Në vazhdën e takimeve të tij, ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, priti sot në vizitë ambasadoren e Republikës së Kroacisë në Kosovë, Danijela Barišić. Me këtë rast, ambasadorja Barišić, uroi ministrin Mehaj për detyrën e re dhe premtoi se Kroacia si një vend mik i Kosovës, sikur edhe deri më tash, do të vazhdojë të ndihmojë dhe mbështesë Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në në të gjitha fushat dhe komponentët e tyre në mënyrë që të përmbushë me sukses të plotë synimet e tyre. Nga ana e tij, ministri Mehaj shprehu mirënjohjen e thellë për Republikën e Kroacisë, për përkrahjen e deritashme të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së. Ai, gjithashtu, e vlerësoi me rëndësi të madhe mbështetjen për zhvillimin e kuadrove profesionale me shkollimet dhe trajnimet në qendrat specialistike dhe akademinë ushtarake të ofruar në vazhdimësi si dhe përvojën e forcave kroate në fushën e operacioneve paqeruajtëse, industrinë e mbrojtjes dhe fushave tjera specifike. Në fund, të dy u pajtuan që të intensifikohet edhe më tej bashkëpunimi bilateral në funksion të integrimit të Kosovës në institucionet ndërkombëtare të mbrojtjes për ofrimin e kontributit për paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal dhe më gjerë.