KKSB në Shtime mbajti mbledhjen e radhës

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) i komunës së Shtimes, më 15. 4. 2016 ka mbajtur mbledhjen e radhës ku në rend dite kishte pikën Gjendja e përgjithshme e sigurisë në komunën e Shtimes dhe pikën Të ndryshme.

Për shkak të angazhimeve që kishin Kryetari  dhe Nënkryetari i komunës, mbledhjen e ka kryesuar dhe e ka udhëhequr Ibrahim Demiri – anëtar i KKSB-së, njëherit udhëheqës i ZKKK-së.

Kryesuesi Ibrahim Demiri fillimisht ka njoftuar KKSB-në lidhur me aktivitetet e zhvilluara nga mbledhja e kaluar, që kanë të bëjnë me sigurinë e përgjithshme në komunën e Shtimes.

Ai bëri të ditur se ditë më parë, Drejtoria për Shërbime Publike, përmes kontratës kornizë që ka me NTP “Ardhmëria” nga Shtimja, ka realizuar projektin në disa vendbanime të komunës së Shtimes duke sinjalizuar rrugët me tabela të ndryshme të komunikacionit. Me këtë rast, ai tha se janë vendosur në rrugë të ndryshme shtatë pasqyre, 22 tabela për të pasur kujdes vozitësit në afërsi të shkollave, 14 tabela për ndalim të kamionëve mbi 7 tonë, 10 tabela me emërtime të vendbanimeve, 6 tabela për kufizim të shpejtësisë dhe një tabelë për vendndalje të autobusëve.

Pastaj njoftoi edhe për këto aktivitete: Është duke u realizuar projekti për ndriçimin dhe sinjalizimin e rrethrrotullimeve , në katër prej tyre, nën mbikëqyrjen e Drejtorisë për Shërbime Publike, të cilat janë vlerësuar nga KKSB si pika të rrezikut të lartë për komunikacionin;

Gjithashtu po vazhdon realizimi i projektit për vaksinimin, sterilizimin dhe matrikulimin e qenëve endacakë, nën mbikqyrjen e Sektorit të Bujqësisë në kuadër të DZHE (janë trajtuar mbi 60 qenë nga përfituesi i kontratës Veterinari Agim Beqa);

DSHP ka filluar hartimin e Planit Komunal për Menaxhimin e Mbeturinave duke qenë e ndihmuar edhe nga GIZ-i (Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar);

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Misioni në Kosovë (OSBE), më, 13.4.2016, në lokale t e  Hotelit Swiss Diamond, në Prishtinë ka organizuar Ceremoninë zyrtare të nënshkrimit të Deklaratës së përbashkët për të promovuar dialogun ndërmjet komuniteteve në komunat e Prishtinës, Graçanicës, Lipjanit, Shtimes, Fushë Kosovës dhe Obiliqit; Këtë deklaratë, për komunën e Shtimes e ka nënshkruar kryetari z. Naim Ismajli.

Në kuadër të Programit të Decentralizimit dhe Përkrahjes Komunave (DEMOS), i financuar nga Qeveria Zvicerane dhe në zbatim nga Helvetas Suiss Inteckooperation, Fondacion Zvicera për Zhvillim dhe Bashkëpunim, përfaqësuar nga z. Norbert Pijls, Menaxher i projektit DEMOS dhe Komunës së Shtimes, përfaqësuar nga Kryetari  z. Naim Ismajli, më 29.3.2016, është nënshkruar Kontrata për bashkëfinancim në Projektin “ Rregullimi i trotuareve, ndriçimit publik, gjelbërimit dhe shtegut për biçiklizëm, në qytetin e Shtimes“;

Zyra Komunale për Mbrojtje dhe Shpëtim në bashkëpunim me Kryqin e Kuq të Shtimes si dhe Njësinë Profesionale për Zjarrfikje dhe Shpëtim, në Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “Abdullah Shabani”, në Carralevë, kanë mbajtur një ligjërata me nxënës të klasave VI –IX-të, kushtuar minave dhe mjeteve të pashpërthyera, që ekzistojnë ende në territorin e këtij fshati qysh nga përfundimi i luftës në vitin 1999;

Më 18.3.2016, në organizimin të Drejtorisë për Shërbime Publike dhe të Organizatës gjermane GIZ si dhe me iniciativën e qytetarëve është bërë pastrimi i kompleksit të pishave në Shtime dhe i ambientit në fshatin Zborc ku kanë ekzistuar deponi të egra të mbeturinave;

Kryetari i Komunës, z. Naim Ismajli ka pritur në një takim pune përfaqësuesit e bashkkësive fetare, në komunën e Shtimes, z. Isa Tërshani-kryetar i BI, në Shtime dhe z.Trajko Vllajkoviq-prift i kishës ortodokse serbe për Shtimen;

Më 11 mars 2016 përmes një aksioni që ka ndërmarrë komuna e Shtimes, është bërë pastrimi i varrezave ortodokse serbe në Shtime. Me rastin e fillimit të punimeve, i pranishëm ishte edhe prifti i Kishës Ortodokse për Shtime, z. Trajko Vlajkoviç, i shoqëruar nga imami Isa Tërshana, drejtoresha e Shërbimeve Publike, znj. Ardiana Rama-Gashi, përfaqësuesit e OSBE-së, Neil Tobin, Arben Koshi dhe Gazmend Piraj;

KFOR-i Turk në bashkëpunim me KVRL-Sh, kanë shpërndarë ndihma humanitare për fëmijët jetim të komunës së Shtimes. KFOR i gjithashtu ka siguruar pako ushqimore, higjenike dhe veshmbathje për 14 familje te komunitetit ashkali dhe 1 familje te komunitetit rom, të cilat ndihma i ka shpërndarë në bashkëpunim me ZKKK-në, më 13 prill 2016;

Për sigurinë në shkolla nevojitet një shtim i kontrollit nga policia, kryesisht në afërsi të shkollave, sidomos te shkollat e mesme;

Bashkë me policinë pritet të bëhet një plan operativ për pritjen e mërgimtarëve gjatë muajve të verës. Pas këtyre njoftimeve të përgjithshme dhe pas diskutimeve nga ana e anëtarëve të KKSB-së gjendja e përgjithshme e sigurisë u vlerësua të jetë e mirë, por u kërkua që të merren këto masa në vazhdimsi: Duhet shtuar kontrollin nga ana e inspektorëve komunalë dhe policia për ndalimin e hudhjes së mbeturinave në lumenj dhe në deponitë ilegale, duhet intervenuar urgjent edhe në fshatin Gjyrkovc ndaj qenëve endacakë pasi që janë të rrezikuar fëmijët të cilët në mëngjes shkojnë në shkollë, duhet shtuar kontrollin nga policia ndaj automjeteve në qendër dhe afërsi të shkollave e që paraqesin rrezik për këmbësorët etj.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …