Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka deklaruar se Grupi për Ballkanin ka njoftuar sot se Veton Surroi, Bernard Nikaj, Leon Malazogu, Robert Muharremi, Muhamet Mustafa do të jenë ekspertët e angazhuar në procesin e dialogut dhe se këtij ekipi pritet t’i bashkohet edhe Blerim Shala. Dialogun do ta udhëheq, Albin Kurti në koordinim me kryeparen e Kuvendit, Vjosa Osmani. Bernard Nikaj, Blerim Shala, Veton Surroi e të tjerët, janë ekip i ekspertëve të angazhuar nga Grupi për Ballkan, në kuadër të memorandumit të mirëkuptimit në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Ambasadës Norvegjeze. Anëtarët e këtij grupi ekspertësh i takojnë ish nomenklaturës politike të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë. Një ekip shumë i përshtatshëm për Serbinë dhe Bashkimin Evropian. Veton Surroi ka udhëhequr bisedime edhe me kryekriminelin dhe kasapin e Ballkanit, Sllobodan Millosheviq, madje edhe pas rënies së Jasharëve në Prekaz në mars të vitit 1998 dhe luftës të cilën e kishte filluar Ushtria Çlirimtare e Kosovës kundër regjimit okupator të Serbisë. Kjo është përzgjedhja e ekipit në bisedime me Serbinë dhe Bashkimin Evropian që ka bërë Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, i cili ka ardhur në pushtet me sloganin e njohur: Vetëvendosje- jo negociata