Rrahim Azem Gërbeshi (27.1.1966 - 18.4.1999)

Rrahim Azem Gërbeshi (27.1.1966 – 18.4.1999)

Rrahim Gërbeshi lindi në Gërbesh të Marecit, në një familje fshatare puntëore të varfër. Babai i tij, Azemi pat punuar minator në minierën e Artanës (Novobërdë), gati 30 vjet deri në periudhën e pushimeve të dhunëshme në fillim të viteve nëntëdhjetë, ndërsa pjesa tjetër e familjes është marrë me bujqësi. Të ardhurat e saj familja i siguronte edhe duke shitur drurë në Gjilan, ku më së shumti këtë punë e pat kryer Rrahimi.
Shkollën fillore, Rrahimi e kryen në fshat dhe nuk mundi të vazhdonte më tej, pasi në familjen e tij ishin shumë fëmijë dhe këtij i ra shpejt barra e rëndë për të ushqyer me bukë familjen, për t’iu bërë krah pune të atit. Gjatë vajtjes dhe kthimit me qerren me drurë për në Gjilan, Rrahimi ndalohet, kontrollohet dhe keqtrajtohet shumë herë nga policia serbe. Në shumë raste i merren edhe ato pak para që kishte fituar. Vuajtjet për bukën e gojës dhe keqtrajtimet e pësuara nga policia sërbe i kishin ngjallur dhe rritur urrejtjen për pushtuesin, ndaj edhe qysh në demonstratat e vitit 1981 ai merr pjesë si nxënës demonstrues e më vonë si i ri revolucionar. Sa më shumë rritej, aq më aktiv bëhej në aktivitetet politike kundër pushtuesit serb. Bindjet përfundimtare për shporrjen me çdo kusht të serbëve pushtues nga Kosova e arrin gjatë periudhës që ai kryen shërbimin ushtarak në mes të viteve tetëdhjetë. Ai atje u njoh me urrejtjen e çmendur serbe kundër shqiptarëve dhe me përbuzjen e tyre kundër të gjithë atyre që nuk ishin serbë. U kthye nga ushtria me bindjen e plotë se pushtuesi serb nuk ikën nga Kosova, veç se me plumb ballit. Si rjedhojë e këtyre bindjeve, në demonstratat e vitit 1989 që u zhvilluan në Prishtinë, Rrahimi dhe dy kushërinjtë e tij, Emini e Shyqyriu, kapen nga policia, pasi nuk u tërhoqen gjatë përleshjeve me të dhe dënohen me nga dy muaj burg. Dënimin e vuajti në burgun të Smrekovnicës. Të gjitha këto i kishin mprehur vetëdijen politike dhe priste momentin se kur duhej të rrëmbehej pushka.
Shpërthimi i luftës në Drenicë në nëntorin e vitit 1997 ai e kuptoi si momentin më të përshtatshëm për të filluar luftën për çlirimin e Kosovës, ndaj filloi të zgjeronte edhe rrethin e shokëve të idealit. Në janar të vitit 1999, kur kishin filluar luftimet e para edhe në Gollak, Rrahimi lë punën për ushqimin e familjes, ku kish dy vjet që edhe ish martuar dhe angazhohet drejtpërsëdrejti në radhët e UÇK-së, në njësitin luftarak të Gërbeshit. Qysh në fillim u dallua për vendosmëri, qëndrushmëri dhe padurim për të marrë pjesë drejtpërsëdrejti në luftime.
Më 18 prill 1999 ushtria serbe ndërmorri ofensivën e saj të egër në zonën e malësisë së Gollakut, ku vepronte Brigada 153, e cila kishte arritur efektivin në rreth në 600 luftëtarë. Kundër kësaj brigade, armiku serb angazhoi tri brigada të këmbësorisë së mekanizuar, të përforcuara ato edhe me mercenarë rusë, ukrainas dhe rumunë. Armiku sulmin kundër popullsisë së kësaj zone dhe forcave të Brigadës 153 dhe shtabit të Zonës Operative të Karadakut, e ndërmori njëkohësisht nga 7 drejtime: Prapashticë – Canaj – Zllash; Suteskë – Mramor – Zllash; Prishtinë – Grashticë – Stallovë – Zllash; Prishtinë – Koliq; Bërnicë – Rimanisht – Sharban- Koliq; Ballaban – Keçekoll – Zllash dhe në atë Ballaban – Koliq. Sikundër shihet, të gjitha drejtimet e goditjeve kishin për objektiv Zllashin, pasi armiku kishte mësuar se atje ndodhej jo vetëm shtabi i brigadës, por edhe për të mbyllur të gjitha shtigjet e mundshme të tërheqjes së forcave të brigadës dhe në Zllash të realizonte rrethimin e forcave të fundit, që do t’i mbeteshin brigadës dhe të bënte asgjësimin e plotë të tyre.
