Preng Cub Lleshi: Edi Rama nuk mund të ikë, as të vijë “me urdhër të askujt”, por vetëm nga vota popullit shqiptar

Preng Cub Lleshi: Edi Rama nuk mund të ikë, as të vijë “me urdhër të askujt”, por vetëm nga vota popullit shqiptar

PA SHKUAR TEK KUTIA,

TË KUJTOJMË Ç`THOTË HISTORIA!

Në këto çaste, kur shqiptarët po presin, si në ankth, 25 prillin, ditën e zgjedhjeve për në organet e larta të pushtetit shtetëror, çfarë nuk po dëgjojnë veshët e tyre: Thirrje e britma histerike “Poshtë Komunizmi” e “Rama ik”, kur dihet se komunizmin ende nuk e ka jetuar ndonjë popull në botë e jo më ne shqiptarët; kur dihet se Edi Rama nuk mund të ikë dhe as të vijë “me urdhër të askujt”, por vetëm nëpërmjet votës së popullit shqiptar!

     Por shpirtin e shqiptarëve të ditëve tona, krahas këtyre britmave histerike, po e vrasin edhe sharjet e rënda që përdorin, veçnërisht, shumë liderë të forcave politike që syhojnë majat e pushtetit. Aq të rënda janë këto sharje sa shqiptarët e ndershëm  pyesin: Kur e kanë sharë kaq rëndë njëri-tjetrin shqiptarët?! A kanë qenë sharjet injorante në traditën e tyre?! Se mirditorët më duket se kanë pasur të drejtë kur kanë krijuar proverbin e mençur, që reflekton edhe kulturë “I shami të shan”!

     Është kjo arsyeja që shqiptarët, përpara se të shkojnë tek kutitë e votimit, t`i dëgjojnë mesazhet që u ofron atyre historia e vjetër dhe e re e kombit tonë. Se edhe Kanuni i Lekë Dukagjinit, që është produkt i shekullit XV, e ndalon sharjen edhe pa e theksuar idenë se sharjet nuk janë argument e se ato fyejnë dinjitetin e njeriut “të lirë”. Prandaj edhe pasardhësit e Lekë Dukagjinit, mirditorët, ua përcollën brezave proverbin e të parëve të tyre “I shami të shan”!

     Por, tek i shohim shqiptarët e ditëve tona të ndarë në dy “tabore”: Tabori që e konsideron të shënjtë Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, e cila çoi në çlirimin e Shqipërisë nga robëria fashiste, i cili përbën atë grupim politik që quhet “E Majta Shqiptare” dhe në taborin që 29 Nëntorin e vitit 1944 nuk e quan “Dita e Lirisë”, por “Dita e pushtimit nga komunistët”(?!), taborin që njihet me emrin historik “E Djathta Shqiptare”, ku janë bashkuar  të gjithë antikomunistët e ditëve tona.

     Kjo e vërtetë e hidhur historike do t`i shtyjë shqiptarët që, përpara se të shkojnë tek kutitë e votimit, të sjellin ndërmend se çfarë thotë historia për këto tabore. Se kryeprifti shqiptar, Fan S. Noli, besoj se u mëson një të vërtetë të madhe shqiptarëve të ndershëm, kur shkruan: “Guverna e Enver Hoshës jo vetëm që e shpëtoi Shqipërinë nga vdekja, po tani i vë themelet të patundura shtetit me reformat dhe me veprat konstruktive. Pra, meriton përkrahjen e patundur të çdo shqiptari të mirë, që dëshiron të mirën e atdheut”. (Gazeta “Dielli”, Boston 1947, 26 mars, nr. 5767)

     Dhe, nëse ka ndonjë shqiptar që hiqet më i ditur se Kryeprifti ynë, po i kujtojmë të vërtetën e madhe që i përcillte Harry Fullc Vashingtonit qysh në shtator të vitit 1944, në prag të mbarimit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare në Shqipëri. Se ai, midis të tjerave, shkruante:

     “…Duke qenë tepër feudalë në pikëpamjet e tyre (pjesëtarët e qeverisë kuislinge) i përziejnë ato (metodat-shënimi im) me metodat fashiste dhe nazizmin gjerman… Këto gërshetohen mirë, prandaj nuk është e rastit që anëtarët e një grupi të tillë përkrahën planet fashiste, duke krijuar një truall të përbashkët me nazistët gjermanë”…

    “Ata, shtonte më tej Harry Fullc, nuk i besojnë popullit të tyre me pretekstin se është injorant dhe primitiv, ndërsa, në të njëjtën kohë, adaptojnë masa të cilat e mbajnë në kushte injorance, varfërie dhe primitiviteti”. “Ata, shton më tej Harry Fullc, nuk kanë hezituar dhe nuk hezitojnë të përdorin mjetet më vicioze dhe më të ashpra për ta mbajtur popullin në kushtet e nënshtrimit dhe frikës”.

     Dhe, më poshtë, Harry Fullc tregonte të vërtetën e madhe që duhet ta njohin shqiptarët e ditëve tona, se “elementë të këtij grupi janë: Bejlerët, pronarët e mëdhenj të tokave në Shqipërinë e mesme dhe të jugut: Vërlacët, Vlorat, Libohovat, Vrionët etj., Bajraktarët, dhe kapedanët myslimanë të Matit, Dibrës, Lumës: Dinet, Elezët, Katolikët fashistë të Mirditës, Shkodrës, Dukagjinit”, duke shtuar se shumica janë me prirje nazifashiste dhe përfaqësojnë interesat thelbësore më antidemokratike të vendit”. (Dokumenti origjinal në arkivin e DASH:  A. M. 1211/16/875.01/9-2244)

     Idetë e një ndarjeje të tillë klasore, që i hasin edhe tek rilindasit tanë Çajupi e Asdreni, i shprehte qartë edhe Fan S. Nolin në poezinë “Anës lumenjëve” ku, midis të tjerave, shkruante:

          “Seç e shembën derbederët,

          mercenarët dhe bejlerët,

          seç e shtypën jabanxhinjtë,

          seç e shtrydhën fajdexhinjtë,

          …………

          Nën thundrën e përdhunës,

          Anës Vjosës, anës Bunës”.

