Dervish Shaqa (1912 – 1985) këngëtari më i përkushtuar i këngës rapsodike shqiptare

Mr. Kadri Rexha: DERVISH SHAQA ( 4.5.1919 – 13.4.1985)

Dervish Shaqa lindi më 4 maj të vitit 1910 në Llukë të Epërme të Komunës së Deçanit. Rrjedh nga një familje fashatare me tradita punëtore, kulturore dhe luftarake. Ndonëse arsimimin fillor katër-klasë e kreu në gjuhën serbe rapsodi i ardhshëm u rrit dhe u edukua në shkollën e traditës kombëtare në odën e burrave të kullës së Shaqë Ramës. Në shembullin e rapsodëve të kohës, para publikut të odës, fillon të këndojë që në moshën nëntë vjeçare. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, i nxitur dhe i përkrahur nga Asllan Boletini, asokohe perfekt i Prizrenit, për disa vjet punon në detyrën e gardianit në Prizren dhe në Tiranë, ku jo vetëm shfaq simpati për veprimtarët e lëvizjes antifashiste por në ndonjë rast atyre ua mundëson edhe ikjen nga burgu. I indinjuar për tradhtinë që i bëhet luftës dhe rezolutës së Bujanit për pak kohë gjendet në radhët e qëndresës së luftëtarëve të Demë Ali Pozharrit.

Si stërnip  familjes së madhe atdhetare Vokshi të Gjakovës dhe si rapsod me autoritet, me përkrahje të Bije Vokshit dhe të grupit të politikanëve të Gjakovës, pushteti i ri e emëron në postin e nënkryetarit të komunës së Deçanit. Ndonëse në rolin e kryetarit për kolektivizim Dervish Shaqa është ndër të parët që e kundërshton këtë aksion famëkeq, prandaj, duke rënë në konflikt të hapur me pushtetin, përjashtohet nga çdo funksion shtetërorë. Pas akuzave dhe torturave çnjerëzore që i bëhen gjatë aksionit për mbledhjen e armëve, për t’i ikë likuidimit fizik, në mesnatën e 7 dhe 8 marsit, vet i katërti kalon kufirin shqiptaro-shqiptar në Shipshan të Malësisë. Për disa muaj jeton në kampin e emigrantëve në Llakatun të Vlorës, pastaj në Shënavlash të Durrësit, në Tiranë dhe më në fund në Rashbull të Durrësit. Si veprimtar i Lëvizjes Irredentiste Shqiptare ka kryer disa aksione të rëndësishme ilegale në Kosovë kundër pushtetit gjakpirës të Tito-Rankoviqit. Veprimtaria e gjerë rapsodike e tij fillon me regjistrimin e këngëve dhe të materialit të bollshëm folklorik në Institutin e Kulturës Popullore, me regjistrimin e këngëve në fonotekën e Radio Tiranës dhe të Radio Kuksit, me veprimtarinë e jashtëzakonshme artistike në “Grupin Kosovar të Rashbullit”. Në saje të punës dhe vlerave të shumëfishta artistike e kombëtare kënga e tij arriti të ngjitet në skenat më të njohura të Shqipërisë për të kumbuar në Festivalin Kombëtar të Folklorit në Gjirokastër, prej nga do të bëhet e njohur kudo në trojet shqiptare. Për kontributin artistik dhe kombëtar mori epitetin këngëtari legjendar, ndërsa shteti shqiptar e dekoroi me urdhrin “Artist i merituar” dhe me medalje dhe fletë nderi të ndryshme.

Rapsodi Dervish Shaqa shquhet mbi çdo rapsod shqiptar dhe realisht konsiderohet sintezë e madhe e lëvizjes muzikore rapsodike përparimtare e kohës kur këndoi dhe më vonë. Me repertorin e gjerë dhe të zgjedhur të këngës, me këndimin karakteristik autokton dukagjinas dhe me vokal të veçantë mbresëlënës larg çdo orientalizmi ai është përfaqësuesi më i gjithanshëm i idealeve të kombit shqiptar, veçanërisht i idealeve të gjysmës së kombit, të pushtuar nga serbët, malazezët dhe maqedonët.