Komanda e kishte parashikuar sulmin dhe drejtimet e mundshme të ardhjes së armikut, p0randaj edhe kishte hartuar planin e saj. Ajo, nisur nga përqendrimi shumë i madh i popullsisë së ardhur nga qyteti i Prishtinës dhe ai i Besianës, (gati 300 mijë qytetarë, pa llogaritur popullsinë e gjithë fshatrave të Gollakut), kish parashikuar kryerjen e luftimeve frontale dhe në rast pamundësie për ta smprapsur armikun, atëherë të kalonte në përdorimin e taktikës partizane, por me çdo kusht të mbrohej popullsia. Për këtë qëllim komanda e brigadës urdhëroi sektorin civil të saj që ta evakuonte popullsinë në terrene sa më të sigurta dhe të maskuara, duke i angazhur vetë ato të ndërtonin strehime.
Armiku e filloi sulmin me përgatitje të gjatë artilerie e bazuar në Artanë, Prapashticë, Butovc, Graçanicë, Gazimestan dhe Grashticë si dhe tanket M-84, të cilat mësynë në drejtimin Rimanisht – Sharban; Llukar – Butovc; Prapashticë – Stallovë dhe Slivovë – Zllash, duke ecur kryesisht përgjatë rrugëve automobilistike. Vendkomanda e gjithë këtyre forcave armike ishte vendosur në një helikopter Mi-8, i cili gjatë gjithë ditës së parë të luftimeve fluturonte mbi Gollak, derisa u godit me zjarr të përqendruar me armët e këmbësorisë nga një njësit i brigadës, i komanduar nga Rrahman Dini, dëshmor.
Komanda e brigadës kish ndërtuar vijën e parë mbrojtëse që kalonte në drejtimet: lagja Canaj – Kukavicë – Vidime – Suteskë – Siçevë – Rimanisht – Ballaban – Nishec. Pjesa kryesore e forcave të brigadës u vendos në vijën e parë të përforcuara edhe nga dy njësite të Skifterave dhe ato të Zonës së Karadakut. Në urdhërin e saj komanda e brigadës parashikonte edhe krijimin e njësiteve sulmuese, të cilat të depërtonin në shpinë të armikut dhe ta sulmonin atë pareshtur, me qëllim që ta detyronin atë të hiqte sa më shpejt dorë nga mësymja.
Një nga masat e brigadës ishte edhe evakuimi i spitalit të saj nga Prapashtica dhe së bashku me 13 të plagosurit rëndë ta çonin pranë spitalit të Zonës Operative të Llapit.
Luftimet nisën të ashpra. Njësiti i Gërbeshit luftonte në vijën e parë të mbrojtjes. Armiku ishte thyer disa herë, si rezultat i zjarrit dhe qëndresës së Rrahimit me shokë. Sa herë që armiku përsëriste sulmet drejt Rogajve të Gërbeshëve, ku luftonte Rrahim Gërbeshi, aq më shumë përqëndronte zjarr artilerie. Sulme nga armiku dhe zjarr i fuqishëm nga tanët. Pati shumë raste të shpeshta qysh ditën e parë të luftimeve. Drejt Rrahimit nuk reshtën së sulmuari ushtarët sërbë. Më në fund Rrahimit i mbaron municioni. Si të vepronte? Thërriti për furnizim. Shoku i tij që ndodhej më afër me pozicion luftimi, Rrahman Murati, i bën shenjë që të shkonte të merrte atje municion. Rrahimi merr armën në dorë dhe ashtu i përkulur vrapon për në drejtim të Rrahmanit, në vend që të shkonte me zvarritje rrëshqanthi, pasi ishte nën zjarrin e pandërprerë të armikut. Armiku e diktoi dhe përqendroi zjarr kundër tij, pasi luftimet zhvilloheshin shumë afër. Kështu u nda prej shokëve Rrahim Gërbeshi, më 18 prill të atij viti. U nda edhe nga gruaja e tij Shehidja dhe nga djali dyvjeçar, Hajrullahu dhe vajza katërmuajshe. Pas pak ditësh, nga mungesa e ushqimit të mjaftueshëm i vdes edhe vajza katërmuajshe, Antigona.
Sot eshtrat e dëshmorit Rrahim Gërbeshi prehen në varrezat te Kodra e Dëshmorëve të Vitisë së Marecit. (D. G.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …