Fshati Llapushnik është ndër fshatrat më të njohura të vendit për rezistencë të organizuar kundër forcave policore e ushtarake serbe qysh në pranverë të vitit 1998. Gryka e Llapushnikut, në magjistralën: Prishtinë-Pejë ishte ndër pikat e para të luftës së UÇK-së, e cila për disa muaj rresht u bë kështjellë e pakalueshme për forcat okupatore serbe. Djalëria dhe popullata e këtij fshati heroik të Drenicës qëndroi heroikisht në pikat strategjike të këtij fshati deri në fundin e luftës, deri në tërheqjen e turpshme të forcave ushtarake serbe nga Kosova në qershor të vitit 1999.
Mentor Gashi lindi në Llapushnik, më 26 prill të vitit 1983. Shkollën fillore me sukses të shkëlqyeshëm e ka mbaruar në fshatin Arllat. Duke qenë se fshati Llapushnik qysh në maj të vitit 1998 ishte bërë barrikadë e luftës dhe një pikë strategjike e UÇK-së, që kishte këputur lëvizjet e ushtrisë dhe policisë serbe në drejtim të Dukagjinit, në magjistralen Prishtinë-Pejë, përballë postbllokut më famëkeq serb që ishte vendosur në udhëkryqin e Kamaranit, si dhe për shkak të granatimit të pandërprerë të këtij fshati nga baza e forcave serbe, popullata civile ishte larguar nga fshati. Babai i Mentorit, Naimi me familjen e tij ishte vendosur në Besianë, (ish-Podujevë). Mentori atje kishte vijuar mësimet në Shkollën e Mesme Teknike. Ndërkohë në vjeshtë të po atij viti, Mentori kthehet sërish në Llapushnik, fshat i cili tashmë ishte bërë i njohur kudo jo vetëm në Kosovë por edhe në botë.
Edhe pse i ri në moshë, Mentori qysh prej zënies së Grykës nuk largohej dot nga luftëtarët e lirisë. Dashuria e tij e zjarrtë djaloshare, për të shërbyer dhe për të luftuar në radhët e UÇK-së ishte e papërshkrueshme dhe tejet e motivuar. Ai ishte kudo në mesin e luftëtarëve, por duke qenë se ishte shumë i ri nuk i jepej arma, edhe pse ai tashmë kishte kryer stërvitje të shumta dhe dinte ta përdorte armën.
Mentori i ri, burim frymëzimi kishte luftën për çlirim nga barbaria okupatore.
Në kohën kur ishte nxënës i shkollës së mesme ai fillon të shkruajë edhe poezi me motiv për luftën dhe qëndresën e trimave të Adem Jasharit dhe të Drenicës. Ai, në moshë të re e të njomë ishte nisur pakthyeshëm në rrugën plot rreziqe drejt shtigjeve të lirisë. Mentori ishte luftëtar i batalionit “Imer Alushani” i Brigadës 121 “Ismet Jashari – Kumanova”. Një kohë ka kryer shërbime në kuzhinën ushtarake të batalionit. Ishte shumë i afërt me shokët, depërtonte si era nga një vend në tjetrin. Ishte kudo ku e kërkonin shokët dhe eprorët.
Më 18 prill të vitit 1998, ndodhej së bashku me Islam Kastratin te bunkeri në pozitën strategjike në mes të Gurishtës dhe Bajrakut, në malet e Berishës. Në një moment predha armike godet vendndodhjen e Mentorit. Ai me gjakun e tij të njomë djaloshar, në pozicionin te Gurishta, ku kishte emetuar program Radioja-Kosova e Lirë, skuqi malet e Berishës nga ku kishin filluar të përskuqeshin lulëkuqet e lirisë, ashtu sikurse metaforikisht i kishte përshkruar në poezinë e tij. Po nga ajo goditje kishte marrë plagë vdekjeprurëse edhe ushtari emblematik i maleve të Berishës, Islam Kastrati nga fshati Kizharekë. Mentori radhitet ndër dëshmorët me moshë më të re të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Atë ditë, më 18 prill të vitit 1999 te “Shkëmbi i Gradinës” ku ndodhej njëra ndër pikat më strategjike të Brigadës 121 “Ismet Jashari – Kumanova” kanë rënë dëshmorë: Ramadan Bytyçi nga Gjergjica, Halim Bajraktari nga Drenasi, Morina nga Kamarani ndërsa janë plagosur disa të tjerë.
Mentor Gashi ka lënë disa poezi në dorëshkrim. Poezinë “Kështjellë qëndrese”, kushtuar Drenicës së Adem Jasharit, e kishte shkruar në një fletore shkolle, gjatë kohës kur ishte nxënës në Shkollën Teknike “Fan Noli”, në Besianë (ish – Podujevë).
Kështjellë qëndrese
Drenica jonë martire,
Tokë e bijve të dheut,
U stolise me plumba
Për liri t`Atdheut.
Edhe në këtë prag pranvere
Kur prisnim të blertat lule
Fushat dhe trojet tona,
U mbushën me lulëkuqe.
Si shiu kur dhembshëm bie,
Rrëke rrodhën lotët tanë,
Për vëllezërit, nënat, gjyshërit,
Që gjakësorët na i vranë.
Do të qëndrojmë pa frikë!
Do ta fitojmë lirinë!
Kosovës Republikë
Do t`ia sjellim pavarësinë!
Familja e dëshmorit Mentori Gashi nga Llapushniku ka marrë mirënjohje për birin e saj dëshmor, nga SHP i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes e QPK-së, nga shoqatat e luftës, dhe nga Kuvendi komunal i Drenasit. (A. Q.)