Me veprimtarinë e gjerë kulturore e shoqërore, si interpretues, si instrumentist, si valltar, si etnograf, si përfaqësues dhe udhëheqës shpirtëror i „Grupit Kosovar të Rashbullit“ e deri si veprimtar me armë në dorë, Dervish Shaqa, me plot të drejtë, konsiderohet rapsod kombëtar. Në veprën e tij rapsodike ai i këndon atdheut si tërësi tokësore, si tërësi etnike dhe si tërësi shpirtërore, ashtu siç i kënduan De Rada, Naimi dhe Gjergj Fishta. Veprën rapsodike të tij e përbëjnë të gjitha fushat, të gjitha mendimet, të gjitha ndjenjat, të gjitha idealet dhe të gjitha veprimet njerëzore të jetës së shqiptarit. Me pasion dhe virtuozitet të jashtëzakonshëm ai i këndon dashurisë, punës, luftës dhe vdekjes heroike. Në veprën e tij rapsodike, me theks të veçantë, ai u këndon vlerave të larta shpirtërore kombëtare siç janë nderi, drejtësia, besa, trimëria, vetëmohimi dhe atdhedashuria. Vepra e madhe rapsodike e Dervish Shaqës shquhet për gërshetimin e një rrethi të gjerë temash dhe motivesh të cilat përfundojnë me mesazh dhe porosi të qartë: Lirinë dhe pavarësinë e atdheut nuk ta falë kush. Liria dhe pavarësia e atdheut kanë çmim të lartë, ato fitohen dhe mbrohen me punë, me flijime të mëdha dhe me luftë heroike .

Të rrallë janë krijuesit që qysh për së gjalli u krijohet miti. Dervish Shaqa pati një fat të këtillë. Miti për të e ka zanafillën qysh në fillimin e interpretimit të tij në moshën nëntëvjeçare, mit që, në rrjedhë, vjen duke u rritur bashkë me rapsodin. Në krijimin e mitit për Dervish Shaqën, pos ithtarëve dhe adhuruesve të tij të shumtë, pas arratisjes në Shqipëri dhe kthimit të tij nëpërmjet këngës, ndikim vendimtar do të luajnë mediumet Radio Kukësi, Radio Tirana dhe Televizioni Shqiptar, këngën e të cilit, në një kohë robërie të gjysmës së kombit, do t’i shpërndajnë shtëpi për shtëpi në të gjitha trojet shqiptare si dhe tek shqiptarët jashtë atdheut.. Mos të harrojmë, këngët e tij vinin nga Shqipëria, nga vendi ynë i shenjtë, nga toka jonë e shpresës së madhe. Ato kishin vulën zyrtare. Ato ishin porosi dhe kushtrim. Ato ishin mit dhe realitet në të njëjtën kohë.

Rapsodi Dervish Shaqa ka filluar të këndoj në moshën nëntë vjeçare, ndërsa këngën nuk e ka ndalë deri në frymën e fundit, deri në moshën shtatëdhjetë e pesë vjeçare. Karrierën e rapsodit të këngës popullore e ka filluar në një dasmë fshati dhe, pas një udhëtimi të gjatë krijues e interpretues, e ka përfunduar në Festivalin Kombëtar të Folklorit në Gjirokastër. Gjatë harkut kohor gjashtëdhjetë e gjashtë vjeçar opusi artistik i rapsodit ka arritur në rreth 120 këngë të zgjedhura temash dhe motivesh të ndryshme duke filluar nga lirika e dashurisë, epika legjendare e deri te epika historike.

