë, forcat e mëdha policore e ushtarake pretendonin për ta marrë Zatriqin e së andejmi ta mbajnë nën kontroll tërë Rrafshin e Anadrinit. Zatriqin e sulmojnë prej Panorçe, prej Burimi e prej Drenajt. Luftëtarët e lirisë të sistemuar në strukturat defansive, qëndrojnë si graniti, mirëpo kah “Balli i Rrasdolit”, jo larg “Varrit të Bali Agës” përjetësohen dy djelmosha të Batalionit të Tretë: Visar Hoti e Safet Latifi lapidari i të cilëve sot ndriçon rrugën e lirisë të cilën e sollën Ata me gjakun e tyre rinor.
Luftëtarët e Batalionit të Drinasit vazhduan luftën deri në orët e mbrëmjes, ndërsa me të rënë terri, atëherë kur ndahej dita me natën, i tërheqin trupat e pajetë të dy sokolave të Drinasit dhe i përcjellin në amshim me nderime të merituara ushtarake duke i vendosur në ballin prej nga do ta shihnin tërë Rrafshin e Anadrinit. Por pas përfundimit të aktiviteteve luftarake të këtij batalioni, luftëtarët e lirisë, ngjiten në “Majën e Zatriqit” dhe marrin trupat e djelmoshave të rënë për t’i rivarrosur në vendlindjen e tyre, në Drinas, jo larg vendit ku shpërthyen rezistencat e para të këtij fshati, vendit ku ra Naser Krasniqi. Sot në vendin e rënies shkëlqen një lapidar për Visar Hotin e Safet Latifin, në fshatin e lindjes janë rregulluar skutet e “Kopshtit të Dëshmorëve” ndërsa në oborrin e Shkollës Fillore “4 Dëshmorët” qëndrojnë krenare bustet e dëshmorëve: Sahit Krasniqi, Visar Hoti, Safet Latifi e Naser Krasniqi të cilët mbeten krenaria e fshatit, e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e Trojeve të Bashkuara Etnike. (S. C.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …