Të hënën pritet të mbahet seanca e radhës në Kuvendin e Kosovës, në të cilën do të diskutohet çështja e sigurimit të vaksinave anti-Covid. Kështu bëri të ditur, shefi i Grupit Parlamentar i PDK-së, Abelard Tahiri. Ai në një konferencë për media pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, tha se kjo seancë po mbahet pas insistimit të PDK-së. Tahiri nuk hezitoi të drejtojë një varg kritikash ndaj Qeverisë Kurti. ”Sot u vendos që të hënën në seancën parlamentare të vendoset pika e PDK-së për sigurimin e vaksinave dhe luftimin e pandemisë. Kjo është një çështje urgjente. Kemi shprehur pakënaqësi që jemi vendet e fundit në botë që s’kemi dritë në fund të tunelit për sigurimin e vaksinave. S’po shohim angazhim serioz nga Qeveria për sigurimin e vaksinave. Jemi shumë keq kemi rritje të numrit të vdekjeve nga pandemia. Për kryeministrin e ministrin Vitia, kjo gjendje po duket e zakonshme. Andaj ftoj qe të hënën të jenë të pranishëm në seancë për të diskutuar për rritjen e kapaciteteve për sigurimin e vaksinave”, tha ai.