Këngët e interpretuara nga rapsodi Dervish Shaqa kryesisht i karakterizon tema historike ndërsa, fillim e mbarim si vijë e kuqe, ato i përshkon motivi patriotik. Ndër këngët më të njohura antologjike të kësaj gjinie konsiderohen: “Prej Prokupje deri në Nish”, “Priti djemtë e mëmleqetit”, “Në Kaçanik deri n’Boletin”, “Për vend tonë jem tuj luftue”, “Ah, Shqipni, mos thuej mbarova”, “Hajmedet për kët Shqipni”, “E pesëdhjetë e gjashta sene ka hi”, “Kur ta kthyem moj Kosovë shpinën”, “Asht kthye zemra asht ba sharki”, “Maj i kuq, viti shtatëdhjetë” “Moj Kosovë trimneshë dardane”, “Festë të madhe sot ka Shqipnia”, si dhe këngët e trimërisë kushtuar Skëndërbeut, Ali Pashë Tepelenës, Marash Palit, Oso Kukës, Shaqir Igrishtës, Zhuj Selamanit, Ahmet Delisë, Isë Boletinit, Bajram Currit, Sali Shabanit, Nak Berishës, Azem e Shote Galicës, Lije Brahës, Hajdar Dushit, Emin Durakut, Shaban Palluzhës, Rifat Berishës, Xheladin Hanës, Adem Rekës, Enver Hoxhës,etj. Ndër këngët më të mira lirike me motiv të dashurisë të kënduara nga Dervish Shaqa konsiderohen : “N’dërrasë të vekut kush po kanë”, “Moj e mira me e bardhë se bora”, “Moj e mira n’derë të stanit”, “Moj e mira n’atë stanisht딓Prej Podrimje po vjen haberi”, etj. Ai ka kënduar edhe këngë me motive vajtimi:“Motra e e Adisë”, “Qou more Rexhë” si dhe aso me motive humoristike “Prej qat sene që u rreh Reka”, “Kur jam kanë nji herë i ri”, etj.

   Këngët e Dervish Shaqës për bazë kryesisht kanë tekstin e autorit popullor kurse për bazë të muzikës kanë melosin burimor të rrethit të Deçanit dhe të mbarë Dukagjinit. Një numër i konsideruar i këngëve të reja, si me tekst ashtu edhe me muzikë, janë krijime origjinale të vetë rapsodit. Këngët e tij rapsodi i ka shoqëruar me sharki, ndonjëherë edhe me çifteli e lahutë. Në duet me Zenel Ademin, Demë Tarakun, Lan Dobrën, Demush Nezirin, Shaqë Avdinë, Shaban Salihun e ndonjë tjetër këngën e tyre e shoqëruan me sharki dhe çifteli. Gjatë këndimit në koncerte dhe festivale të ndryshme në kuadër të “Grupit Kosovar të Rashbullit” sharkisë së Dervish Shaqës i bashkoheshin edhe instrumentet tjera muzikore në përbërje të orkestrës.

   Në mesin e rapsodëve më të talentuar të shekullit të kaluar, Dervish Shaqa shquhet si krijuesi dhe interpretuesi më i mirë i këngëve epike shqiptare. Duket se në këngët epike, veçanërisht në ato me temë historike, për shumë arsye, rapsodi Dervish Shaqa e gjeti vetveten. Arsyeja e parë dhe kryesorja është përputhja e idealeve të heronjve të këngëve epike me idealet e rapsodit si dhe gjakimi i flaktë i tij që këto ideale nëpërmjet këngëtimit t’i mbjelli në popull, ashtu siç e mbjell bujku farën në tokë pranverave të hershme.

   Në kushtet e mungesës së arsimimit kombëtar, të mungesës së librit shqip si dhe të mungesës së mjeteve të informimit në gjuhën amtare, Dervish Shaqa këngën epike e konsideroi dhe e përdori si instrumentin më efikas për edukimin e popullit, veçanërisht të gjeneratave të reja. Këto këngë me vlera të larta artistike dhe historike ai i vuri në shërbim të qëllimeve të larta të luftës për ruajtjen vetëqenies, të identitetit kombëtar, të lirisë dhe të progresit historik. Në vlerat shumë dimensionale të këtyre këngëve ai e shihte dëshminë bindëse lidhur me ruajtjen, mbajtjen gjallë dhe mishërimin e tyre të thellë në shpirtin e popullit. Te këto këngë rapsodi shihte një burim të fuqishëm edukativ në planin kulturor dhe historik si dhe një manifestim të rezistencës së vazhdueshme kundër sulmeve barbare të kulturës së pushtuesit. Te krijimtaria popullore ai shihte shprehjen më të lartë të karakteristikave të kombit dhe të traditës, ndërsa te kënga epike ai shihte pasqyrimin e idealeve të popullit, etnopsikologjinë, moralin, qëndresën, patriotizmin, lirinë, trimërinë, flijimin, nderin, besën, etj., prandaj, edhe armën e përsosur politike kundër agresioneve të jashtme asimiluese.

   Me këto bindje të qarta, si për rolin e këngës epike ashtu edhe për rolin e rapsodit, Dervish Shaqa, padyshim, inkuadrohet në radhën e pedagogëve më të nderuar të kombit. Me punën e tij krijuese interpretuese mbi gjashtëdhjetëvjeçare ai pasqyroi me art ngjarjet më të rëndësishme të dy shekujve të fundit, që nga Tanzimati e deri te Demonstratat e mëdha të Kosovës të vitit 1981. Me zërin e tij burrërorë ai u ngriti përmendore përjetësie heronjve më të dëshmuar të Kombit. Me porosinë e madhe të këngëve dhe të artit të tij të mrekullueshëm ai aq sa ishte rapsod popullor po aq ishte institucion, përfaqësues i aspiratave të Kosovës, zëdhënës i shpirtit liridashës të Kombit.

   Dervish Shaqa nga vetvetja dhe nga kënga kërkonte shumë. Kënga për të ishte art, histori, kronikë, edukim, frymëzim, mobilizim, flamur, pushkë… Repertori i këngëve të këtij rapsodi ishte i zgjedhur. Ai nuk këndonte çfarëdo kënge. Nuk e këndonte këngën të cilës nuk ia dinte historinë. Pasi e këndonte këngën ai zakonisht e analizonte dhe e komentonte atë duke e nxjerr në pah edhe mesazhin kryesor të saj. Ai dëshironte që kënga të depërtojë sa më thellë në shtresat e gjëra të popullit. Ai synonte që me këngë të ndikojë në zgjerimin e njohurive te dëgjuesit si dhe në edukimin e tij të gjithanshëm. Ai synonte që më këngë të ndikojë në ngritjen e moralit si dhe në ngritjen e ndjenjës etike dhe estetike të dëgjuesve shtresash të gjëra të popullit.

   Dervish Shaqa si rapsod jetonte me fatin e popullit. Nga prindërit kish dëgjuar për masakrat serbo-malazeze dhe për ndërrimin e fesë me dhunë. Personalisht kish përjetuar masakrën mbi burrat e fshatit të vendlindjes. Kish përjetuar vrasjen e burrave më të mirë të Kosovës. Dhuna dhe paraja serbe po bënin kërdinë. Për çdo ditë vrasje… Për çdo ditë dëbime me dhunë… Për çdo ditë burgosje… Dhe rapsodit, në një atmosferë të këtillë, i dhemb shpirti.

Armët e tij, për momentin, ishin zemra, kënga dhe sharkia. Me këto armë popullit i jepte shpresë për ditë më të mira, me këto armë e frymëzonte rininë me ndjena dashurie për atdheun dhe lirinë, me këto armë mobilizonte rininë me krenarinë për të kaluarën e lavdishme kombëtare, me këto armë organizonte vetëdijen e gjeneratave të reja lidhur me njohjen e traditave, të virtyteve të larta dhe të shpirtit të kombit, me këto armë jepte shembuj se si duhet luftuar, me këto armë ai e kthente heshtjen në kushtrim, me këto armë e vriste armikun, me këto armë e vriste tradhtinë…

   Për Dervish Shaqën, para se të jetë argëtim, kënga ishte dëshmi historike, ishte komunikim artistik me kohërat, por, në rrethanat që jetonte, mbi të gjitha, ajo ishte mision. Dhe si çdo lëvizje e madhe, që veprimtarinë e vet e mbështet mbi një program të caktuar, edhe misioni gjashtëdhjetë e gjashtë vjeçar i Dervish Shaqës u mbështet në programin e vet të krijuar dhe të përshtatur sipas kërkesave të kohës. Programi rapsodik i Dervish Shaqës mishëron luftën dhe përpjekjen mbi dyqind vjeçare të popullit shqiptar për liri, për pavarësi të atdheut dhe për bashkim kombëtar.

   Veprimtaria  rapsodike e Dervish Shaqës vazhdimisht qe në përkim të plotë me vlimet revolucionare të popullit shqiptar të Kosovës me Vise. Këngët patriotike të interpretuara nga ai ndikuan me forcën e artit në vetëdijen e popullit shqiptar gjatë tërë shekullit të kaluar e deri në luftën e fundit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Interpretimi krijues i këngës, misioni i lartë i këngës dhe i rapsodit në momentet më të thirrshme të kohës, ndikimi i tij artistik mbi rapsodët e rinj dhe mbi mbarë kulturën muzikore shqiptare, dëshmojnë fuqishëm mbi rolin dhe rëndësinë e këngës në proceset e zhvillimit shoqëror dhe historik, ndërsa rapsodin Dervish Shaqa e ngritin në piedestalin e kolosëve të kombit.

   Në atmosferën e zgjimit të gjithanshëm të Kosovës kënga e Dervish Shaqës ka hisen dhe rolin e saj të jashtzakonshëm. Duke himnizuar heroizmin individual dhe atë kolektiv, ajo shpërndan mesazhe dhe merr pjesë në krijimin e disponimit të masave të gjëra popullore të kohës. I vetëdijshëm për misionin e lartë atdhetar të këngës në etapa të caktuara të historisë, Dervish Shaqa, këngën e vet e ngriti në kambanë zgjimi të vetëdijes atdhetare, në mjet forcimi të krenarisë kombëtare dhe në instrument mobilizimi përballë sfidave të reja që po i shtronte koha. Rapsod me përvojë, artistit me ndikim, anëtar aktiv i Lëvizjes Irredentiste Shqiptare, me këngën e tij, Dervish Shaqa, aq sa bëri për krijimin e kultit të heroizmit kombëtar, po aq te masat e gjëra ndikoi në zgjimin e ndjenjës së dashurisë për liri dhe të nderimit të madh për trimat dhe heronjtë e historisë. Realisht duke qenë krah i fortë i organizatave patriotike ilegale të Kosovës, Dervish Shaqa, nëpërmjet këngës, natë e ditë, transmetoi mesazhe politike në çdo qytet, në çdo fshat dhe në çdo shtëpi shqiptare. Duhet të kthehemi në kohën e Rapsodit, përkatësisht në kohën e natës së gjatë shqiptare të Kosovës, për ta kuptuar mesazhin diellor të vargjeve dhe këngëve të tij:

