Në objektin e Shkollës Normale, në Prishtinë, në vitin 1981, përveç Akademisë Pedagogjike-cikli i ulët, zhvillonin mësim edhe disa paralele të shkollës së mesme teknike. Në këto dy shkolla kanë vepruar edhe dy organizatat të fshehta atdhetare: Grupi-Marksist Leninist i Kosovës, dhe organizata e quajtur: Partia Komuniste Marksiste Leniniste e shqiptarëve në Jugosllavi.
Nga mesi i këtyre dy organizatave patriotike kanë rënë dëshmorë në demonstratën e dy prillit të vitit 1981 nxënësit, maturantë: Asllan Pireva dhe Naser Hajrizi. Po ashtu janë arrestuar e dënuar me burg të rëndë: Fatmir Graiçevci, Afrim Zhitia, (më vonë dëshmor) Ilaz Zhitia, Naim Mahmudi, Naim Statovci, Lutfi Maqedoni, Rrahim Rama, Raif Çela e të tjerë. Edhe nga mesi i mësimdhënësve janë dënuar me burg të rëndë: Zenun Gjoci dhe Xhevdet Syla, tani të ndjerë, pastaj, Meriman Braha, Sheqir Zeneli, Nezir Myrtaj e Ahmet Qeriqi.
Shkolla Normale e teknike e asaj kohe ishin dy baza të fuqishme atdhetare, të cilat komunisti titist, drejtori i atëhershëm, tani i vdekur, Jusuf Shushka i quante “çerdhe të nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar”, në Prishtinë.
Në një intervistë për gazetën “Ilustovana politika” të majit të atij viti, që botohej në Beograd, drejtori i shkollës, Jusuf Shushka, kishte kritikuar “Komitetin” të cilin thoshte se kishte lajmëruar me kohë, se Ahmet Qeriqi, Zenun Gjoci e disa mësimdhënës të tjerë kishin “helmuar” nxënësit me nacionalizëm e irredentizëm dhe ata nuk kishin ndërmarrë me kohë masa kundër tyre… Madje ai veçonte se Ahmet Qeriqit, edhe pse iu kishte shqiptuar dënimi me burg, për vepër penale, propagandë armiqësore, në tetor të vitit 1980, në Ferizaj, iu kishte lejuar të punonte me nxënës deri në plotfuqishmërinë e dënimit…
Mjerisht pati edhe disa arsimtarë të verbëruar me “idealet” titiste, të cilët nuk e kuptuan me kohë se çështja e çlirimit dhe bashkimit kombëtar të shqiptarëve ishte veprimtari atdhetare e natyrshme, e pashmangshme, por rruga deri te liria do të ishte e gjatë, e përgjakshme dhe e mundimshme, gjithsesi e mundshme dhe e domosdoshme… ( Ahmet Qeriqi)