         (Fan Noli “Pjesë të zgjedhura”, f, 49)

    Po ja që pinjollët e këtyre forcave politike, që u bënë me turp duke bashkëpunuar me pushtuesit fashistë italianë e gjermanë në vitet e Luftës së Dytë Botërore, pas 22 marsit të vitit 1992, të prirë nga “Komunisti” antikomunist Sali Berisha, vendosën pushtetin e “demokracisë pluraliste, që, shqip, do të thotë “pushteti i borgjezisë” si klasë sunduese. Dhe dihet se çfarë i sollën Shqipërisë këta të vetëquajtur “Demokratë” pas vitit 1992: Jo vetëm shembën gjithçka kishte ndërtuar populli shqiptar për 45 vjet në socializëm, por kryen edhe krime të tjera, të cilët shqiptarët i njohin mirë. Dhe nuk ka arsye që ata t`i harrojnë këto krime.

   “Fizionominë” politike të këtyre forcave, që kërkojnë të vijnë në pushtet pas 25 prillit, e tregonte bukur shkrimtari Ismail Kadare, kur shkruante se “Në Shqipëri ata…që kërkojnë të drejta, kërkojnë hakmarrje, përbuzje të gjithçkaje në të kaluarën,… janë njerëz që kanë qenë tepër servilë ndaj regjimit të kaluar. Bile dhe i kanë shërbyer atij”. Dhe, më tej, shkrimtari ynë vazhdon: “Rreziku më i madh i paraqitet demokracisë nga këta pakurrizorë, të cilët i përshtatën çdo pushteti”. (“Rilindja”, 10.07.1994)

     Për tiparet e kësaj të Djathte Shqiptare shkruante edhe Blendi Gonxhe në gazetën “Koha Jonë”. Dhe ai i shkonte më thellë të vërtetës historike kur pohonte se “Me mënyrën se si u zhvillua dhe me rrugën që mori, lëvizja e dhjetorit `90 u hapi rrugën e pushtetit njerëzve të dyshimtë. Dekoratat që jepen çdo përvjetor mundohen të heqin baltën e famshme nga pardesytë e bardha, por vështirë t`i pastrojnë”. (“Koha Jonë” 07.12.1994)

     Dhe duket qartë se “balta e famshme” nga “bluzat e bardha”, që organizuan dhe realizuan përmbysjen e socializmit në Shqipëri në fund të viteve `90-të, ka kaluar në kostumet shumëngjyrëshe të liderve kryesorë të opozitës laramane të ditëve tona, lista e të cilëve mund të fillojë me Sali Berishën e të vazhdojë me Lulëzim Bashën e Monika Kryemadhin, për të vazhduar, për fat të zi, me atë që quhet “President i Republikës”-Ilir Meta. Dhe me këtë duket se fillon tragjikomedia e momentit historik në të cilin jetojmë.

     Se edhe ai, nga “simbol i unitetit kombëtar”, që duhej të ishte, është shndërruar, për të mos themë “lideri hije” i opozitës aktuale, në drejtues kryesor i Lëvizjes Socialiste pë Integrim”. Dhe tragjikomedia bëhet më e dukshme kur këta liderë lëshojnë edhe thirrje antikushtetuese në këtë moment delikat historik, kur na duhet bashkimi dhe jo përçarja.

     Ndaj u duhet kujtuar historia njerëzve tanë të ndershëm; u duhet kujtuar e vërteta, se ata që synojnë të vinë në pushtet pas 25 prillit, janë ata që, në kohën kur ishin në pushtet, siç thotë analisti i zgjuar Frrok Çupi, në Shqipëri “Në vend të lavdisë antifashiste, u instaluan gradat për profashistët; në vend të Heronjëve të Punës, u instaluan “heronjtë” e kontrabandës; në vend të pajtimit kombëtar, u hap gjakmarrja;… u lavdëruan paragrafët primitivë të kanuneve… ”. (“Koha Jonë”, 10.09.1996)

     Ja përse shqiptarët e ndershëm më 25 prill, pa shkuar tek kutia, të kujtojnë ç`thotë historia. Se nuk thonin pa vend latinët e lashtë që “Historia është mësuesja e jetës”. Se kishte të drejtë edhe poeti Viktor Eftimiu, kur i këshillonte njerëzit e mençur të kësaj bote:

          “Rrugë të ndritura, të drejta,

          Kodra të blerta ti kërko!

          Kur të thërrasin egërsirat,

          Mos i dëgjo! Mos i dëgjo!”

 

Preng Cub  Leshi është autor i 22 librave poetikë, publicistikë, historikë e gjuhësorë

Kontrolloni gjithashtu

BDI dënon vendimet e fundit të Moskës zyrtare për aneksimin e territoreve të Donbasit dhe Luhanskut nga Ukraina

BDI: Qeveria me eksponentë putinistë që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ka bllokuar marrëveshjet e mëhershme

Bashkimi Demokratik për Integrim, nënvizoi  rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis institucioneve të Republikës së …