Bajram Curri në shi

Ujë po rrin pa pi

Vetëm për Shqipni

Bajram Curri në borë

Bukë po rrin pa ngranë

Vetëm për Kosovë

***

Amanet o moj rini

Dejm luftoni për për Shqipni

Se i huaji kurrë s’tjep liri

***

More Titë, more Titë tradhtari

Këso vuajtjesh s’duron shqiptari

Kët terror që po e ban ti

Tash gjithkush mirë asht ka e di

Don shqiptart me i çue n’Turqi

Nuk jem turq me shkue n’Turqi

Jem shqiptar e dom Shqipni

***

Na nxuer jashtë krajli i Serbisë

Sikur sot klyshtë e tradhtisë

Vatrat tona i kemi lanë

Por n’Shqipni gjetëm nji nanë

Bacë Enverin nanë Partinë

Vëlla e motër gjithë Shqipninë

***

Gëzon Kosova, gëzon Drenica

Heroinë Shote Galica

Shqipe  mali,  me dy fletë

Dymbdhetë vjet luftoi në çetë

***

Moj sharki e rreptë e vrantë

A i ndjeve atë ditë gjamtë

Kush n’atë shpi ka qëndrue

Kush s’dorëzohej tuj luftue

Kush nuk pyet për top t’gjermanit

Lija, e motra e Merimanit

Nuk m’frikson qeni i trdhtisë

Se jam çika more e Shqipnisë

***

Me flamur të kuq në dorë

Janë mbushë malet me dasmorë

Ata janë krushq të lirisë

Ata janë djem të Shqipnisë

Ata janë shpresa e vogjlisë

***

Maj i kuq viti shtatdhjetë

N’histori ka me mbetë

N’ato bjeshkë t’Malsisë Gjakovës

Ushtoj zani i Enver Hoxhës

***

Po sheh bota po çditet

Si Shqipnia kala rritet

U thanë kënetat gjelbrojnë ledinat

Varg fabrikat rresht uzinat

Ndal kandilat nepër male

N’mal janë çue hidrocentrale

N’Elbasan derdh çelikun

Çdo sukses plumb për anmikun

Fol Parti na ke në shkrepa

Plumbat dimë me i ba raketa

Kur n’Kongres na flet Enveri

Top na bahet maliheri

Në çdo fjalë që nxjerr prej goje

Nji Flamur njimijë fitore

***

Moj Kosovë, trimneshë Dardane

Faqebardhë, zemërluane

Nëpër shekuj shtërngon shpatat

Bjer sulltanit, bjer mbi kralat

Historinë ta njeh gjithë bota

Djep trimnie asht Kosova

***

O festë të madhe o sot ka Shqipnia    

Brohorasim o të gjithë nga zemra

O rrofsh sa malet Vlora heroike

Flamurin kombëtar e para e ngrite. 

Këngët kushtuar heronjve të traditës dhe heronjve të epokës së re, këngët kushtuar heroizmit të gruas shqiptare dhe këngët kushtuar dashurisë së pakufishme për Nënën Shqipëri sintetizonin për mrekulli aspiratat shekullore të popullit dhe në të njëjtën kohë po bëheshin shembull dhe model për rininë atdhetare, për luftën që po përgatitej. Pos pasqyrimit të idealit të madh të kohës këto këngë kërkonin mobilizim të gjithanshëm dhe veprim mbinjerëzor.

Mjerisht, rapsodi Dervish Shaqa vdiq herët, më 13 prill 1985, në Rashbull të Durrësit, dhe nuk arriti ta prekë me dorë Kosovën e lirë, Shpirtin e tij, siç e quante ai Kosovën, për lirinë e së cilës dha krejt çka kishte, edhe frymën e fundit të jetës, ashtu siç qe betuar: “Unë sa të jam gjallë e deri në ma të mbramën frymë të shpirtit, deri sa të vdes, i palodhun, do t’i këndoj kombit.”

Dervish Shaqa nuk arriti t’i këndojë Luftës së UÇK-së për të cilën e lëshoi kushtrimin gjashtëdhjetë vjet me radhë. Por, në këngët për Adem Jasharin dhe për trimat e UÇK-së, bashkë me zërin e rapsodëve të ri, sot kudo përcillet fryma atdhetare, ndjehet qenia burrërore dhe dëgjohet zëri luftarak i rapsodit legjendar Dervish Shaqa.

Të mëdhenj janë ata që investojnë për ardhmërinë.

Investimi i rapsodit Dervish Shaqa nuk ka shkuar kot.

Vepra e tij është e përjetshme.

Kontrolloni gjithashtu

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, lindi më 7 nëntor të vitit 1922 në Leusë të Përmetit, është gjuhëtar, …